Art dhe Kulture

Xhamia e Plumbit – Rezistencë në kohë diktature e përmbytje

Më 16 nëntor të  vitit 1990 aty u mblodhën besimtarë jo vetëm nga e gjithë Shqipëria. Ishin thuajse 50 mijë syresh që çelën dyert e xhamisë dhe kryen të parën lutje  23 vite pasi regjimi diktatorial ndaloi fetë dhe shkatërroi objektet e kultit.

Por Xhamia e Plumbit, me themelet në fushën bri lumit Drin e Kir dhe në krah të kalasë së Rozafës, i rezistoi fushatës famëkeqe që u përpoq, ta bënte vendin si të parin ateist në botë.

Ndoshta e ndihu fati se qe shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë më 1948-n, ose ndoshta Zoti e kish projektuar si tempullin që do t’i mirëpriste besimtarët në ato ditët e para kur me pluralizmin politik do të kthehej edhe liria e besimit. Më 1967-n, një rrufe dëmtoi minaren, ndoshta si një shenjë nga e përtejmja.

Jo vetëm dora e hekurt e një regjimit ateist, i cili mëtoi që adhurimin monoteist ta transferonte në adhurimin e sistemit monist dhe së vetmes parti.

Kryevepra arkitekturore dhe tempulli i besimtarëve myslimanë pas viteve ’90 e gjeti veten të zhveshur prej shtresave të plumbit në kubetë, për t’u shitur për pak pare në tregun e zi dhe kaotik të post-diktaturës.

Por kjo ishte dora e fundit, pasi plumbin kishin nisur t’ia merrnin më herët banorët pasi zona u braktis dhe më vonë ushtria austro-hungareze.

Edhe fenomenet natyrore nuk e kanë kursyer ndër shekuj, ku ujërat e lumenjve aty pranë - Kiri dhe Drini - dhe vërshojnë dhe e bëjnë të duket si xhamia mbi ujë.

Në kohë reshjesh, si kjo e ditëve të fundit, ujin shkon deri në tetëdhjetë centimetra mbi xokolaturën e xhamisë dhe shpesh futet brenda. I vetmi monument i përmbytur me shirat e fillim janarit të 2021, siç bëri të ditur vetë ministrja Margariti ishte Xhamia e Plumbit, në Shkodër.

Vetëm dy ditë pasi në Ankara u nënshkrua një marrëveshje mes Ministrisë shqiptare të Kulturës dhe asaj turke për restaurimin e Xhamisë së Plumbit.

“Do ta quaja një fillim të mbarë dhe një ogur të mirë, që një nga punët e para të këtij viti të ri lidhet me restaurimin e shtëpisë së Zotit. Por Xhamia e Plumbit nuk është thjesht një objekt kulti. Ajo është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”, shkruante Margariti në Facebook, pas nënshkrimit të marrëveshjes  me ministrin  e  Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy për restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës.

“Një marrëveshje e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës apo besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë shqiptarët, që e kanë të gdhendur në memorie pamjen e xhamisë së përmbytur nga ujërat. Kësaj kohe po i vjen fundi dhe ato imazhe do të jenë vetëm një kujtim”, thoshte Margariti, por duket se edhe për këtë dimër fati i xhamisë ishte rrethimi nga ujërat.

Prej vitesh është folur për një restaurim të objektit të kultit, njëherësh monument kulture. Më 2010-n ishin intelektualët katolikë të Shkodrës që propozuan nismën për  restaurimin e xhamisë nën kujdesin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe përfaqësuesit e shtetit turk. Më  2019-n, ministrja Margariti tha se punimet do të nisnin pranverën e 2020-s.

Tanimë punimet për rehabilitimin e objektit pritet të nisin këtë vit, me premtimin e zyrtarizuar nga qeveria turke. E renditur nga gazeta Huffington Post  më 2018-n ndër 50 xhamitë më të bukura të botës, Xhamia e Plumbit ka një arkitekturë qartazi të frymëzuar nga stili otoman.

“Zotëria i bamirësisë dhe veprave të mira Mehmed Pasha e ndërtoi këtë xhami fisnike në vitin 1187 Hixhri (1773/74)”

“Kujdestari i xhamisë fisnike Haxhi Mahmud Berberi Data e riparimeve në vitin 1280 H (1863/1864)”

Pllaka në hyrje tregon datën e themelimit dhe ndoshta të restaurimit më të madh, të cilit i është nënshtruar objekti deri më sot.

Hyrja drejt xhamisë shkon  përmes një oborri të bollshëm. Oborri i brendshëm është i vendosur në mënyrë të tërthortë përpara sallës së lutjeve. Nga jashtë, salla e lutjeve shfaqet si një bllok i ulët që mbahet nga një tambur tetëkëndor shumë i lartë, mbi të cilin qëndron një kupolë gjysmë-rrethore.

Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri, i rrethuar me harqe.  Në  qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie që rrallë ndeshet në xhami të tjera.

E ndërtuar nga Mehmet pashë Plaku i Bushatllinjve – i cili thuhet se mori pjesë vetë në punime - shënjoi rëndësinë e fushës në lindje të kodrës së kalasë, e cila asokohe po gëzonte një zhvillim të madh në përvijim të Pazarit.  Madje ndërtimi i saj theu edhe të drejtën perandorake që objektet e atij stili t’i kishin vetëm në Stamboll.

Një meremetim  iu bë objektit më  1920-s  prej fondeve të Xhelal Pashës, nip i vezirit.

Të dhënat e kronikës së Jusuf Tabakut kumtojnë se xhamia u ndërtua me gurë të sjellë  dorë më dorë nga njerëzit  prej Gurit të Zi  dhe me tepricat u ndërtuan këmbët e urës së Kirit.

Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë  rezistente  ndaj veprimeve erozive e që ndoshta i kanë dhënë jetëgjatësinë, pavarësisht vërshimeve të lumenjve.

Në  vitin 1978, shërbimet e monumenteve të kulturës, i hodhën një mbulesë çimentoje. Viteve të fundit objekti u rinovua me suva çimentoje , po ashtu edhe dyert dhe dritaret, që kishin pësuar kalbje prej përmbytjeve.

Tridhjetë vjet më parë, kur regjimi ishte në grahmat e fundit, por ende nuk qe rrëzuar, myftiu   Hafiz Sabri Koçi, i cili ishte liruar nga burgjet e diktaturës më 1986-n pas 20 vitesh dënimi, do të shkonte i fshehur në një makinë qumështi drejt Xhamisë së Plumbit për të parën falje të lirisë.

Tridhjetë vjet më pas e më shumë se dy shekuj nga themelimi, xhamia pret që muret e saj të mos pushtohen më nga uji...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë