Njerez

Akti i një drame që po luhet nën çadër

“Ne nuk ekzistojmë për shtetin. Zëre se nuk jemi”. Dhurata Tare lëviz ngadalë në një oborr të vogël ku pas tërmetit në oborr u mbiu një çadër. Ata u zhvendosën nga shtëpia që është e pabanueshme nën çatinë plastike, ku janë shtruar tapetë të gjetur në plehra dhe dyshekë. Dimri ishte i ftohtë. Kjo pranverë ka një lloj tjetër ftohtësie, atë të urisë. Familja Tare jeton në Valias, një nga zonat periferike më të varfra të Bashkisë së Kamzës.

Dhurata Tare

Në zonën minerare, banorët që e quajnë veten autoktonë, mbahen me punë krahu, kryesisht në ndërtim. Kjo e fundit punë për burrat. Ose në fabrika e fasonerisë, kjo punë grash. Pastaj janë edhe banorët e komunitetit rom, që përbëjnë një lagje dhe që nuk punojnë as në njërën as në tjetrën. Ndonjë me fat që quhet syresh “mirë ekonomikisht” para Covid-it shiste rroba të përdorura. Të tjerët gërmojnë mes kazanëve dhe, me shpresën se kanë gjetur diçka, pasi grumbullojnë kilogramët e duhur, i shesin. Deri në orën 13.00, atëherë kur edhe mbyllet e drejta për të dalë në rrugë, ata mund të gjejnë diçka në kazanë. Por problemi nis ku do ta shesin, pasi pikat e grumbullimit janë mbyllur. Ndaj pandemia rrezikon që shumë qytetarë të komunitetit të përpëliten në kufijtë e mbijetesës.

Mbeturinat që kanë mbledhur

“Në rastin më të mirë fitonim 500 apo 700 lekë në ditë, sot s’ka më…, por ne dalim e mbledhim kanaçe e hekurishte, derisa të hapet prapë pika ku do i shesim”, shpjegon për Gazetën “Si” Dhurata, për të cilën ato ditë kur shiste diçka dhe blinte për të ngrënë “nuk kishin qenë asgjë krahasuar me çfarë erdhi”.

Gruaja hedh sytë nga e bija, në klasën e shtatë në shkollën “Niko Hoxha” në Valias, e cila është ulur në një shezlong. Gjatë natës e bija e kthen atë në një krevat për të fjetur.

Në dyshekun dopio të futur në çadër fle pjesa tjetër e familjes, çifti Tare dhe i biri. Ata dolën nga shtëpia që gjendet ngjitur gjatë tërmetit të datës 26 nëntor. Shtëpia u shpall e pabanueshme. Por nga fatkeqësia tjetër e Covidit, familja humbi edhe mundësinë për t’u ushqyer, pasi duhet të udhëtosh për orë të tëra nëpër qytet derisa të gjesh diçka të vlefshme. Edhe pse siç shton gruaja për gazetën “Si”, policia nuk u kërkon llogari siç vepron me të tjerët që dalin pas orës 13.00, në kazanë gjatë këtyre ditëve nuk po gjenden më mjaftueshëm gjëra që vlejnë e gjëra që shiten për dy lekë. Përpara Covidit katër anëtarët e familjes Tare mbijetonin nga puna e prindërve që gërmonin në kazanët e plehrave, ku nëse diçka nuk shitej do gjendej diçka që hahej. “Për tërmetin na sollën vetëm këtë çadrën dhe një pako me ushqime, pastaj u zhdukën”, shton Dhurata.

Vajza e Dhuratës

E bija Sara e ndërpret dhe i kërkon të ëmës të flasë edhe për shkollën e saj. Nxënësja e klasës së shtatë ka një tjetër problem që të ëmës ia mbush sytë me lot. “Ja vajza, është nxënëse e mirë, ku do mësojë, mirë ne që jemi mysybet, po vajzën e kam dërguar në shkollë. Thonë që mësohet kështu e ashtu. Asgjë nuk është e vërtetë. Nuk ka ku të mësojë siç mësojnë shokët, s’ka televizor, s’ka as internet”. Familja jeton në çadër që është e vetmja gjurmë që tregon shtrirjen e dorës së shtetit. Në një dollap të sajuar duket një copë bukë e tharë, shtëpia nuk ka asgjë për të ngrënë veç ujit dhe një qeseje që ja kanë falur komshinjtë.

Në oborr

Por Dhurata shton për çadrën “e kërkuam, qëndruam në derë të bashkisë pas tërmetit deri sa erdhën dhe panë dëmet, qëndruan një minutë në këmbë, bënë fotografi, u bindën dhe e sollën, presim se na kanë thënë që do të na i rregullojnë”.

Dhurata është nënë e tre fëmijëve, të madhin e ka martuar. Ajo është kthyer para bashkëshortit në shtëpi, pasi gërmoi në kazanë, nuk qëndronte më dot në këmbë nga uria. Është e sëmurë.

“Kam kredi, e mora se kam bërë operacion para gjashtë muajsh, nuk kisha lekë. Djali dëgjoi Ramën që tha do shtyhet kredia, shkoi në bankë, dhe ata i thanë do paguash 9 mijë lekë për tre muaj shtyrje. Nuk e dimë ku jetojmë, po për ne a flasin a mendojnë… ndryshe thuhet në televizor, ndryshe në realitet. A janë këto rregulla dhe për ne?”

Dhurata tregon se nuk kishte mundësi as për të paguar 9 mijëlekëshen për shtyrje kredie. “Kam shkuar për ndihmë sociale, radhët janë të gjata, ata shkruajnë dhe pastaj asgjë. Çfarë do hamë ne sot pyet gruaja që ka humbur besimin tek gjithçka. “Ata erdhën në Valias, shpërndanë ndihma ushqimore nga gripi, por tek ne nuk sollën, i çojnë ku duan, në lagjen tonë nuk qëndruan fare. Përse?”

Dhurata jeton në lagjen Ballshi të Valiasit. Hyn shpesh e del nga çadra, kërkon të tregojnë qesen e vogël që i kanë falur fqinjët e lagjes Kukësi pasi sipas saj “në Valias njerëzit ndihmojnë njëri-tjetrin, ndryshe do kishin vdekur me kohë”.

Dhe në të vërtetë, gruaja ka të drejtë. Në Valiasin e ish-minierës që tani ia ka lënë vendin një ndërtese gërmadhë, banorët shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Dikush që ka pula, shet vezë për fqinjin dhe ky i fundit i jep diçka tjetër. Edhe orët e karantinimit nuk janë aq të rrepta. Dikush lëviz me biçikletë. Një grumbull qensh kanë zënë rrugën kryesore. Gra të tjera flasin me njëra-tjetrën nga gardhi në gardh. Rita po kthehet nga vizita në distancë me komshien. E martuar prej kohësh në Valias, ajo jeton në një nga ish-godinat e drejtorisë qendrore të minierës së Valiasit. Ajo  shpreh keqardhjen që bashkia nuk ndau pako për një pjesë të banorëve, pasi siç rrefen në Valias të gjithë kanë nevojë për ndihmë. “Wshtë lagjja pas godinave dhe lagjia e romëve, ata i harruan ose nuk e di çfarë ndodhi, por atyre nuk u dhanë pako”, shton Rita, e cila bën me gisht nga një godinë e vjetër. “Ja atje jeton një i moshuar, në kat të fundit, jeton vetëm, kemi dy ditë që vrasim mendjen a është mirë, edhe ai është i varfër”. Dhe nuk ka pse të dyshosh te fjalia e Ritës, varfëria flet vetë në Valiasin ku skeletet e ish-minierës duket sikur simbolizojnë trishtimin e kësaj qyteze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë