Lajme

“Raiffaisen Bank” përfshihet në një skandal për pastrimin e parave ruse!

“Raiffaisen Bank” është përfshirë javët e fundit në një skandal të madh për pastrimin e parave ruse, me shifra që arrijnë deri në miliona dollarë. Dy raporte të Fondacionit Hermitage dhe Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit akuzojnë bankën austriake për transaksione të paligjshme me qëllim pastrimin e parave me origjinë nga Rusia

“Raiffeisen Bank” aktualisht është banka më e madhe në Shqipëri. Skandali është përhapur nga Austria në mbarë Europën, por nuk ka të dhëna për Shqipërinë.

Ai shpërtheu pasi një zyrtar i njohur europian u bëri thirrje autoriteteve të Vjenës të hetonin pastrimin e 967 milionë dollarëve nga “Raiffeisen Bank” dhe “Danske Bank”.

Bill Browder, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Hermitage” tha se banka austriake, kishte injoruar për vite të tëra paralajmërimet e zyrtarëve europianë dhe u kishte mundësuar kriminelëve rusë të pastronin fondet e dyshimta. Raporti hetimor është dërguar tanimë në Prokurorinë Publike të Vjenës nga fondacioni i njohur për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pas publikimit të këtij skandali në mars, aksionet e “Raiffeisen” pësuan rënie të vazhdueshme. Në reagimin e saj të parë, banka austriake tha se nuk ishte në dijeni të këtyre aktiviteteve të dyshimta, por se i kishte marrë seriozisht këto akuza.

Drejtori i Përgjithshëm i "Raiffeisen Bank International" Johann Strobl në një konferencë shtypi në Vjenë

"Raiffeisen i merr akuzat shumë seriozisht dhe po kryen një hetim të brendshëm," tha një zëdhënëse. Banka nuk është në dijeni të pretendimeve konkrete, por hetimet e kaluara për disa prej tyre konfirmuan se ato ishin të pabazuara”, theksoi zëdhënësja.

“Hermitage” akuzon “Raiffeisen Bank” se ka qarkulluar 634 milion dollarë, fonde të dyshuara që zotëroheshin nga biznesmenë ruse, pjesa më e madhe e të cilave kanë qarkulluar më pas edhe në bankat e tjera austriake.

Browder tha se shumë nga rusët që dërgonin paratë në llogaritë austriake kishin një sërë “karakteristikash të dyshimta” që ishin injoruar nga banka ose nuk ishin shqyrtuan siç duhet. Disa ishin kompani të panjohura pa veprimtari biznesi, të tjerë nuk justifikonin pasurinë tyre, ndërkohë që disa ishin kompani të regjistruara në juridiksione të paqarta si Ishujt e Virgjër Britanikë ose Panama.

Sipas Fondacionit “Hermitage” shumica e këtyre fondeve janë përdorur për të blerë shtëpi luksoze, jahte, çarter dhe avionë private.

"Kjo skemë e paligjshme e pastrimit të parave nuk do të kishte qenë e mundur pa neglizhencën e madhe ose pa pranimin e punonjësve të bankave austriake", thotë “Hermitage” në raportin e tij.

“Lavatriçja Trojka”

Përveç hetimit të Fondacionit “Heritage”, “Raiffaisen Bank” është përfshirë edhe në një hetim të dytë për pastrimin e parave ruse nga Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Hetimi i koduar si “Lavatriçja Trojka” arriti në përfundimin se biznesmenë rusë, disa prej të cilëve me lidhje të ngushta me Kremlinin kanë përdorur kompani offshore dhe firma personash, pa dijeninë e tyre, për të pastruar para në Europë dhe SHBA. Ata kanë transferuar 5 miliardë euro në bankat perëndimore përmes një rrjeti kompanish guaskë.

Në qendër të skandalit është Reuben Vardanyan, një bankier i pasur armen, Drejtor Ekzekutiv dhe partneri kryesor i bankës Trojka Dialog. Vardanyan pretendon se ai nuk kishte dijeni për skandalin e pastrimit të parave, pavarësisht se në atë kohë e drejtonte bankën.

Paratë u transferuan nga Rusia nëpërmjet bankës “Trojka Dialog" drejt disa bankave të tjera, përfshirë edhe Raiffeisen Bank dhe Deutsche Bank.

“Raiffasen” thuhet edhe se ka furnizuar me para shumë miq të Presidentit Putin, duke përfshirë edhe kumbarin e njërit prej djemve të tij, i cili akuzohet se mban para në emër të tij.

Skema e pastrimit të parave i mundësoi elitës ruse të shmangte sanksionet, të shmangte taksat, të bënte investime të fshehta dhe, natyrisht, të pastronte paratë nga krimi i organizuar dhe nga aktivitete të tjera të paligjshme.

Paratë u përdorën më pas për të financuar festa luksoze, për të blerë jahte të mëdhenj, për të investuar në prona në Britaninë e Madhe dhe në Mal të Zi, madje edhe për t’i bërë dhurime fondacioneve të bamirësisë të menaxhuara nga Princi Çarls.

OCCRP thotë se identiteti i personave që kanë përfituar nga shumat e mëdha të parave nuk është zbuluar ende, por thekson se deri në mars janë bërë mbi 1.3 milionë transaksione bankare nga 238 mijë persona dhe kompani.

Të pushtetshmit e përfshirë në këtë skemë kanë përdorur persona të cilët firmosin pa e pasur idenë se po ndihmonin në pastrimin e parave. Një ndër personat e përdorur, i cili kishte nënshkruar kontrata dhe marrëveshje huaje në miliona euro, u zbulua se ishte një punëtor i thjeshtë armen, që ende jeton në shtëpinë e prindërve të tij.

Pastrimi i parave ruse në Europë

Edhe pse më e njohura për publikun shqiptar, “Raiffaisen Bank” , nuk është vetëm një nga bankat europiane ndaj të cilave po hetohet për pastrimin e parave

Banka të tjera europiane që akuzohen për transaksione të dyshimta që përfshijnë paratë ruse janë “Swedbank , “Danse Bank”, grupi finlandez i shërbimeve financiare “Nordea” dhe letonezja “ABLV Bank”. Kjo e fundit u akuzua për pastrimin e parave të institucionalizuara, por banka e parë e madhe e cila ishte marrë në pyetje lidhur me aktivitetet e paligjshme ruse ishte “Danske Bank” në vitin 2017.

Ky hetim nxori “zbuluar” edhe bankat e tjera europiane dhe ka përfshirë edhe huadhënësit ndërkombëtarë si “Deutsche Bank”, “Bank of America” dhe “JPMorgan Chase”, të cilat kanë monitoruar shumë nga transaksionet e dyshuara të “Danske”.

Hetimet ndaj “Raiffaisen” dhe bankave të tjera janë ende në zhvillim e sipër, por edhe pse mund të duhen muaj që rregullatorët dhe përmbaruesit të përcaktojnë nëse ndonjë nga akuzat është e vërtetë, ekspertët thonë se surprizat nuk do të ndalen këtu.

Moske

Siç shpjegon analisti Gregory White, pas kalimit në sistemin kapitalist, qindra miliardë dollarë u shpërndanë nga Rusia në det të hapur dhe Europë. Sipas tij, ajo që është interesante është se shumica e bankave të akuzuara për pastrim të parave ruse kanë filiale në bankat baltike ose në vende ku kontrollet financiare janë të dobëta.

Një ekip hulumtuesish zbuluan në vitin 2017 se pasuria e Rusisë në det të hapur dhe bankat europiane është rreth 1 trilionë dollarë, ose ekuivalente me tre të katërtat e PBB-së së vendit. Sipas rregullatorëve, shumë banka europiane hapnin llogari për individë dhe kompani të bazuara në Rusi (të quajtura 'portofole jo-rezidenciale') duke mos pyetur kush ishin këta individë dhe cili ishte burimi i parave të tyre.

Whitë thotë se hetimi ndaj “Raiffaisen”, “Dankse” apo “Nordeas” është një detyrë e vështirë për shkak të taktikave të biznesmenëve rusë për të fshehur origjinën e parave të tyre dhe faktin se jo çdo transaksion që duket i dyshimtë është në të vërtetë i paligjshëm.

Megjithatë ky skandal ka pasur jo pak pasoja për bankat që janë vënë nën hetim. Aksionet e “Danske” përgjysmuan vitin e kaluar, pasi banka austriake pranoi se 200 miliardë euro nga ish-shtetet sovjetike kishin kaluar nëpër degën e saj në Estoni gjatë një periudhe nëntëvjeçare.

Swedbank humbi një të pestën e vlerës së saj muajin e kaluar pasi televizioni kombëtar suedez raportoi se 5.8 miliardë dollarë ishin transferuar nga Swedbank dhe Danske, edhe pse klientët në fjalë hetoheshin prej kohësh nga autoritetet europiane për pastrim parash.

Burimet: "Financial Times", "OCCRP", Fondacioni "Heritage", "Blomberg"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë