Histori

20 vjet pas masakrës së Reçakut, Kosova lutet ende për drejtësi

Njëzet vjet pasi forcat serbe vranë 44 vetë në Reçak të Kosovës, të mbijetuarit ende presin drejtësinë ndërsa historianët kujtojnë një pikë kthese në një luftë të përgjakshme. Bilal Avdiu ecën në një rrugicë të ngushtë të fshatit Reçak, duke kaluar në vendin ku forcat serbe e kapën gati dy dekada më parë. 72-vjeçari shpëtoi mrekullisht nga vdekja bashkë me një tjetër bashkëfshatarin e tij në vitin 1999, kur forcat serbe hynë në fshat dhe vranë 44 nga fqinjët e tij.
“Unë dhe shumica e fqinjëve të mi ishin mbledhur në një fermë. Ishim gati 40 veta,” thotë ai. “Kur arritën forcat serbe, na nxorrën jashtë , na shtrinë në tokë dhe filluan të na rrahin, ndërkohë disa prej tyre flisnin në radio dhe thonin “Ku duhet t'i vrasim ata, këtu apo lart në kodër?,”thotë Avdiu.
Policia i urdhëroi të ngjiten në kodër ku kishin planifikuar ekzekutimin, ndërkohë që një skuadër paramilitarësh priste atje. Forcat serbe të sigurimit hynë në fshat dhe bastisën shtëpitë një nga një. Disa banorë vendas u përpoqën të fshiheshin, por u zbuluan dhe u vranë. Vdiqën 44 fshatarë atë ditë.

Bilal Avdiu

Serbia fillimisht këmbënguli se viktimat ishin të gjithë luftëtarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK, por Uilliam Walker, shefi i misionit të verifikimit të armëpushimit të OSBE-së në Kosovë, i cili vizitoi vendin, e quajti atë një "krim kundër njerëzimit" dhe këmbënguli që viktimat ishin civilë.
Komandanti i policisë speciale serbe Goran Radosavljeviç, udhëhoqi këtë operacion famëkeq. Radosavljeviç tashmë ka dalë në pension, por ende shërben në bordin e partisë qeverisëse serbe. Ai ka mohuar se njerëzit e tij kanë qëlluar civilët, duke këmbëngulur se të gjithë ata që vdiqën ishin terroristë.
Deri kohët e fundit, hetimi i krimeve të tilla të luftës ka qenë jashtë duarve të prokurorëve vendas. Tribunali i Hagës, si dhe dy misione të njëpasnjëshme ndërkombëtare në Kosovë, misioni i OKB-së, UNMIK-u dhe misioni i BE-së, EULEX, kanë shqyrtuar krimet e luftës gjatë gjithë këtyre kohëve.

Drita Hajdari, një ndër prokuroret në Kosovë, kujton se ngjarjet në fshat ishin pjesë e një aktakuze për një krim të urdhëruar nga forcat serbe. Gjithashtu, ajo tha se do të vazhdonte një hetim mbi ngjarjet e përgjakshme në Reçak. "Prokuroria Speciale e Kosovës po heton rolin e disa individëve të tjerë në këtë masakër," tha ajo
Bilall Avdiu e kujton mirë zërin e policëve të armatosur serbë. "Kur shkuam te vendi i ekzekutimit, policia na tha, “Mirëpresim terroristët!”. Por ne ishim të gjithë civilë dhe pjesa më e madhe ishin të moshuar," tha Avdiu.
Ai tregon se kur ushtarët filluan të qëllonin, u shtri në tokë, duke mos e ditur nëse ndonjë prej plumbave e kishte goditur atë dhe qëndroi në mesin e trupave të vdekur për orë të tëra.
"Unë rrija shtrirë dhe prisja të më qëllonin përsëri. Pas disa orësh u ngrita dhe pashë që rreth e rrotull nuk kishte asgjë përveç bashkëfshatarëve të mi që kishin vdekur. Më pas vrapova për të ikur prej andej,” thotë ai.
Lajmi i këtyre ngjarjeve makabre u përhap shumë shpejt dhe shefi i misionit të OSBE, Uilliam Walker e denoncoi këtë rast si një krim të tmerrshëm.

Kjo gjë solli një reagim të ashpër nga Beogradi. Ditë më vonë, ai u shpall "person i pa dëshiruar" nga autoritetet e Beogradit. Njëzet vjet më vonë, Walker, i cili ende shihet si një hero në fshat, thotë se shpesh kujton masakrën dhe nuk do të ndryshonte një fjalë në interpretimin e tij fillestar.
"Ky incident, reagimi im ndaj tij dhe reagimi nga qeveria e Serbisë, prodhuan një cunami ndërkombëtar me raporte për atë që po ndodhte në Kosovë," tha Walker për Zërin e Amerikës më 12 janar 2019.
"Sa herë që unë ballafaqohem me informacione të reja, i kontrolloj ato për të parë nëse përfundimi im fillestar ishte i saktë dhe deri më sot, 20 vjet më vonë, jam ende i bindur se vlerësimi që kam dhënë është i vërtetë," tha ai.
Kreu i fshatit Adem Ramadani thotë se njerëzit e Reçakut do të vuajnë gjithmonë nga kujtimet e asaj dite. Sidoqoftë, ngjarjet e tmerrshme në Reçak, së paku nxitën përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për krizën e Kosovës. Në shkurt të vitit 1999, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë filluan bisedimet në kështjellën në Rambuje të Francës. Bisedimet u ndërprenë, sepse delegacioni serb u pajtua me kushtet e marrëveshjes.

Bujar Dugolli, një pedagog i historisë në Universitetin e Prishtinës, i cili ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, kujton masakrën si pjesë të një politike të qëllimshme serbe për pastrimin etnik dhe ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë.
"Misionet e OKB-së dhe të BE-së dhe institucionet e Kosovës nuk kanë bërë gjithçka që duhet për të ndëshkuar autorët e Reçakut", shtoi ai.
Çdo 15 janar, vizitorë nga e gjithë Kosova vijnë për të nderuar viktimat në fshat dhe shënojnë përvjetorin e masakrës. /Ballkan Insight/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë