Mendim

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, emër i ri, probleme të vjetra

Maqedonia e Veriut mban të dielën raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke shënuar kështu votimin e parë nën emrin e ri. Ato duhet të jenë të rëndësishme për vendin fqinj, i cili ka nevojë për një president që të udhëheqë luftën kundër korrupsionit.

Votimi i së dielës do t'i japë fund mandatit të një presidenti nuk përfaqësoi asnjëherë gjatë dy mandateve interesat e qytetarëve, por ato të ish-presidentit Nikolla Gruevskit. Ai do t'i japë fund mandatit të një presidenti që ka kryer manovra politike anti-kushtetuese dhe që mbi të gjitha ka refuzuar hapur ndryshimin e emrit të vendit fqinj dhe anëtarësimin në NATO dhe BE-së. Por kapja totale e shtetit nga George Ivanov dhe Nikolla Gruevski nuk mund të zhbëhet brenda natës.

Kandidati i Social Demokratëve në pushtet Stevo Pendarovski e ka bazuar të gjithë fushatën e tij tek integrimi europian.

"Votimi për Stevo Pendarovskin nënkupton votimin për një arsim europian, pagat europiane dhe një standard jetesë europian”, tha kryeministri Zaev. Por nëse Pendarovski humbet, ose nëse pjesëmarrja është më e ulët se 40 përqindshi i nevojshëm, Zaev do të merrte goditjen më të rëndë të udhëheqjes së tij.

Stevo Pendarovski

Një rezultat i tillë mund të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të nxisë një paqëndrueshmëri të re në vendin më të paqëndrueshëm të Ballkanit. Duke pasur parasysh që Këshilli i BE-së duhet të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit në qershor, Zaev po bën të pamundurën për të shmangur një krizë tjetër politike.

Kundërshtarët e Pendarovskit, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka, përfaqësuesi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kanë paraqitur po ashtu agjenda shumë ambicioze.

Pendarovski ka një epërsi të lehtë në sondazhe, të cilat edhe pse konsiderohen si të pasigurta, parashikojnë se raundi i dytë, më 5 maj do të mbahet midis Pendarovskit dhe Siljanovska-Davkovës.

Kjo e fundit kundërshton emrin e ri të vendit, por ka thënë se do ta "respektojë" marrëveshjen e arritur me Greqinë nëse zgjidhet presidente.

"Të rinjtë po largohen nga vendi vetëm për shkak të korrupsionit, sepse kemi njerëz në pushtet që mendojnë vetëm për vendet e punës dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre në kurriz të buxhetit të shtetit", tha ajo në tubimin e fundit të fushatës, përpara zgjedhjeve të së dielës.

Blerim Reka

Reka paralajmëroi gjithashtu se "lodhja nga korrupsioni i institucionalizuar dhe nepotizmi" po nxiste emigrimin.

"Nëse nuk arrijmë të ndërtojmë një republikë të bazuar në sundimin e ligjit, ne do të kthehemi në një vend të zbrazët", tha ai për një tubim elektoral të dielën.

Paralajmërimet e tij duket se janë në një linjë me të atë 50-vjeçarit Janko Velkovski.
Djali i tij ka emigruar në Gjermani, ndërsa vajza e tij infermiere, dëshiron të bashkohet me të.

"Kur dëgjoj kandidatët që flasin për të ardhmen e të rinjve, më vjen për të vjellë", tha Velkovski, i cili jeton në një periferi të Shkupit.

Zgjedhjet vinë ndërkohë që Shkupi shpreson të hapë bisedimet e pranimit me BE-në qershor, por analistët thonë se elektorati i vendit fqinj është më i shqetësuar për papunësinë, korrupsionin dhe rritjen ekonomike.

"Dëgjoj vetëm për NATO-n, Bashkimin Europian dhe këtë histori të emrit", thotë Vera Smajlovska, në hyrjen e parukerisë së saj në qendër të Shkupit. "Askush nuk kujdeset për mënyrën se si jetojnë njerëzit. Ata kujdesen vetëm për pushtetin, dhe atë që ka mbetur për t’u vjedhur në këtë vend të varfër ", thotë 47-vjeçarja.

Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut është 400 euro dhe shkalla zyrtare e papunësisë e tejkalon 20%.

Gordana Siljanovska-Davkova

"Qytetarët ndihen të manipuluar nga të gjithë dhe janë të pakënaqur", thotë Meri Jordanovska, një gazetare investigative në vendin fqinj. "Qeveria nuk do të mund t’i mbajë përgjithmonë nën kontroll me historinë e BE dhe NATO-s," tha ajo.

Edhe midis atyre që kanë pranuar ndryshimin e emrit, nuk janë të bindur nga premtimet e anëtarësimit në BE, një ndryshim që shpresojnë se do të sjellë prosperitet dhe do të forcojë sundimin e ligjit.

Pikërisht për këtë arsye, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë integruese, i cili duhet të përpiqet të përmirësojë përçarjet dhe plagët kolektive.

Duhet të jetë dikush që të rivendosë besimin në këtë post dhe t’i japë një kuptim të ri. Duhet të jetë presidenti i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, kategoria shoqërore, gjinia apo feja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë