Politike

Zgjedhjet, dakordësi për çështje periferike, Bylykbashi: Testi fillon tani

Shumica dhe opozita kanë rënë dakord në Këshillin Politik për ndryshimin e periudhave zgjedhore, financimin e partive në fushatat zgjedhore dhe për kuotat gjinore në listat e kandidatëve dhe të zgjedhurve për deputetë.

Lidhur me periudhën zgjedhore afatet ngushtohen në vetëm 30 ditë në periudhën e pranverës, nga data 15 prill deri më 15 maj dhe 30 ditë në periudhën e vjeshtës, ndërkohë që sipas Kodit Zgjedhor aktual periudhat zgjedhore shtrihen nga 15 marsi deri më 30 qershor dhe nga 15 shtatorit deri më 30 nëntor.

“Ramë dakord për zvogëlimin e periudhës zgjedhore, përkatësisht në datat 15 prill-15 maj, ose 15 tetor- 15 nëntor. Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mirë dhe garanton se pjesëmarrje sa më e lartë në zgjedhje”, deklaroi përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

Është rënë dakord që brenda kësaj periudhe zgjedhore të hiqet edhe kufizimi që Kodi Zgjedhor aktual detyron Presidentin që të zgjedhë një datë nga dy të dielat e fundit të periudhave zgjedhore. Më ndryshimet e rëna dakord, Presidenti mund të caktojë datën e zgjedhjeve pa kufizime brenda këtyre periudhave.

“U arrit dakordësia e heqjes së kufizimit për caktimin e datës, që do t’i mundësojë Presidentit që të mundësojë datën e zgjedhjeve pa kufizime në këto periudha zgjedhore. Kjo jep mundësinë e rritjes së pjesëmarrjes në zgjedhje, duke vlerësuar se shumë njerëz largohen nga Shqipëria në periudha sezonale”, deklaroi përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Palët kanë rënë dakord parimisht edhe për aplikimin e një skeme mikse të financimit të fushatave elektorale, që do të thotë se në këtë periudhë partitë do të financohen pjesërisht nga buxheti i shtetit dhe pjesërisht nga donacionet private. Në këtë pjesë, PD ka propozuar që financuesit privatë të përjashtohen nga pjesëmarrja në tendera për katër vjet.

Megjithatë, në këtë pjesë u është lënë në dorë ekspertëve të të dyja palëve në Këshillin Politik që të detajojnë formulën. Një propozim i hershëm i Partisë Demokratike ka kërkuar që 70 për qind e financimit të përballohet nga buxheti i shtetit dhe 30 për qind nga donacionet private.

“Arritëm dakordësinë në shumë elementë sa i takon financimit. Ekspertët tani kanë marrë detyrën për zgjidhjen përfundimtare nëpërmjet një formule mikse. Ne kemi propozuar reduktimin në mënyrë drastike të financimit privat dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore në mënyrë që të pastrohet politika dhe fushata nga interesa të paligjshme që penetrojnë përmes financimit në fushatë të partive”, deklaroi Bylykbashi.

“Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm. Qeveria ka marrë përsipër të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore. Kapitulli i financimit të fushatës ka marrë dakordësim”, tha nga ana tjetër Gjiknuri.

Në lidhje me kuotat gjinore është rënë dakord me parimin 1 në 3 kandidatë të jetë grua. Në këtë pjesë, opozita ka kërkuar që ky parim të shtrihet edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor, ku aktualisht është në fuqi parimi i barazisë së plotë. Sipas opozitës, kjo nuk është reale dhe ka shkaktuar fiktivitet.

“Bashkëndamë një zgjidhje dhe kompromis që kuota gjinore të respektohet 1 në 3 dhe të unifikohet me kuotën gjinore të aplikuar në pushtetin lokal, ku është 50 për qind dhe ka rezultuar joefikase dhe jorealiste dhe ka prodhuar fiktivitet. Propozuam dispozita mbrojtëse për realizimin e saj në praktikë, pra një kuotë gjinore reale për të shmangur histori të së shkuarës, ku ëështë kapërcyer mundësia e futjes së kandidateve gra fituese”, u shpreh përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili.

Megjithatë, të trija çështjet, ashtu siç Gazeta Si paralajmëroi në një artikull të ditës së hënë konsiderohen të buta, ose të dorës së dytë. Testi i vërtetë për Këshillin Politik mbërrin në ditët në vazhdim, duke filluar që nga e enjtja kur është paralajmëruar mbledhja e radhës.

“Problematikat kryesore të procesit zgjedhor nuk janë këto. Ajo që duhet patjetër të garantojmë ne është mbrojtja e zgjedhësit që ai ta hedhë votën i lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim shumë i rëndë nga ODIHR, pasi konstaton që liria dhe sekreti i votës cenohet ka rekomanduar që të merren masa. Ajo që kemi në diskutim janë masat mbi rolin e policisë, prokuroria dhe SPAK në goditjen e krimit zgjedhor që intimidon zgjedhësit dhe cenon lirinë, masat që do të merren për të mbrojtur votën, që teknologjia të shërbejë që të mos mbushet kutia nga komisionerët. Këto janë problemet reale, garantimi që vota është e vërtetë dhe numërimi pa manipulim. Çështjet e tjera janë rreth këtij boshti. Kjo është sfida e madhe për të cilat ne do të kërkojmë konsensus pa hequr dorë deri në ditën e fundit”, deklaroi Bylykbashi.

Përfaqësuesi i PD-së u shpreh optimist për gjetjen e një kompromisi, brenda 31 majit, ndërkohë që palët shmangën tematikën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, një kërkesë e bërë nga grupi parlamentar demokrat, që përfaqësohet në Këshillin Politik nga Rudina Hajdari.

Përfaqësuesi i PD-së u shpreh optimist për gjetjen e një kompromisi, brenda 31 majit, ndërkohë që palët shmangën tematikën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, një kërkesë e bërë nga grupi parlamentar demokrat, që përfaqësohet në Këshillin Politik nga Rudina Hajdari, që ka qenë e vetmja që ka dalë e pakënaqur nga mbledhja.

Hajdari ndau qëndrimin e Bylykbashit se diskutimet dhe dakordësia e gjetur nuk ishin kryesore, por ndryshe nga përfaqësuesi i PD-së, që radhit mbrojtjen e votës si çështje kryesore, ish-deputetja e PD-së radhit sistemin dhe propozon mbajtjen e një referendumi që qytetarët të vendosin vetë për sistemin zgjedhor.

“Çfarë ndodhi sot ishte një dakordësi për disa çështje fare pa rëndësi. Ose të japim ndryshimit të sistemit, ose shqiptarët të zgjedhin me referendum nëse e duan ndryshimin e sistemit”, deklaroi ajo.

Hajdari kundërshtoi ndryshimin e periudhave zgjedhore, duke deklaruar se periudhat e propozuara i mbyllin derën diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje.

"Një fashë zgjedhore të re dhe kishim protagonistët e anëtarit të këshillit, që treguan tiparet atmosferike, a duhet më mirë koha pa temperaturë apo me temperaturë. Nëse ne ndryshojmë fashat zgjedhore i mbyllim derën diasporës. Këta mirë që nuk i japin të drejtën për të votuar atje ku janë, por i heqin edhe fashën kur mund të rikthehen në atdhe dhe të votojnë. I mbyllim dy herë derën diasporës”, deklaroi deputetja.

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat pati rezerva edhe për financimin e partive.

"Sa i përket financimit të partive, kanë rënë dakord PS-PD, që buxheti nga shteti të dyfishohet, këto lekë vijnë nga taksapaguesit shqiptarë. Pse e duan këtë?”, shtoi Hajdari.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë