Mendim

30 qershori, faktorët që ndikuan në pjesëmarrjen më të ulët në histori

Zgjedhjet lokale në Shqipëri vijojnë të kenë vëmendjen e zgjedhjeve të përgjithshme politike, megjithëse do të duhej të ishin “më shumë me fokusim lokal sesa politik” dhe si një test politik në prag të zgjedhjeve periodike parlamentare. Për shkak se zgjedhjet parlamentare e lokale kanë të njëjtën strukturë organizimi, – zhvillohen në nivel kombëtar, në një datë dhe me angazhim të plotë të partive dhe liderëve kryesorë politikë, – ka qenë e mbetet e vështirë të bëhen dallime midis tiparit “lokal” e “parlamentar”. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, kur qytetarët humbën edhe mundësinë për të zgjedhur direkt një pjesë të deputetëve, të vetmit zyrtarë politikë në Shqipëri që zgjidhen direkt janë kryetarët e bashkive. Me reformën administrative të vitit 2014 numri i të zgjedhurve direkt është reduktuar në 61 persona nga më shumë se 2.5 mijë persona që drejtojnë në parlament, qeveri, institucione të larta politike, qark, këshilla bashkiakë, etj.

Në diskursin e zgjedhjeve lokale 2019 një vend të rëndësishëm mori debati mbi pjesëmarrjen në zgjedhje. Për shkak se opozita nuk ishte pjesë e procesit zgjedhor as në konkurrim dhe as në administrim, atëherë shifrat zyrtare të dhëna nga mazhoranca për veten e saj, pritej të shiheshin me kontestime. Debatin e thelloi KQZ, organ i cili disa orë pas mbylljes së votimit deklaroi se nga të dhënat paraprake është arritur të kalkulohet se pjesëmarrja në votime është 21.6%. Të nesërmen KQZ ndryshoi pozicion dhe debati mbi pjesëmarrjen u bë pjesë e debatit politik në vend. Më 3 korrik KQZ deklaroi zyrtarisht se nga të dhënat paraprake të raportuar nga KZAZ-të në sistemin elektronik të të dhënave të KQZ-së, rezultoi se kanë marrë pjesë në votime 812.249 zgjedhës, ose 22.97 % e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për Kryetar bashkie sipas KQZ është 765.825, ndërsa për këshill bashkiak, 760.933. Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986, ndërkohë që në këto të dhëna mungojnë numri i fletëve të votimit të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar. Shifra e pjesëmarrjes 22.97% ishte 1.34% më e lartë sesa deklarimi i të dhënave të para të KQZ.

Debati për pjesëmarrjen nuk ka ndonjë vlerë të madhe në rezultatin final, nëse nuk analizohen si janë reflektuar votat në kuti dhe në dokumentacionin zgjedhor. Kontestimet vetëm sa provojnë atë që tashmë dihet, nivelin e lartë të informalitetit në zgjedhje dhe mungesën e plotë të besimit dhe efektivitetit të administrimit zgjedhor nga komisionerët politikë dhe partitë politike. Megjithatë, duke marrë të mirëqenë shifrat e raportuara nga KQZ, si i vetmi institucion zyrtar përgjegjës për zgjedhjet dhe për shkak se ka më shumë besueshmëri sesa të dhënat e partive politike (PS pretendon për pjesëmarrje më të madhe, kurse opozita për pjesëmarrje nga 15%-18%), tabela bashkëngjitur këtij shënimi ilustron pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale nga 1992. Siç shihet nga tabela, edhe pjesëmarrja 22.97% përfaqëson 48% të pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015. Pra, bazuar në të dhënat e vitit 2015, 22.97% kanë marrë pjesë në votime dhe 24.33% kanë bojkotuar procesin, rreth 1.36% më shumë sesa ata që morën pjesë. Referuar zgjedhjeve të para lokale të korrikut 1992 pjesëmarrja më 2019 është rreth 47.7% më e ulët, ndërkohë që pjesëmarrja tjetër më e ulët është shënuar në vitin 2003 me 45%, zgjedhje në të cilat gjithashtu pati kontestime dhe në Tiranë pati përsëritje të rreth 115 qendrave të votimit.

Pjesëmarrja ndër vite e votuesve

Pjesëmarrja në zgjedhje në Shqipëri ndikohet nga tre faktorë: e para, votues realë me potencial pjesëmarrjeje në zgjedhje janë rreth 67-70% e votuesve totale në Regjistër; e dyta, sondazhet tregojnë se partitë politike kanë rreth 380 mijë anëtarë, të cilët me familjet e tyre zënë peshën kryesore në numrin total prej 1.6-1.8 milionë pjesëmarrës në zgjedhje, dhe e treta, pjesëmarrje të lartë ka vetëm në rastet kur ka potencial për konkurrencë reale midis kandidatëve dhe personaliteteve politike, siç ndodhi p.sh në 2011, ku për shkak të konkurrencës së fortë në Tiranë dhe disa bashki të tjera pati rritje prej 4% pjesëmarrje me zgjedhjet lokale dhe 2% nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Për këto arsye pjesëmarrja e lartë dhe e ndërgjegjshme sigurohet vetëm atëherë kur të kemi një Regjistër të saktë Zgjedhësish, të kemi më shumë votues sesa anëtarë të partive politike (+familjet e tyre) dhe kur sistemi zgjedhor të jetë de facto konkurrues dhe me alternativave reale zgjedhore.

*Material i Institutit të Studimeve Politike


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë