Para

80% e bizneseve kanë borxhe sa gjysma e kapitalit të tyre

Raporti i Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit zbulon se bizneset vazhdojnë të bartin një borxh që shkon sa gjysma e kapitalit të tyre.
Bizneset në përgjithësi, por ato të vogla në veçanti, përballën me vështirësi si aksesi në financim, konkurrenca, gjetja e tregut dhe shitjet.

Të dhënat e vrojtimit tregojnë se vlera totale e huasë rezulton afërsisht sa gjysma e vlerës së kapitalit të ndërmarrjes për 76% të ndërmarrjeve huamarrëse (1200 ndërmarrje kampioni i vrojtuar), dhe e barabartë ose më e madhe se vlera e kapitalit për 24% të tyre.
Raporti hua/kapital ka rezultuar më i lartë dhe në rritje te ndërmarrjet e mesme, ku rreth 27% e tyre shprehen se ky raport është i barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit, duke nënkuptuar një ngarkesë më të lartë me borxh të tyre.

Borxhi është më i lartë tek ndërmarrjet e sektorit të tregtisë dhe të industrisë. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve huamarrëse (72%) deklarojnë se pagesa e huasë arrin deri në 20% të të ardhurave të ndërmarrjes, dhe kjo peshë ka rënë me 2 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës.

Barra e pagesës së borxhit rëndon më shumë tek ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme, ku numri i ndërmarrjeve që raportojnë se ajo tejkalon 20% të të ardhurave, zë respektivisht 29% dhe 30% të totalit të grupit, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha kjo peshë arrin në 28%.
Të pyetura nëse pagesa e huasë ka ndryshuar gjatë periudhës, shumica e ndërmarrjeve (98% e ndërmarrjeve të vogla, 96% e ndërmarrjeve të mesme dhe 93% e atyre të mëdha), pohojnë që ky shpenzim ka mbetur i pandryshuar, ndërsa pjesa tjetër tregon rritje të shpenzimit për huatë gjatë gjysmës së parë të vitit. Por shpenzimi për hua ka mbetur i pandryshuar për ndërmarrjet e mëdha.

Kërkesa për kredi e bizneseve, ndërmarrjet e vogla më të interesuara
Kërkesa për kredi e bizneseve në gjashtëmujorin e ardhshëm, sipas përgjigjeve të ndërmarrjeve lidhur me planifikimin e huamarrjes nga bankat, është në rritje. Rreth 54% e totalit të ndërmarrjeve planifikojnë marrjen e një kredie të re në gjysmën dytë të vitit 2019 dhe kjo peshë është rritur krahasuar me periudhën e kaluar për të tri grupet e ndërmarrjeve.

Indeksi i planifikimit të kredimarrjes për gjashtëmujorin e ardhshëm ka rezultuar në rritje për totalin e ndërmarrjeve, duke shfaqur mundësinë e rigjallërimit të kërkesës së tyre për kredi, por kjo prirje është më e shprehur në grupin e ndërmarrjeve të vogla.
Gjatë gjsymës së parë të vitit, ndërmarrjet e vrojtuara raportojnë se konkurrenca dhe gjetja e tregut mbeten sfidat kryesore për aktivitetin e tyre. Rëndësia e këtyre faktorëve vlerësohet disi në rritje nga ndërmarrjet e vogla, por në zbutje nga ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha. Problematikat lidhur me aksesin në financim vlerësohen në rritje te ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha, dhe në zbutje tek ato të mesme.

Ecuria e shitjeve dhe e rezultatit financiar gjatë periudhës vlerësohet në rënie te ndërmarrjet e vogla dhe në rritje te ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha.
Krahasuar me periudhën e kaluar, këto zëra kanë pasur prirje rënëse tek të tre grupet e ndërmarrjeve.

Sipas BSH-së, të tre grupet e ndërmarrjeve duket se kanë rritur përpjekjet për zgjerim të veprimtarisë së tyre. Rritja e shpenzimeve për zgjerimin e veprimtarisë mund të ketë ndikuar në rënien e rezultatit financiar gjatë periudhës, por mund të sjellë një përmirësim në të ardhmen, gjë që mbështetet dhe nga pritshmëritë positive të tre grupeve të ndërmarrjeve lidhur me ecurinë e shitjeve, të rezultatit financiar dhe investimeve në pjesën e dytë të vitit 2019.

Gjatë periudhës, më shumë se gjysma e totalit të ndërmarrjeve që janë përgjigjur deklarojnë se e kanë financuar veprimtarinë e tyre përmes shitjeve. Mbështetja vetëm në këtë burim ka rënë për të tre grupet e ndërmarrjeve, ndërkohë që vijon të rritet prirja për të kombinuar disa burime financimi.

Huamarrja si burim më vete apo i kombinuar me burime të tjera, është përdorur nga 19% e totalit të ndërmarrjeve të mëdha, 16% e ndërmarrjeve të mesme dhe 8% e ndërmarrjeve të vogla.

Rreth 38.6% e totalit të ndërmarrjeve që janë përgjigjur (436 ndërmarrje gjithsej) deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar, të marrë nga burime të ndryshme, dhe kjo peshë ka rënë me 3.5 pikë përqindjeje në terma 6-mujorë dhe me 3.8 pikë përqindjeje në terma vjetorë, e ardhur nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Rreth 88% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se i janë drejtuar vetëm sektorit bankar si burim huamarrjeje, ndërsa 6% e tyre e kanë kombinuar këtë burim dhe me burime të tjera. Pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë hua nga bankat është rritur me 4 pikë përqindjeje krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2018 dhe me 1 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.

Për totalin e burimeve formale (banka dhe institucione financiare jobankare), pesha e ndërmarrjeve huamarrëse arrin në 95% të totalit të ndërmarrjeve që janë përgjigjur, dhe ka shënuar rritje krahasuar me periudhën e kaluar dhe me një vit më parë.

Gjatë periudhës, huamarrja në valutë (kryesisht në euro) rezulton më e përdorur nga ndërmarrjet e mëdha (51% e tyre) dhe më pak te ndërmarrjet e vogla (44% e tyre).
Krahasuar me një gjashtëmujor më parë, pesha e ndërmarrjeve që kanë hua në valutë ka rezultuar në rënie në grupin e ndërmarrjeve të vogla (me 3 pikë përqindjeje) dhe atyre të mëdha (me 3 pikë përqindjeje), ndërsa ka shënuar një rritje të lehtë (me 1 pikë përqindjeje) në rastin e ndërmarrjeve të mesme.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve e konsideron të përshtatshëm nivelin aktual të huamarrjes për financimin e veprimtarisë.

Procesi i huamarrjes nga bankat vijon të vlerësohet midis nivelit “normal” dhe “I vështirë”. Krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018, niveli i vështirësisë së huamarrjes vlerësohet në zbutje për ndërmarrjet e mesme dhe në rritje për ato të vogla dhe të mëdha. Rëndësia e marrëdhënieve me bankat vlerësohet midis nivelit “të rëndësishme” dhe “të domosdoshme”. Gjatë periudhës, ky vlerësim ka shënuar rënie për të tre grupet e ndërmarrjeve, por rënia është më e theksuar në rastin e ndërmarrjeve të vogla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë