Politike

Zgjedhorja, Këshilli Politik e rinis punën me çështjet “e buta”

Mazhoranca dhe opozita do të lënë mënjanë tensionet e shtuara që shkaktoi aksioni i shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe do të ulen ditën e martë në orën 11:00 në tryezën e Këshillit Politik në përpjekjen e radhës për të përparuar drejt marrëveshjes për reformën në zgjedhore.

Gazetasi.al mëson se edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, çështjet që do të hidhen për diskutim në takimin e së martës do të jenë ato më pak të ndjeshme dhe ku palët kanë treguar, të paktën nga komunikimi publik, se janë afër gjetjes së gjuhës së përbashkët.

Bëhet fjalë për tematika ku mes socialistëve dhe opozitës së bashkuar vijat e dallimit nuk janë aq të trasha, si kuotat gjinore, periudhat zgjedhore dhe teknologjia në procesin e votimit. Me këtë të fundit nuk nënkuptohet vetëm votimi dhe numërimi elektronik. Duke patur parasysh rezervat e ndërkombëtarëve, gazeta “Si” mëson se opozita është e gatshme që të lëshojë terren në këtë çështje dhe të pranojë fillimisht një projekt pilot, por në këmbim të zgjerohet monitorimi me kamera vëzhgimi edhe tek qëndrat e votimit, gjë që deri më tani është e kufizuar vetëm tek Komisionet e Numërimit të votave.

Sa i takon periudhës zgjedhore, burime të gazetasi.al konfirmojnë se ka pak dallime mes palëve dhe ajo pritet që të ndryshojë, duke zëvendësuar qershorin me muajin maj dhe shtatorin me muajin tetor. Por, sharra e Këshillit Politik ka ngecur në gozhdën e financimit dhe në depolitizimin e administratës zgjedhore.

Opozita është tërhequr disi nga pozicioni fillestar i financimit 100 për qind shtetëror të buxhetit të shtetit, por këmbëngul që buxheti i shtetit të mbetet burimi kryesor i financimit të partive dhe të përforcohen mekanizmat kontrollues për financimet private dhe të ashpërsohen penalitetet për shkelje të këtyre rregullave. Opozita e mbron këtë ide duke argumentuar se financimi nga buxheti i shtetit shmang mundësinë e kapjes së mazhorancës nga biznesmenë të fuqishëm që pasi derdhin milionat në fushatë kërkojnë t’i marrin mbrapsht përmes tenderave korruptivë apo favorizimeve të tjera.

Ndasi të thella ka edhe sa i dakon depolitizimit të administratës zgjedhore. Socialistët e mbrojnë depolitizimin e administratës zgjedhore edhe si pjesë të një prej rekomandimeve të ODIHR-it. Por, opozita është skeptike dhe hedh dyshime mbi nivelin e depolitizimit vetë administratës publike sot në vend. Gazeta “Si” mëson se në këtë pjesë, opozita është e gatshme që të lëshojë vetëm pak terren, duke propozuar depolitizim të pjesshëm të administratës, duke filluar që nga komisionet e qendrave të votimit, e deri tek KZAZ-të, por jo më lart.

PD ka propozuar që në përbërje të KQV-ve dhe KZAZ-ve të ketë zyrtarë apolitikë të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si garantues ligjore të procesit, por pa të drejtë vote në vendimmarrje.

Opozita propozon që në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve të caktohet një komisioner apolitik, që do të ketë rolin e sekretarit në këtë Komision dhe në grupet e numërimit të KZAZ-ve. Sipas këtij propozimi, kjo e fundit duhet të përbëhet nga 7 anëtarë, tre nga mazhoranca, tre nga opozita dhe komisioneri apolitik si anëtar i fundit. Propozohen gjithashtu edhe dy numërues apolitikë, ndërsa pjesa tjetër e tyre të ndarë në mënyrë të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës.

Ngërçi tjetër, që të paktën nga gjuha publike që është konsumuar mes palëve tingëllon si i pakalueshëm lidhet me emrat e gjyqtarëve në Kolegjet Zgjedhore. PD kërkon që në listë për emërimin e tyre të përfshihen edhe gjyqtarë që nuk e kanë kaluar ende procesin e vettingut, duke e mbrojtur këtë kërkesë me numrin e ulët të gjyqtarëve që e kanë kaluar këtë proces, si dhe me bindjen e opozitës se vettingu mund të përdoret nga mazhoranca për ta kapur këtë Kolegj. Por, socialistët, duke filluar që me Damian Gjiknurin, e deri tek Edi Rama, publikisht e kanë refuzuar këtë propozim.

Kërkesa tjetër e opozitës është qeveria kujdestare. Demokratët propozojnë që 100 ditë para një procesi zgjedhor Parlamentar të ngrihet një qeveri teknike. Kjo kërkesë është vlerësuar si kërkesë politike nga ana e socialistëve në Këshillin Politik dhe për këtë arsye Gjiknuri ka deklaruar se ky Këshill nuk ka mandat që ta diskutojë.

Lidhur me çështjen e sistemit zgjedhor, duket se ka një dakordësi mes palëve, të paktën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të radhës parlamentare. Lulzim Basha u shpreh i gatshëm që “t’u ofrojë shqiptarëve sistemin zgjedhor që meritojnë”, por më parë, tha ai, “duhet larguar Edi Rama me votë”. Edhe nga socialistët shuhet entuziazmi i opozitës parlamentare për të ndryshuar sistemin duke përdorur si argument mungesën e kohës për të ndërhyrë në Kushtetutë.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë