Mendim

27 propozimet kundër krizës: Plan ‘Draghi’ edhe për Shqipërinë

Një grup akademikësh, por edhe profesionistësh dhe intelektualësh të fushave të ndryshme nga Ekonomia, Financat, Epidemiologjia etj, ka përgatitur një raport në lidhje me krizën që po përjeton Shqipëria si pasojë e Covid-19.

Platforma me 27 propozime në formën e aksioneve është e ndarë në dy faza: A) Përballja me emergjencën dhe B) masa afatgjata për ringritjen ekonomike.

Akademikët mendojnë se Shqipërisë i duhet një Plan Draghi.

“Qasja që, ne mendojmë duhet mbështetur, përmblidhet me shprehjen e famshme tashmë të ish guvernatorit të Bankës Europiane Mario Draghi, “Whatever it takes”, pra përdorimi i çdo instrumenti për të mbështetur firmat dhe punonjësit, prodhimin e brendshëm dhe konsumin. Intensiteti i ndërhyrjes do të varet nga kohëzgjatja e krizës”- citohet në raport.

Akademikët sugjerojnë se duhet shfrytëzuar ky moment për të forcuar dhe krijuar institucione të përshtatshme me realitetin e ri. Banka e Zhvillimit dhe incentivimi i bursës nuk janë më të anashkalueshme.

Masat e propozuara, sidomos ato me efekte në afatgjatë janë të vlefshme nëse aplikohen në tërësi

dhe nuk shtrembërohen nga qëllimi i tyre. Psh. amnistia do të ketë kuptim nëse aplikohen masat

kompensuese si humbja e të drejtës së përfaqësimit në politikë dhe postet e drejtimit, pasi në këtë

mënyrë zvogëlon koston shoqërore të diskriminimit të bizneseve dhe individëve që kanë respektuar rregullat.

Incentivimi i sektorëve të ekonomisë do të bëhet duke patur parasysh sigurimin e likuiditetit,

mbështetjen e punësimit dhe konsumit por, në aftagjatë, qëndrueshmëria dhe suksesi I ekonomisë do të varet nga përmirësimi i pozicionit të saj ndaj pjesës tjetër të botës, ndaj konkurrentëve direktë në rajon vecanërisht, duke patur si efekt uljen e dizavancës tregtare. Në kohën e inovacionit dhe të industrisë 4.0, kjo nuk arrihet me koston e ulët të krahut të punës por, me aftësimin e punonjësve dhe shfrytzimin e avantazheve të krahasuara. Ndaj, duhet menduar që tani për investime të rëndësishme në arsim dhe sektorë inovativë, përvec sektorëve tradicionalë si bujqësia e turizmi.

Nevojave të imponuara më sipër duhet t’u përgjigjet një administratë në nivelin e situatës, por kjo do të arrihet vetëm nëse hallkat e gjithë sistemit administrativ do të mbajnë përgjegjësi civile për neglizhencën apo për vendime të “gabuara.

Referuar konkluzioneve të raportit të përbashkët të akademikëve, Shqipëria është vendi i fundit në rajon që përfiton projekte/grante të BE e më gjerë ndaj dhe është imperative përmirësimi i kapacitietit përthithës të fondeve/granteve të huaja me krijimin e strukturave të posacme të paraqitura në dokument.

Masat emergjente të propozuara

≠ Propozimi 1 - Emetimi i obligacioneve në lekë për koronavirusin.

Emetimi i tyre do të siguronte burime monetare të konsiderueshme duke konsideruar nivelin e

depozitave në banka. Megjithë interesat më të larta që do të kërkohen për shkak të krizës mund të sigurohet një kosto më e ulët e interesit të tyre duke aplikuar ulje të taksave për maturime mbi 5 vjecare. Gjithashtu për obligacionet me afat maturimi mbi 7 vjet vlen amnistia fiskale.

≠ Propozim 2 – Duhet patur një qasje pozitive me biznesin dhe duhen aprovuar propozimet e shoqatave të biznesit.

≠ Propozimi 3 – Pagesë e plotë e pagës për punonjësit e bizneseve të mbyllura,

≠ Propozimi 4 – Tu sigurohet një e ardhur minimale kryefamiljarëve, për person, nëse nuk rezultojnë të punësuar.

≠ Propozimi 5 – Të eliminohet parapagimi i tatim fitimit për biznesin e vogël dhe të shtyhet e rishikohet për biznesin e mesëm dhe të madh.

≠ Propozimi 6 – Për personat që nuk janë të siguruar duhet t’u lihet hapësira firmave t’i deklarojnë pa sanksione në mënyrë që të hyjnë në format e financimit.

≠ Propozimi 7 – Kreditë mbi kapitalin qarkullues si dhe overdraftet duhen rinovuar automatikisht dhe pa interesa shtesë.

≠ Propozimi 8 – Për financimet pjesë e paketës së garancisë interesat max duhet të jenë 0.5%.

Një normë më e lartë nuk ka kuptim për një kredi të sigurtë.

≠ Propozim 9 – Të shtyhen të gjitha pagesat e tatimeve që nga muaji Mars.

Kjo pasi në të kundërt do të kemi firmat që do të pezullojnë aktivitetin e tyre duke shkaktuar një dëm edhe më të madh në ekonomi. Kjo nuk vlen nëse ke marrë çfarëdo lloj tjetër financimi për krizën.

≠ Propozim 10 – Duhet pezulluar pagesa e qerasë për bizneset me rimbursim të qiradhënësit.

Rimbursimi duhet të bëhet mbi një normë në përqindje mbi totalin. Masa e rimbursimit të

qiradhënësve duhet të konsiderojë nëse pronari ka burime të tjera fitimi dhe nëse nuk ka pagesa kredie mbi pronën e dhënë me qera. Në këto raste rimbursimi duhet të bëhet i plotë.

≠ Propozim 11 – Qeveria shqiptare (institucionet e pushtetit qëndror dhe lokal) duhet të likuidojë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private brenda muajit prill 2020, duke shlyer të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike, që nuk janë të anulluara, me apo pa rishikim buxheti.

≠ Propozim 12 – Rimbursim automatik i TVSH-së kreditore dhe kompensimi me detyrime të tjera tatimore qofshin këto edhe të periudhës virale dhe/ose kompensim me detyrimet tatimore të fornitorëve të shoqërive kreditore te TVSH-së.

≠ Propozim 13 – Njohja si shpenzim i zbritshëm i të gjithë shumës dhe për të gjitha donacionet që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës covid-19. Kjo nuk duhet të kufizohet me kalimin e shumës nëpërmjet thesarit.

≠ Propozim 14 – Të përjashtohet biznesi Bar-Restorant-Hoteleri nga taksa e reklamës për 5 muaj dhe të aplikohet pagesë me këste për detyrime të tjera të mëparshme për një kohë prej 36 muajsh.

≠ Propozim 15 – Incentivim i transportit të mallrave, personave dhe turizmit me vendet e rajonit. Fazat e hapjes, për sa i përket transportit, do të ishte mirë të përkonin midis vendeve të rajonit nga të cilat buron numri më i lartë i turistëve. Nëse do të aplikohej një incentivë mbi çmimin e paguar prej shoqërive të turizmit kjo do të shërbente si një shtysë e fortë për tërheqjen e turistëve.

≠ Propozim 16 – Përcaktimi i modeleve për marrjen e masave mbrojtëse ndaj virusit dhe aplikimi i tyre nga biznesi.

Masat afatgjata

≠ Propozim 17 – Publikimi i Planit të Aksionit sipas skenarëve të parashikuar për përballimin e krizës dhe i Planit strategjik për rimëkëmbjen e ekonomisë.

≠ Propozimi 18 – Krijimi i një komisioni mbarëkombëtar ekonomik ku të përfshijë edhe përfaqësues të tjerë nga opozita, shoqëria civile dhe Diaspora.

≠ Propozimi 19 – Krijimi i një fondi/banke kombëtar/e të zhvillimit

Banka do të krijohet me kapital të injektuar nga qeveria, investime të tjera dhe me masën monetare të përftuar prej aplikimit të një amnistie të plotë të parasë. Kjo bankë mund të kreditojë bizneset në sektorët prioritarë, duke u blerë Obligacione Korporate, ose duke garantuar emetetimin e këtyre obligacioneve nga biznesi.

≠ Propozimi 20 – Amnisti totale të parasë së padeklaruar për një periudhë të caktuar për shtetasit shqiptarë.

Në këtë mënyrë kapitali i paregjistruar do të pushojë së ushqyeri ekonominë në të zezë dhe nxitur

ineficiencat e sistemit. Amnistia e kësaj forme të kapitalit, që ka prekur cdo nivel, nuk do të vazhdojë të devijojë tregjet dhe as do të pengojë zhvillimin normal të sektorëve ekonomikë, si pasojë e asimetrive informative dhe nxitjes së theksuar të “moral hazard”.

Që amnistia të ketë sukses duhet të jetë e plotë, e aplikuar një herë të vetme, me ashpërsim të

penaliteteve të mëvonshme, si edhe me kompensim të eksternaliteteve negative.

Nga ajo do të përfitojnë dy kategori, bizneset dhe individët. Mbi biznesin, do të aplikohet për gjendjet e padeklaruara të magazinës një kosto 15% e vlerës së deklaruar, për gjendjet e tjera që lidhen me arkën, kredinë dhe kapitalin një kosto 7%; ndërsa për individin ky penalitet do të jetë 20%-30%

≠ Propozimi 21 – Humbja e të drejtës së përfaqësimit në administratë dhe në cfarëdo pozicioni drejtues të individëve që përfitojnë nga amnistia.

≠ Propozimi 22 – Mosaplikimi i efekteve dhe sanksioneve mbi shumën e amnistuar

Për cfarëdo dënimi të mëvonshëm dhe për cdo rast të parashikuar në ligjet e tjera shuma e amnistuar nuk duhet të preket dhe as të përbëjë indicie apo element prove, nëse kapitali i siguruar në këtë mënyrë nuk transformohet në cash, për të paktën tre vite për individët dhe një vit për bizneset.

Megjithatë, për veprat e korrupsionit, evazionit, pastrimit të parave etj, nevojitet një ashpërsim I sanksioneve menjëherë pas amnistisë.

≠ Propozimi 23 – Evidentimi i përgjegjësisë civile të nëpunësve administrativë dhe ashpërsimi i sanksioneve ndaj tyre.

≠ Propozim 24 – Përdorimi i Bankës së Shqipërisë si Huadhënësi i Fundit

≠ Propozim 25 – Ndryshimi i Ligjit të Bankës së Shqipërisë për të përfshirë në obiektivat e saj dhe punësimin.

≠ Propozim 26 – Ringritja e Bursës së titujve

≠ Propozimi 26.1– Të incentivohen bizneset qe i drejtohen tregut të kapitaleve për të kërkuar fonde duke u listuar në Bursë.

Kjo do shkarkonte nga Qeveria presionin e biznesit për fonde, dhe do i orientonte ata drejt mekanizmit të tregut, nëpërmjet shitjes së aksioneve apo obligacioneve korporative të huamarrjes.

≠ Propozimi 26.2 – Të mundësohet krijimi i një tregu të brendshëm FOREX te paanshëm e transparent në Bursë.

Kjo do të amortizonte rrezikun e volatilitetit të lartë të kursit të këmbimit në tregun vendas, duke mos lejuar manipulimin e tij si dhe duke mbrojtur qytetarët nga zhvlerësimet apo ndikimet negative te operatorëve të caktuar (kryesisht operatorë të mëdhenj). Një treg valutor i brendshëm e transparent dhe i pa-anshëm do t’i jepte Bankës së Shqipërisë mundësinë që të kishte një politikë monetare më efikase nëpërmjet Operacioneve të Tregut të Hapur.

≠ Propozimi 27 – Formimi i një organizmi qendror që do të asistojë institucione shtetërore në hulumtimin e fondeve/granteve të huaja/BE të lidhura me implementim projektesh


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë