Shendet

Raporti: Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend tjetër në rajon për kujdesin shëndetësor

Nga Gazeta Si- Në ditën ku në kuvend u fol për investime në spitalet shqiptare, është publikuar edhe një rapor ku tregon se vendi ynë shpenzon më pak se çdo vend tjetër në rajon për kujdesin shëndetësor.

Organizata ‘Together for Life’ ka publikuar analizën e saj të financimit të kujdesit shëndetësor publik në Shqipëri për vitin 2025 ku gjetjet janë shqetësuese.

“Pavarësisht rritjes nominale të financimit, sistemi i kujdesit shëndetësor i Shqipërisë mbetet kronikisht i nënfinancuar, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Shpenzimet për frymë të kujdesit shëndetësor në Shqipëri vlerësohen të jenë 33% më të ulëta se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe 42% më të ulëta se mesatarja rajonale”, thuhet në raportin e TFL.

Raporti thekson se  janë 590 dollarë amerikanë për frymë shpenzime për kujdesin shëndetësor- niveli më i ulët në Rajon dhe 48.27% pagesa të kujdesit shëndetësor nga xhepi nga qytetarët- niveli më i lartë në Rajon.

Në raport shkruhet se këto shifra e vendosin Shqipërinë në fund të renditjes rajonale për çdo tregues kyç të financimit të kujdesit shëndetësor, larg objektivave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Shëndetit 2021–2030 dhe premtimeve të Qeverisë për kujdes shëndetësor falas.

Rritje nominale, rënie reale- paradoksi i financimit të sektorit të kujdesit shëndetësor

Ndërsa Qeveria vazhdon të paraqesë rritje vit pas viti në financimin e kujdesit shëndetësor, raporti zbulon një realitet të ndryshëm.

“Pjesa reale e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor në raport me PBB-në dhe buxhetin e shtetit ka qenë në rënie të vazhdueshme”, thuhet në raport.

Sipas raportit, shpenzimet totale për sektorin e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë të ardhurat nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), arritën afërsisht në 76.6 miliardë lekë në vitin 2025, duke përfaqësuar vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 9.6% të shpenzimeve totale publike, duke mbetur nën nivelin e regjistruar në vitin 2018.

Raporti thekson dhe një çekuilibër të qartë midis financimit të kujdesit shëndetësor parësor dhe sekondar.

Shpenzimet për kujdesin shëndetësor parësor kanë ndjekur një trend në rënie, edhe pse sistemi i kujdesit parësor është zgjeruar me shërbime të reja dhe vazhdon të mbajë barrën kryesore të ofrimit të kujdesit për qytetarët.

Ndërkohë, rritja e financimit për kujdesin spitalor dhe shërbimet e specializuara në vitin 2025 pasqyron vëmendje më të madhe ndaj sektorit sekondar, në përgjigje të presionit publik mbi problemet në spitale të shkaktuara nga mungesa e pajisjeve dhe ilaçeve.

“Zhvendosja e burimeve financiare nga sistemi i kujdesit shëndetësor parësor në nivelin dytësor është e pajustifikueshme dhe bie ndesh si me nevojat në rritje të popullsisë ashtu edhe me objektivat strategjikë që synojnë forcimin e kujdesit shëndetësor parësor si themeli i sistemit të kujdesit shëndetësor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë