Biznes

Zhvlerësimi i euros, ekonomia mund të humb 60 mld euro në 2019

Ekonomia shqiptare në fund të 2019-ës pritet të humbasë rreth 60 mld lekë prej bizneseve të eksportit, turizmit dhe nga dërgesat e emigrantëve.

Kjo është përllogaritja e bërë nga Alban Zusi i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, i cili shprehet për gazetën “Si” se është e habitshme se si Banka e Shqipërisë dhe Qeveria nuk sqarojnë zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros në tregun e brendshëm dhe të marrin masat e nevojshme.

Pak ditë më parë, kreu i Bankës Qendrore Gent Sejko e lidhi forcimin e lekut me shkaqe të tregut që përsëriten rregullisht në këtë periudhë të vitit e “ne jemi në pikun e sezonit, zhvlerësimi i euros është si rezultat i sezonit. BSH ka një program ndërhyrjeje në fuqi, ne monitorojmë në bazë ditore tregun për të parë luhatjet. Sjellja e kursit të këmbimit ka sjellje normale. Nuk ka cenim të objektivit tonë të inflacionit si rezultat. Prandaj ne nuk po ndërhyjmë”- tha guvernatori Sejko duke shtuar se “kush fiton e kush humb nga mbiçmimi i lehtë i kursit të këmbimit, kjo është tjetër gjë”.

Alban Zusi, Qendra Shqiptare e Eksportve

Por Zusi është i bindur se zhvlerësimi i mëtejshëm i euros nuk ka të bëjë me faktorët e tregut.

Një euro u këmbye të martën me 120,82 lekë, 0,34 pikë përqindje më pak se një ditë më parë dhe 3,88 pikë përqindje më pak ( 124, 7 lekë) krahasuar me qershorin e një viti më parë kur Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg dhe bleu për gjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit gati 400 mln euro..

Sipas Zusit, Banka e Shqipërisë ka një model stimulimi të ekonomisë (teknologji) që të mund të nxjerrë se sa euro më shumë duhet të hyjnë në ekonomi që euro të zhvlerësohet kaq shumë.

Çfarë ndodhi në treg? Pse nuk përgjigjet Banka e Shqipërisë?

Vitet precedente dëshmojnë, siç argumenton edhe Zusi, që piku i sezonit turistik kur në Shqipëri ka më shumë hyrje si pushues, ashtu edhe emigrantë, kursi i këmbimit (euro-lekë) nuk lëviz më shumë se me dy pikë përqindjeje.

Kurse euro rezulton të ketë humbur deri tani në tre vite gati 13 pikë përqindjeje.
Zusi argumenton se zhvlerësimi i euros nuk ka të bëjë me faktorët e tregut pasi eksportet nuk janë rritur në mënyrë galopante (p.sh. 30%), biznesi nuk ka marrë kredi dhe për rrjedhojë nuk ka investime të reja për shkak të pamundësisë nga humbjet e zhvlerësimit të euros dhe situatës politike të krijuar prej disa muajve.

Njëkohësisht shpjegon Zusi, partnerët e huaj nuk kanë pranuar rritje çmimesh përtej 5% (maksimumi) gjë që nuk e mbulon humbjen e bizneseve prej 15% të xhiros së tyre prej zhvlerësimit të euros.

Gjatë periudhës 5-vjeçare (2014-2018) eksportet e mallrave sipas INSTAT, ishin 310 miliardë lekë, ose 13,7 % më shumë se në vitin 2017, ndërsa importet e mallrave arritën 641 miliard lekë, duke u rritur 2,4 %, krahasuar me vitin 2017.

Po ashtu edhe turizmi që përfaqëson 40-50 për qind të eksporteve sipas përfaqësuesëve të sektorit, nuk ka performuar sipas parashikimeve, përkundrazi, bashkëngjitur faktorin e zhvlerësimit të euros, ka qenë edhe kriza politike dhe operacionet antiinformalitet nga të cilat pritet të humbë shumëfish për 2019-ën.

Por edhe dërgesat e emigrantëve nuk kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Sipas BSh-së emigrantët shqiptarë kanë dërguar drejt familjeve të tyre gjatë 2018-ës 1, 3 mld euro.
Që sipas të dhënave të Bankës Botërore, Shqipëria me këtë shifër ka shënuar hyrjet më të ulëta në rajon, në raport me PBB. Sipas raportit të BB, remitancat zyrtare të ardhura në Shqipëria në 2018 përllogariten 9.6 % të PBB, ndërsa në vende si Bosnja e Hercegovina ishin 11 % e PBB, Mali i Zi 11.4 e PBB, Kosovë sa 15.8 % e PBB-së.

Prandaj sqaron Zusi, nuk ka mundësi që zhvlerësimi i euros në këto nivele të pandalshme të ketë si faktorë tregun.

Në këtë situatë biznesi nuk ka asgjë në dorë, përveçse po rrit gamën e produkteve për të qenë në treg, por e ardhmja mund të jetë më e zymtë nëse nuk ka një ndërhyrje. “Pa pa investime, pa hapje të vendeve të reja të punës parashikoj rënie drastike të konsumit”-thotë I shqetësuar Alban Zusi I cili kujton se një situatë të tillë e kishte parashikuar edhe një vit më parë por paralajmërimet nuk u morën seriozisht.

“Mandej, në prillin e vitit të ardhshëm do të kuptojmë rëndesën e mëtejshme të situatës”-do thoshte një vit më parë për gazetën “SI” zoti Zusi.

Bazuar në shifrat e Ministrisë së Financave , shihet se aktualisht gjatë gjashtëmujorit të ardhurat tatimore ishin -1.3% më të ulta se plani i periudhësose 30 milionë euro më pak, që mungojnë nga planifikimi fillestar i buxhetit.

Sipas Zusit, biznesi nuk mund të parashikojë se ç’do të ndodhë me euron pasi luhatja e saj nuk po funksionon me logjikën e tregut, por sipas tij ekonomia me siguri do të përkeqësohet…

Më Shumë