Art dhe Kulture

Fjalori i gjuhës – Ideja italiane që zuri vend në Sheshin “Skënderbej”

Nëse do të dish kuptimin e një fjale arkaike apo pak të hasur në bashkëbisedimet e përditshme mund ta mbash hapin në sheshin “Skënderbej”, të klikosh në monitorin e bashkëlidhur me instilacionin gjigant në formë libri e të shuash kureshtjen, ose edhe të korrigjosh kontekstin e gabuar në të cilën mund ta kesh përdorur më herët...

Ministria e Kulturës vendosi ta mbyllë Tetorin e Librit - një muaj kushtuar letërsisë dhe leximit -, me një vepër publike arti, por edhe utilitare ( për më të ngeshmit dhe ata  që nuk kanë përdorim të internetit, për fjalorët online) në qendër të kryeqytetit. Përdorimi i parë, siç do ta zbulonte edhe ministrja Elva Margariti, ishte ai i sfondit për të shkrepur fotografi.

“Por ai fjalor është edhe funksional. Përmes një monitori, bashkëlidhur me të, mund të kërkoni kuptimin e cilësdo fjalë të fjalorit”, shkruante ajo në Facebook, ndërsa vepra shihet si një mesazh për të njohur dhe dashur gjuhën shqipe. Vendosja e fjalorit të gjuhës shqipe, ka qenë një simbolikë për ta kthyer vështrimin tek shqipja dhe ndërgjegjësim pr brezat e rinj për ta dashur gjuhën shqipe, ka zbuluar këshilltarja e ministres së Kulturës, Alma Mile, ndërsa motoja  e aktiviteteve të muajit tetor ka qenë “Lexo shqip!”

Janë 48 mijë fjalë nga “Fjalori i Gjuhës Shqipe", botim i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë, për të gjithë kalimtarët shqiptarë apo edhe të huaj që po mësojnë shqipen.Ky fjalor është hartuar duke u mbështetur te Fjalori i 1980-ës, ripunuar dhe përditësuar. Përmban rreth 35 000 fjalë, 7 000 njësi frazeologjike dhe mbi 100 000 kuptime.

 Por ideja, duket se nuk është krejt origjinale, ndërsa publiku virtual i mediave sociale kanë gjetur ngjashmëritë e idesë, por edhe të vetë intalacionit me atë të nismës së shtëpisë botuese italiane “Zanichelli”, që ka nisur një tur me  instilacionin e Fjalorit të Gjuhës italiane me qëllimin për të shpëtuar mbi 3 mijë fjalë që rrezikojnë të harrohen.

Projekti “Parole da salvare”, po shfaqet në sheshet kryesore të qyteteve italiane, ndërsa një markë veshjesh “MSGM” është zotuar se do të zgjedhë pesë fjalë për t’i bërë protagonist të koleksionit të ri të modës. Plot 3 mijë e 126 fjalë të  botimit të vitit 2020 të fjalorit të gjuhës italiane “Zingarelli”, do të shënohen me një simbol grafik luleje, që nënkupton se ato janë fjalët që duhen shpëtuar.

Instalacioni italian me fjalorin "Zingarelli"

Me dëshirën për t’i shpëtuar këto fjalë, shtëpia botuese “Zanichelli” e nisi rrugëtimin prej shtatorit në Milano,  për ta mbyllur në nëntor, në Palermo. Gjatë tetorit, instalacioni i ngjashëm me atë të Fjalorit të Gjuhës Shqipe që duket i përhershëm dhe Ministria e Kulturës nuk ka zbuluar ndonjë projekt të ardhshëm për ta lëvizur në qytete  të tjerë të vendit, u ndal në Bolonja, Firence dhe Bari, ku ka qëndruar nga një javë në çdo shesh.

Projekti  italian ofron edhe mënyrat si  të shpëtojë fjalët që rrezikojnë të zhduken, ndërsa në Shqipëri gjuhëtarët kanë ngritur alarmin jo pak herë rreth përdorimit të shtuar të fjalëve të huaja e duke harruar të barasvlershmet shqipe, jo vetëm tek të rinjtë që ndikohen nga teknologjia, por edhe politikanët.

Edhe instalacioni italian është i  pajisur me një ekran, i cili do të propozojë në mënyrë të përsëritur nga pesë prej 3126 fjalëve për të shpëtuar. Me ta zgjedhur fjalën që dëshiron të shpëtojë, kalimtari mund ta postojë sëbashku me domethënien në Facebook dhe Instagram, drejtpërdrejt nga ekrani i  fjalorit.

 E për ata që kundrejt rrjeteve sociale parapëlqejnë ato tradicionalet, “Zanichelli” ka menduar për kartolina të vërteta:  çdo kartolinë do të mbajë një fjalë për të shpëtuar me domethënien e saj, të cilën mund ta dërgosh me postë.  Një ide të ngjashme me kartolina pati kohë më parë shtëpia botuese “Poeteka”, që sëbashku me ambasadën austriake  në vitin kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë lëshuan një seri me kartolina, me tekste letrare të autorëve austriakë në shqip, por edhe autorëve shqiptarë që jetojnë në Austri.

Ide e kopjuar ose jo, gjuha është organizëm i gjallë dhe ka nevojë të mbrohet. Që fjalët e vjetra të mos vdesin dhe të rejat që lindin të tingëllojnë shqip dhe të mos jenë huazime të përdorura vend e pa vend, një fjalë mund ta nxjerrim nga sirtari i harresës, ose nga ai fjalor i viteve ’80, me një klikim. Sigurisht, do të ketë gjithnjë kritikë të pakënaqur me shpjegimet gjuhësore, që nuk i shpëtonin dot ravijëzimit sipas doktrinës politike, të diktaturës komuniste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë