Analize

“Shqipëria ndër vendet e preferuara të entiteteve që merren me pastrim parash”

Nga Ilir Hysa - Vjedhja spektakolare e Rinasit, është një temë që ka të bëjë pak ose aspak me parimet ekonomike, pasi një ngjarje si ajo e Rinasit vë në pikëpyetje, jo vetëm funksionimin normal të bankave, por dëmton rëndë imazhin e shtetit e të sigurisë kombëtare.

Ilir Hysa, Associate Director - Senior Economist, pranë Moody's

Çdo vend që përjeton një akt të tillë, duhet të vendosë, nëse do ti shpallë luftë pa kompromis krimit, apo do të shndërrohet në Republikë bananesh. Thënë këtë, largimi i bankave europiane nga Shqipëria nuk më habit aspak. Besimi në rendin e qetësinë publike dhe sigurimi i një klime normale biznesi, janë kushte të domosdoshme për normalitet në Shqipëri dhe mbeten deryrë imperative për autoritetet shqiptare.

Ngjarja e Rinasit nuk duhet parë e izoluar nga gama e problemeve të shumta që përjeton Shqipëria. Ajo vjedhje është vetëm maja e ajsbergut në sensin që problemet me të cilat përballet Shqipëria shkojnë përtej një ngjarjeje të shëmtuar. Shtrohet pyetja: Nëse rasti i Rinasit është punë gangsterash, ç’duhet thënë për vjedhjet e bujshme të thesarit të shtetit?! Kush e vodhi thesarin? Këto dhe të tjera pyetje janë ato që krijojnë perceptimin tek qytetarët të një vendi të korruptuar. Kjo është mes arsyeve pse Transparency International e radhiti Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në 2018.

Në fakt, ngaqë ngjarjet e shëmtuara kanë qenë të shumta, qytetarët kanë zhvilluar një imunitet pervers dhe indiferencë të frikshme ndaj të shëmtuarës. Për shembull, askush nuk flet më sot për grabitjet e lartpërmendura. Sikur të mos mjaftonte kjo, individët që duhet të mbanin përgjegjësi janë shpallur të pafajshëm ose janë “shpërblyer” me poste deri në majat më të larta të shtetit.

Njëri prej shqetësimeve për të cilët publiku shqiptar informohet pak ose aspak është shëndeti i institucioneve, përfshirë këtu edhe atë të Bankës së Shqipërisë, gjë që kontribuon në të parit me skepticizëm të çdo institucioni. Vjedhja që ndodhi atje para pak vitesh dhe që çoi në sagën e gjatë Fullani, na kujton se kemi të bëjmë me institucione shtetërore—ekzekutive dhe juridike—ose të paafta për të bërë detyrën ose të korruptuara. Të dyja janë të dëmshme. Për më keq, fakti që individë apo institucione të tilla fitojnë çështje gjyqësore dhe ndërkohë kokë turku bëhet ndonjë vartës, provon se institucionet mbeten problematike dhe shpeshherë edhe nën presionin e politikës. Për mbarëvajtjen e vendit, politikat monetare nuk duhen ngatërruar me përplasjet e karaktereve dhe me luftën politike.

Ka edhe një problem tjetër po aq të ngutshëm. Shqetësimi se sistemi financiar në vende të ndryshme është përfshirë në pastrim parash, ligjërimi i fondeve të fituara nëpërmjet aktiviteteve ilegale është nga më akutët. Në fakt, ka kohë që edhe Shqipëria radhitet mes vendeve më problematike. Natyra e problemit është e tillë që e bën grumbullimin e të dhënave të vështirë, por mund të them me bindje se Shqipëria është ndër vendet e preferuara të entiteteve që merren me pastrim parash. Kjo sepse sistemi i monitorimit e të ndëshkimit të këtij krimi mbetet inefektiv. Pastaj, gjithkush që ndjek zhvillimet gjeopolitike, e kupton se Federata Ruse është bërë më agresive në ndërhyrjet e saj në Ballkan. Pra, axhenda pro-sllave e Rusisë në Ballkan i shton edhe më tepër dyshimet për pastrim parash nëpërmjet bankave që operojnë në Shqipëri.

Fenomeni i pastrimit të parave mbetet problematic, madje edhe në vendet e zhvillura. Për këtë arsye, Bashkimi Europian miratoi një kornizë ligjore në vitin 2015 dhe e ka përmirësuar atë më tej. Në fakt, vendeve anëtare iu kërkohet të përshtatin direktivën 5 të Luftës Kundër Pastrimit të Parave deri në 10 janar 2020. E megjithatë, grupet kriminale kanë gjetur mënyra për t’iu shmangur monitorimit. Njëri nga rastet e bujshëm të kohëve të fundit është çështja hetimore që fokusohet në penetrimin e parave të pista ruse në tregun e pasurive të patundshme në Spanjë. Kjo çështje lidhet edhe me vdekjen e avokatit Rus Sergei Magnitsky, i cili vdiq në njërin nga burgjet ruse në vitin 2009 pasi kishte ekspozuar skema të tilla të pastrimit të parave. Autoritet spanjolle kanë ngritur akuzën se rreth 35 milionë euro janë pastruar në dekadën e fundit nëpërmjet bankave në Ukrainë, Lituani dhe Moldavi nga një grup i akuzuar për pastrim të parave.

Ka njëmijë arsye të mendosh se Shqipëria është ende më e ekspozuar ndaj fenomenit të pastrimit të parave. Së pari, e gjendur në vorbullën gati perpetuale të reformës në drejtësi, Shqipëria nuk ka institucionet e duhura për ta ndjekur dhe ndjekur ligjërisht këtë fenomen. Së dyti, krimet në rrjet kanë nevojë për partnerë, dhe gjasat janë që në një vakuum të plotë juridik, oligarkët rusë i kanë gjetur partnerët edhe në Shqipëri. Së fundmi, duhet thënë se Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave ka një rol kyç dhe duket se është duke bërë punë të mirë në koordinimin me organizma ndërkombëtarë, por në fund të fundit tagrin për të zbatuar ligjin për rastet e referuara e kanë organet e drejtësisë, të cilat janë duke iu nënshtruar një reforme rrënjësore. Lufta ndaj pastruesve të parave është e vështirë edhe kur ekzistojnë institucione të shëndetshme, por bëhet ende më e vështirë kur për arsye objektive e subjektive nuk veprohet me rastet e evidentuara.

Për ta mbyllur, ekziston një prirje për të fajësuar gjithkënd kur ndodh diçka e shëmtuar. Në këtë rast, vjedhja e Rinasit ka më shumë të bëjë me rendin publik sesa me aktivitetin që kryen Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit duhet fajësuar vetëm nëse provohet se aty ka individë të implikuar në skema grabitjeje apo pastrimi të parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë