Treg

Vlera e Bitcoin në rritje, por investimi në të është më i paqëndrueshëm dhe më i rrezikshëm se kurrë më parë

Nga Santiago Carbo Valverde - Bitcoin është rikthyer në vëmendjen e të gjithëve. Gjatë javës së kaluar, kriptomonedha shënoi javën e kaluar nivelin më të lartë të 2 viteve të fundit, ndërsa Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA (SEC), ka autorizuar listimin dhe tregtimin e disa ETF (Fondet e Tregtuara në Bursë) të Bitcoin.

Pas një rënieje të gjatë, investitorët institucionalë dhe bankat ndërkombëtare, po tregojnë një përkushtim në rritje ndaj kriptomonedhave. Pra është rishfaqur entuziazmi për një instrument, i cili është i vështirë për t’u kuptuar:është thuajse i pashpjegueshëm përmes teorisë konvencionale të aktiveve financiare, dhe as nuk ka baza të reja teorike që të na lejojnë të kuptojmë kërkesën për Bitcoin dhe vlerësimin e tij befasues.

Rregullatorët dhe ekonomistët i kanë të gjitha arsyet që të bëjnë paralajmërime. Njoftimi i fundit përkatës u postua në blogun e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) - në 22 shkurt 2024 - nga Ulrich Binseil dhe Jürgen Schaaf, dy nga drejtorët e Infrastrukturës së Tregut dhe Pagesave.

Ata theksojnë se Bitcoin ka dështuar në premtimin e tij për të qenë monedha dixhitale globale e decentralizuar. Sepse po përdoret rrallë për transferime dhe pagesa të ligjshme. Dy ekspertët tregojnë se pavarësisht miratimit të ETF-ve të Bitcoin nga SEC, kjo nuk e ndryshon faktin që ai është i papërshtatshëm si një mjet pagese ose investimi.

Atëherë, si është e mundur që kjo kriptomonedhë të rikthehet me një vlerësim kaq të lartë? Le të shohim disa të dhëna që nga shfaqja e tij e parë në vitin 2009:Vlerësimi më i fundit nga Crypto.com, tregon se rreth 580 milionë njerëz ishin përdorues të kriptomonedhave në vitin 2023.

Pra kërkesa u rrit me rreth 34% në krahasim me vitin 2022. Këtë vit, numri i përdoruesve po vazhdon të rritet. Vitin e kaluar, pronarët e Bitcoin u rritën me 33 për qind, nga 222 milionë në 296 milionë njerëz. Për Ethereum, numri i përdoruesve u rrit me 39 për qind midis viteve 2022 dhe 2023, duke kaluar nga 89 në 124 milionë.

Një numër i madh përdoruesish, i mbajnë të dyja monedhat në kuletat e tyre dixhitale. Në Spanjë  -një shembull i mirë i angazhimit të një vendi me të ardhura të larta në kripto - sipas Komisionit Kombëtar të Tregut të Letrave me Vlerë (CNMV), midis 5-7 për qind e të rriturve pretendojnë se zotërojnë kriptomohedna, me rreth 40 për qind të tyre që mbajnë Bitcoin në kuletat e tyre dixhitale.

Profili tipik i një përdoruesi të Bitcoin përputhet me një djalë të ri, që ose studion ose punon. Ata priren të banojnë në zonat urbane, dhe kanë të ardhura mujore të larta. Ky është një profil befasues, sepse me tipare të tilla mund të pritet një nivel më i lartë edukimi financiar dhe maturi.

Sa i përket çmimit të Bitcoin, ai ka qenë gjithmonë me ulje-ngritje. Çmimi qëndroi afër zeros deri në fund të vitit 2016, vetëm 900 dollarë. Në vitin 2017, ndodhi bumi i parë. Kostoja e tij u rrit në 19.345 dollarë në dhjetor të atij viti. Më pas, gjatë viteve 2018 dhe 2019 pati një rënie.

Në vitin 2020, pati një hov të ri nga 5.000 dollarë - vlerësimi i tij më i ulët, në fillimin e pandemisë në mars - në 27.000 dollarë në fund të vitit. Në nëntorin e vitit 2021, Bitcoin arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 68.700 dollarësh.

Nga kjo vlerë, pati një rënie të konsiderueshme, që e çoi kriptomonedhën deri në vlerën 16.600 dollarë deri në fund të 2022-shit, periudhë që përkon me rritjen e normave të interesit (veprim që zvogëlon ofertën e parasë dhe e rrit vlerën e monedhave tradicionale).

Gjatë vitit të kaluar, ajo përjetoi një rikuperim nga nivelet e saj më të ulëta. Viti 2023 nisi me vlerën 16.500 dollarë - më e ulëta që nga nëntori 2020 - por e mbylli me afro 42.200 dollarë. Që nga tetori 2023, vlera e tij ka ardhur në rritje. Bitcoin e ka nisur këtë vit me vlerën 43.450 dollarë.

Dhe aktualisht është rritur me më shumë se 20 për qind, duke arritur në rreth 57,000 dollarë… dhe jemi ende në fillim të marsit. Kapitalizimi i Bitcoin sot i kalon 1 trilion dollarë, një prag që nuk është arritur që nga nëntori 2021. Pra rrugëtimi i saj është i karakterizuar nga paqëndrueshmëria e madhe, dhe nuk ka asnjë faktor që mund të justifikojë rimëkëmbjen e tij.

Është e qartë se Bitcoin e rifiton vlerën kur tregu sjell fitime më të ulëta për investimet e tjera financiare konvencionale, ashtu siç është e kuptueshme arsyeja pse vlera e tij bie sa herë që rritet çmimi i parave FIAT (paratë e emetuara nga qeveria).

Por megjithatë, lidhja me ngjarjet e botës reale është e paqëndrueshme, dhe argumenti pas përdorimit të kriptos është përgjithësisht i brishtë, teksa çmimi i Bitcoin është subjekt i përcaktuesve jo transparentë. Sa herë që flitet për këtë monedhë dixhitale, janë të përhapura spekulimet dhe manipulimet e tregut.

Kësaj i shtohet edhe perceptimi se vlera e Bitcoin, ka të bëjë me mungesën relative të saj në të ardhmen, pasi ajo ka teorikisht ka një vëllim maksimal prej 21 milionë monedhash (tokens). Gati 19 milionë Bitcoin janë prodhuar tashmë, dhe mbeten pak më pak se 2 milionë.

Ideja e mungesës, përforcohet nga të ashtuquajturat procese të përgjysmimit - të cilat ndodhin çdo 4 vjet, ndërsa tjetri është caktuar për në prill të këtij viti - në të cilin përgjysmohet shpërblimi për nxjerrjen e një blloku të ri. Megjithatë, këto argumente janë të pamjaftueshme për të justifikuar përdorimin e Bitcoin, si investim ose si mjet pagese.

Pra pavarësisht periudhës së re të euforisë, kriptomonedhat mbeten një instrument i pamjaftueshëm për shumicën e investitorëve me pakicë. Po ashtu, ato nuk janë të dobishme si një mjet pagese. Është një aset krejtësisht i pambrojtur, dhe pa asnjë vëzhgim nga mbikëqyrësit.

Marrja përsipër e një rreziku të tilla kaq të madh duket i pakuptueshëm. Mundësitë e fitimit janë mbivlerësuar, dhe humbjet e mundshme nuk janë marrë sa duhet në konsideratë. Duke qenë një instrument kaq jo-transparent, dihet pak për ata që kanë humbur shumë para në tregun e kriptomonedhave. Por duke pasur parasysh profilin e investitorëve të kriptomonedhave, është e qartë se diçka duhet të ketë shkuar keq në edukimin financiar në shumë vende.

Burimi: El Pais/Përshtati:Gazetasi.al

Shënim:Santiago Carbó Valverde, profesor i ekonomisë në Universitetin e Valencias, Spanjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë