Lee Umbers/ NZ Herald – Fotoreporteri i njohur nga Zelanda e Re, Wade Goddard sjell imazhet e tmerrit, dëshpërimit dhe qëndresës heroike gjatë luftërave në Jugosllavi, botuar në gazeta dhe revista nëpër botë. Por ai zor se mund ta vendosë veten në qendër, në një prej skenave të frikshme mbërthyer në librin e tij të ri mbi një prej konflikteve më të dhunshme: Lufta e Kosovës.

Pasi mbërriti në mëngjes në një pyll pranë një fshati kosovar, ai dëshmoi pasojat e një vrasjeje masive, përfshi gra dhe fëmijë. Një nga pamjet është me trupa të rrëzuar përdhe, mbuluar pjesërisht nga shkurret.

Ato janë, thotë Goddard, të një nëne dhe fëmijëve të saj pesë dhe shtatë vjeçar, qëlluar me armë ndërsa përpiqeshin të arratiseshin. “Ishte aq keq sa nuk isha në gjendje të fokusoja”, thotë Goddard nga shtëpia e tij në Dubrovnik, të Kroacisë. “Ngrita disi aparatin dhe …shkrepa, shkrepa, shkrepa. Por kam kaluar pjesën më të madhe të kohës ulur në pyll, nën një pemë ngaqë nuk u besoja syve dhe tmerrit. Ishte gjëja më e keqe që kisha parë në Kosovë, deri atëherë.”

Goddard, 49 vjeç, ishte një nga fotografët e parë të huaj në terren për luftën relativisht të shkurtër, por të përgjakshme të Kosovës, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave federale të Republikës së Jugosllavisë.

Libri i tij shënon 20 vjet nga nisja e luftës, nga shkurti i 1998-ës në qershorin e 1999-ës, e përllogaritur se mori më shumë se 10 mijë jetë dhe se u dëbuan më shumë se një milion njerëz.
Dokumenton dëshpërimin e kalvarit të atyre refugjatëve më këmbë, traktor e madje edhe në karroca dore; të vajtuesve në funeralet masive, të fshatarëve që kthehen në shtëpitë e rrafshuara. Por gjithashtu dokumenton kurajë dhe qëndresë, si ajo e gruas 94-vjeçare, ulur në strehën e saj me degë pemësh, dy muaj pasi fshati ishte shkatërruar. Dhe të një rrethi fëmijësh, të kapur për dore, ndërsa luajnë në një kamp refugjatësh.

Në moshën 22 –vjeçare, Goddard, nga Eketahuna, pa ndonjë të kaluar, kishte blerë aparate fotografike dhe kishte udhëtuar nëpër Europë për të fotografuar luftërat e Jugosllavisë. Kishte pasur një interes të zellshëm ndaj fotografisë kur ishte adoleshent.

Kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, kishte parë një dokumentar rreth një kineasti në Afrikën e Veriut, që filmonte një konflikt. Kineasti ishte me një armatë në shkretëtirë, “dhe mbaj mend se armata u sulmua nga një avion dhe shqetësimi i tij më i madh ishte të vendoste kamerën dhe të filmonte. Në një farë mënyre kjo më frymëzoi në lidhje me fotografinë dhe kam rënë në dashuri me të dhe…me ngjarjet globale.”

Pasi e la kolegjin Tararua, Goddard, bëri një stazh. I etur për të udhëtuar, u nis drejt Londrës dhe punoi në një pub, përpara se të udhëtonte më pas në Europë. Në Londër, në vitin 1991, mori një revistë fotografish nga një kioskë gazetash.“Ishte një artikull rreth një fotografi që kishte mbuluar luftën për pavarësi, në Kroaci.” Goddard u prek nga artikulli, i cili kishte të shkruar edhe numrin e telefonit të fotografit, kujton ai.

“Pasi mora zemër ta telefonoja, ai ra dakord të takoheshim për një kafe.” Goddard thotë se ata u bënë miq dhe kur plasi lufta e Bosnjës, më 1992-shin, fotografi i propozoi të shkonin bashkë atje. “E pranova propozimin e tij dhe u nisëm bashkë, nga Londra drejt Bosnjës.” Në parathënien e librit, ai thotë “të mbuloja shpërbërjen e Jugosllavisë u bë qëllimi i jetës sime.”

“Duhet të isha atje, të shihja me sytë e mi, ta ndieja, të përpiqesha ta kuptoja, dhunën, vdekjen, shkatërrimin. Çfarë e çon një popull të shkatërrojë një tjetër dhe veten në proces? Nëse do të kuptonim përgjigjet e kësaj dhe pasojat e konfliktit të armatosur ndoshta do t’u bënim presion liderëve tanë politikë të përpiqeshin pak më fort që të shmangnin luftën. Mendoj dhe ende shpresoj se pamjet si këto, mund të ndihmojnë në ndryshimin e rrjedhës së historisë njerëzore.”

Goddard ka mbuluar luftërat si fotograf i lirë për Reuters, The New York Times dhe Newsweek.Ai ishte atje, gjatë rrethimit vdekatar të Sarajevës dhe, fotografoi vuajtjen e grave dhe fëmijëve refugjatë që shpërnguleshin nga Srebrenica, ku iu desh të linin burrat pas. Afro tetë mijë burra dhe djem u llogaritën më pas se ishin vrarë në atë që u njoh si masakra e Srebrenicës.

Goddard thotë se Lufta e Kosovës ishte e ndryshme nga konfliktet e tjerë, pasi UÇK-ja bëri një luftë guerile.“Bosnja ishte luftë dhe Kroacia ishte luftë, ku kishin vija të qëndrueshme fronti. Eja në vijën e frontit dhe nuk mund të shkosh më tej, nëse të mbetej koka ca më gjatë mund ta humbisje. Por në Kosovë, nuk kishte vija të vërteta fronti.”

Goddard ka marrë një sërë vragash gjatë viteve ku ka mbuluar luftërat në Jugosllavi. U shpëtoi snajperëve për centimetra, disa herë, thotë, dhe është qëlluar me predha 60mm, ndërsa ngiste një makinë në qytetin vijë-fronti. Ai thotë se kur ai dhe një gazetar tjetër i huaj u arrestuan nga policia në një pikë kontrolli pranë kufirit me Kosovën dhe pritën për orë forcat speciale, ai nisi “të çoja nëpër mend skenarët më të këqij, duke u përgatitur për atë që mund të vinte.”

Kur një makinë e zezë mbërriti dhe ca burra, “ u hodhën jashtë me…armë dhe pa uniforma”, frika u tij u bë më e madhe, thotë. Por Goddard thotë se ai dhe gazetari tjetër ende kishin dokumentet në xhepa, nga koha kur kishin qenë në Kosovë, më parë, ku kishin marrë leje për të punuar aty. “Ata na pyetën: A keni akreditim? I nxorëm dhe ia hodhëm paq, edhe për një ditë.”U kërkuan të ktheheshin nga kishin ardhur.

Goddard ishte në Kosovë për pjesën më të madhe të luftës, përveç një muaji më 1999-ën, për lindjen e së bijës, Perina, nga martesa e tij e parë me një grua nga Zagrebi. Paqja u arrit pas ndërhyrjes së NATO-s. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008-ën. Më shumë se 100 shtete e njohin tashmë si republikë të pavarur. Goddard thotë se duhet të jesh mendjehapur për të qenë një fotograf konflikti për shkak se paragjykimet rreth situatave dhe palëve të përfshira mund të jenë të gabuara. Mund të mendosh se e kupton ç’po ndodh, por gjasat janë që jo.” Kosova pati një taksë të rëndë për të si baba i ri.

Të shihje prindër që përpiqeshin në mënyrë të dëshpëruar të mbronin fëmijët nga kjo situatë tmerri, ndërsa nuk e dinin “nga do u vinte vakti tjetër…ku do të flinin atë natë”, ishte e rëndë të përballohej. “Një ditë u trondita aq shumë, saqë humba ndjenjat për pak.” Kur luftërat morën fund, Goddard qëndroi në Dubrovnik të Kroacisë, ku jeton me të shoqen, Ninën, një e mbijetuar e rrethimit të Sarajevës dhe vajzën e tyre, Rean, 3 vjeç. Një mik bleu një hapësirë në qytetin e vjetër të Dubrovnikut dhe aty ngritën galerinë e Fotove të Luftës, më 2003-shin

Qendra e ekspozitës, që është renditur ndër 10 atraksionet në Dubrovnik, shfaq punën e fotoreporterëve kryesorë të luftërave moderne dhe zonave të konfliktit. Ekspozita e tij aktuale, e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të tetorit, shfaq 60 fotografi nga libri i Goddard-it, “Lufta e Kosovës”.

Kjo galeri ka për qëllim t’i paraqesë publikut realitetin e luftës, “për të ekspozuar mitin e luftës, duke u fokusuar sesi lufta nxit padrejtësi tek të pafajshmit dhe luftëtarët.” “Lufta është thjesht humbje”, thotë Goddard.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.