Ne rrjet

Një “Soros” i djathtë për Europën!

Siç edhe ishte paralajmëruar, një “agjent” amerikan ka hyrë fuqishëm në politikën europiane. Emri i tij është Steve Bannon, ish-këshilltar i lartë i Presidentit Donald Trump.

Krahu i djathtë i Presidentit amerikan ka zyrtarizuar planet për të krijuar një fondacion të gjerë në mbarë Europën me shpresën se do të ushqejë fuqizimin e partive të djathta në kontinent. Në një intervistë për mediat amerikane, Steve Bannon deklaroi se dëshironte të ofronte një alternativë të denjë ndaj Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të manjatit amerikan George Soros, i cili i ka dhuruar më shumë 32 miliardë dollarë për përhapjen e kauzave liberale, që nga krijimi i tij në vitin 1984.

"Soros është i shkëlqyer", tha Bannon për “Daily Beast”. "Ai është i lig, por është i shkëlqyer".

Fondacioni i Bannon duket se do të quhet “Lëvizja” dhe do të ofrojë hulumtime, këshilla dhe një rrjet të gjerë burimesh të palëve të djathta në të gjithë Evropën. Gjatë 12 muajve të fundit, Bannon ka takuar politikanët e djathtë në të gjithë kontinentin përfshirë ish-liderin e Ukip, Nigel Farage, Marine Le Pen dhe kryeministrin hungarez Viktor Orbán. Banon deklaroi se parashikonte krijimim e një "supergrupi" të djathtë brenda Parlamentit Europian, pas zgjedhjeve të ardhshme në Europë në maj. Ai tha gjithashtu se planifikonte të kalonte gjysmën e kohës në kontinentin e vjetër.

https://twitter.com/thedailybeast/status/1020616911607001088?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1020616911607001088&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.euractiv.com%2Fsection%2Felections%2Fnews%2Fbannon-to-establish-brussels-headquarters-targeting-eu-election%2F

Edhe pse Bannon shpreson t’i kundërvihet ndikimit të Sorosit, hapat e tij fillestarë për arritjen e këtij qëllimi duken mjaft modeste. Selia e “Lëvizjes”, e cila pritet të jetë në Bruksel, ka të ngjarë të ketë më pak se 10 punonjës me kohë të plotë përpara zgjedhjeve të vitit 2019, pas së cilave do të zgjerohet në varësi të suksesit të fondacionit. Bannon nuk dha asnjë detaj se sa para do të derdhte në këtë projekt dhe nuk përcaktoi as nga ku do të vinin këto fonde. Tashmë, pasi ka lënë Shtëpinë e Bardhë, Banon u shpreh mjaft optimist për ndikimin e tij në skenën evropiane, i nxitur ndoshta edhe nga fakti se fitorja në referendumin e Brexit u arrit me një buxhet prej vetëm 7 milionë paundësh.

"Kur më thanë se totali i shpenzimeve ishte 7 milionë paund, mbeta pa fjalë. Çfarë dreqin?! Me 7 milionë paundë nuk blen dot asgjë. Nuk blen të dhënat e Facebook, nuk blen reklama, nuk bën asgjë. Sapo i morëm BE-së ekonominë e pestë më të madhe në botë për 7 milionë paund!? "

Steve Bannon dhe Marine le Pen

Bannon tha se besonte se nacionalizmi i krahut të djathtë është e ardhmja e Evropës. Sipas tij, prova më e madhe është se fitorja e referendumit të Brexit, u pasua nga zgjedhja e Donald Trump në SHBA dhe fuqizimi i krahut të djathtë në mbarë Europën. Ish-këshilltari i Presidentit Trump e sheh kancelaren gjermane Angela Merkel, si pikën e dobët të Europës. Ai doli kundër vendimit të Trump për t’u takuar me Merkelin, lidhur me marrëveshjen e gazsjellësit me Rusinë, duke e akuzuar se po ia shiste Moskës kontrollin e Europës, për çmime më të lira energjie. Ai i përshkruan Merkelin dhe Emmanuel Macron si figurat më të ndjeshme të burokracisë së majtë në Evropë. Bannon shkoi në Itali për të vëzhguar nga afër fushatën zgjedhore, pasi partitë populiste italiane u fuqizuan ndjeshëm, pavarësisht se po ndërmerrnin fushata të vogla.

"Shikoni "Pesë Yjet" dhe "Lega Nord", tha ai. "Mjaftuan të përdornin kartat e kreditit dhe morën kontrollin e ekonomisë së shtatë më të madhe në botë. Është e çmenduri”, u shpreh Bannon.

Steve Bannon dhe Presidenti Donald Trump

Dy partitë e djatha italiane arritën një marrëveshje koalicioni që bëri Matteo Salvinin zëvendëskryeministër dhe e vendosi në krye të Ministrisë së Brendshme. Që nga atëherë, ai mbylli portet e Italisë për anijet me emigrantë dhe bëri thirrje për një regjistrim të komunitetit rom. Bannon deklaroi se e sheh Salvinin si një model për partnerët e tij të ardhshëm të “Lëvizjes”.

"Italia është zemra e politikës moderne. Nëse funksionon aty, mund të funksionojë kudo. Nuk duam të përfshijmë asnjë parti etno-nacionaliste në këtë fondacion, edhe pse partitë e djathta si Demokratët e Suedisë ose Finlandezët e Vërtetë po fuqizohen dita-ditës", tha Bannon.

Ambicia e tij nuk është asgjë më pak se sa një pengesë për liberalët e Europës dhe të gjitha kauzat që Soros është munduar të fuqizojë përgjatë viteve të fundit. "Harrojeni Merkelin", shprehet Raheem Kassam, një gazetar i njohur amerikan. "Soros dhe Bannon do të jenë dy lojtarët më të mëdhenj në politikën europiane për vitet që vijnë".

Burimet: "Daily Beast", "The Guardian"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë