Shendet

5 mijë gra jetojnë me tumorin e gjirit në Shqipëri, 710 raste të reja vitin e kaluar, mbi 50-vjeç mosha e riskut

Nga Gazeta Si- “Ishte dhjetor, prag festash. Ndjeja gëzim në vete, sepse gjërat po më shkonin mirë si në planin personal dhe biznesin familjar, ku kishim disa vite që po e zhvillonim në vendlindje, në Shqipëri. Por fryrja e gjirit s’po më pëlqente teksa një ditë “më shpërtheu” infeksioni dhe atëherë ndjeva se diçka nuk shkonte mirë”.

Kështu nis rrëfimin për veten, Linda 48-vjeç që jeton prej 25 vitesh në Vimercate, provinca e Monzës në Itali.

Nëna e dy fëmijëve, një djalë e një vajzë nuk e dinte deri atëherë se jeta do t’i merrte rrjedhë tjetër.

Menjëherë pas ekzaminimit, mjekët i pohojnë se është prekur nga tumori në një prej gjinjve. Nisja e terapisë ishte e menjëhershme dhe seancat e kimios zgjatën plot 6 muaj.

Linda tregon për Gazetasi.al se përkujdesja e mjekëve në një nga spitalet e njohura onkologjike të Milanos ishte mbresëlënëse.

“E rritur në një vend si Shqipëria, ku kisha dëgjuar shumë histori për sistemin shëndetësor publik, bëja krahasimin e trajtimit të sëmundjes këtu në Milano me QSUT dhe me vete ndjehesha e privilegjuar nga vëmendja e stafit të spitalit”, thotë 48-vjeçarja.

Linda thotë se seancat e kimios ishin të vështira, në ditët e para ajo nuk pranonte njeri afër e më pas derisa e merrte veten, nuk lejonte ti futeshin njerëz në dhomë.

Por gjatë kësaj periudhe, spitali ofronte shërbimin psiko-social ku ajo fliste gjerë e gjatë për gjendjen shpirtërore dhe merrte nga mjekët këshilla se si duhet ta kalonte këtë fazë të rëndësishme të terapisë.

“Për mua ishte lehtësim i madh pasi si natyrë nuk qahem dhe nuk dua mëshirë. Nuk kam lejuar asnjë nga familjarët të më rrinë afër në ditët e para të terapisë kur kisha shqetësime si të vjella, dhimbje koke të forta, mungesë oreksi. Gjatë kësaj periudhe të vështirë të jetës, ndihmë kam patur hobet e mia, piktura dhe muzika. Me pikturën jam marrë që fëmijë dhe në këto muaj kam bërë punime më shumë se ç’kam bërë vite me radhë. Atje gjeja paqen e forcën e brendshme shpirtërore për ta kaluar këtë moment”, thotë Linda.

Po si e përjetojnë pacientet që jetojnë në Shqipëri dhe që vuajnë njëlloj si Linda nga tumori i gjirit?

Në Shqipëri, pacientet me tumorin e gjirit pa mjekimin e duhur dhe me probleme sociale e psikologjike

Në Shqipëri rreth 5 mijë gra jetojnë me sëmundjen e tumorit të gjirit, i cili prej vitit 2015 është rritur sipas statistikave të ISHP, me rreth 9%.

Eksperti i shëndetit publik Alban Ylli thotë për Gazetasi.al se në vitin 2022 u diagnostikuan 710 gra me kancer të gjirit në të gjithë vendin ose 50.7 për 100,000 gra me një rritje prej rreth 9% krahasuar me vitin 2015.

Sipas të dhënave të regjistrit kombëtar të kancerit të gjirit, prej vitit 2017 numri i rasteve të reja të diagnostikuara për herë të parë në të gjithë vendin ngelet rreth 710-720 në vit.

Por kanceri i gjirit është përgjegjësi kryesor i vdekjeve nga kanceri tek gratë, me rreth 16% të të gjitha shkaqeve të sëmundjeve tumorale dhe 6% ndaj totalit të vdekjeve nga tumoret.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP, në vitin 2022 u regjistruan vetëm 192 vdekje nga kanceri i gjirit ose 13.7 per 100 mijë gra. Ndërsa në vitin 2021 pati 225 vdekje (15.9 për 100 mijë gra). Por raporti i fundit i KLSH për aktivitetin e spitalit onkologjik në QSUT zbuloi situatë të rëndë që lidhej me mungesë shërbimesh dhe përcaktimi të shpejtë të diagnozës, çka ka ndikuar në rëndimin e gjendjes shëndetësore të pacienteve të prekura me tumor të gjirit.

“Unë e zbulova pak vonë tumorin e për këtë arsye m’u desh të ndiqja disa seanca kimio terapie. Shqetësimi im ishte gjetja e shpejtë e diagnozës dhe nisja e kurës sa më parë. Me njohjet e mia dhe të familjes, u shtrova në spitalin onkologjik, edhe pse më parë e dija se atje kishte në listë pritje shumë paciente. Medikamentet e kimioterapisë nuk ishin të gjitha të disponueshme dhe për këtë u desh t’i blija privatisht.

Nëse do të përllogaris kostot e terapisë, janë shumë para të hedhura për mjekim. Prej dy vitesh konsiderohem si paciente e pastër por rreziku për rikthimin e tumorit mbetet prezent”, tregon Fabiola, 44-vjeç, punonjëse në një zyrë marketing në Tiranë dhe nënë e 2 vajzave të vogla.

KLSH në raportin e publikuar në gusht, mbi auditin e kryer në spitalin onkologjik të QSUT, thotë se 200 paciente nuk u trajtuan me shërbimin radioterapi për shkak të mosfunksionimit të aparatit të Ortovoltazhit, ndërsa  Brakiterapia nuk është funksionale përgjatë gjithë periudhës së auditimit.

Pas disa kërkesave, më në fund drejtoria e QSUNT-së ka dërguar një aparat të ri donacion nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në janar të këtij viti, por raporti vlerëson se aparati nuk ishte instaluar ende dhe pengohet nga procedurat burokratike të institucionit.

KLSH konstaton se mungojnë dhe pajisje të tjera me rëndësi në trajtimin e sëmundjeve tumoriale si; tubusat e aparatit të shiringës elektrike; pompa; maskat termoplastike individuale.

Sigurimi i diagnozës dhe trajtimi i shpejtë i kancereve, sfidë e sistemit

Nga ana  e ministrisë së Shëndetësisë, pranohet se vdekshmëria e parakohshme në Shqipëri duhet të ulet 30-69 vjeç nga kanceret dhe vdekshmërisë së standardizuar nga kanceret me rreth 1-2% çdo vit.

Gjithashtu, shërbimet publike duhet të plotësojnë nevojën e mjeteve diagnostike (radiologji, anatomopatologji etj) dhe trajtimet bazë (medikamente, ndërhyrje kirurgjikale, radioterapi etj) për kanceret kryesore.

Sipas të dhënave zyrtare nga ISHP, shtrimet në spital lidhur me  kancerin e  gjirit për periudhën 2015-2021 praktikisht janë dyfishuar; nga 4665 shtrime në vitin 2015 në 10785 në vitin 2021.

Risku për tu diagnostikuar nga kanceri i gjirit rritet me moshën deri në 70-vjeç. Risku maksimal është në moshën  50 deri 70-vjeç. Pas kësaj moshe vërehet një rënie.

Mosha mediane e rasteve të reja në momentin e diagnozës është rritur me 3.5% në 7 vitet e fundit. Nga 55 vjeç në vitin 2015 në 57 vjeç në vitin 2022.

Incidenca është më e lartë në qarqet e Beratit, Fierit dhe Vlorës dhe më ulët në qarqet e Kukësit, Dibrës, Durrësit dhe Shkodrës.

Ndërkohë, në vendin tonë nga rreth 5000 mamografi të kryera në 2014, është arritur në mbi 25000 mamografi të kryera në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë