Nga Gazeta “SI” – Në një zbulim që hedh dritë mbi praktikat e lashta të ruajtjes së trupit, studiuesit në Austri kanë identifikuar teknikën e rrallë pas mumifikimit të një meshtari të shekullit XVIII, i cili është ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme për më shumë se 270 vjet.
Bëhet fjalë për Franz Xaver Sidler von Rosenegg, kapelan i famullisë së vogël në fshatin St. Thomas am Blasenstein, i cili vdiq në vitin 1746 dhe u varros në kriptën e kishës vendase. Për dekada me radhë, trupi i tij i mumifikuar, i njohur nga vendasit si “kapelani i tharë nga ajri”, ka mbetur pothuajse i paprekur nga kalbja, duke habitur studiuesit dhe vizitorët.
Por vetëm së fundmi, përmes skanimeve të avancuara me CT, ekspertët arritën të zbulojnë se trupi i kapelanit nuk ishte thjesht i tharë natyrshëm, por ishte trajtuar me një teknikë të rafinuar që deri më sot kishte kaluar pa u vënë re.
Zgavra e barkut dhe ajo pelvike e trupit ishin mbushur me copa druri pishe dhe bredhi, degëza dhe pëlhura natyrale të cilat kishin shërbyer për të thithur lëngjet trupore dhe për të parandaluar dekompozimin. Për më tepër, u zbuluan gjurmë të klorurit të zinkut një substancë me efekt të fortë tharës.

Ajo që e bën zbulimin edhe më të habitshëm është mënyra se si këto materiale janë futur në trupin e kapelanit: jo përmes një çarje të dukshme, por nga pjesa e pasme, përmes rektumit , një teknikë që nuk linte gjurmë të jashtme dhe që mund të ketë qenë më e përhapur në atë kohë sesa mendohej më parë.
Patologu gjerman Andreas Nerlich, nga Universiteti Ludwig-Maximilians në Mynih, thotë se ky zbulim sugjeron se mund të ketë edhe raste të tjera të ngjashme që kanë kaluar pa u vënë re, për shkak se proceset e kalbjes mund të kenë dëmtuar provat në trupat e tjerë.
Studimi është publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Medicine” dhe konsiderohet si një nga shembujt më të rrallë të teknikave alternative të mumifikimit në Evropën Qendrore.
Burimi: Archaeology magazine
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.