"Vdiq Naimi! Po ç’të gjeti.
O moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi! Po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë!"
Kështu e vajtonte Çajupi ikjen e vjershëtorit, intelektualit dhe rilindësit të madh, Naim Frashëri. 120-vjetorin e ndarjes nga jeta nuk ka harruar ta përkujtojë as kryeministri Rama. “NAIMI është mbase i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo e zë me gojë!”, shkruante kreu i qeverisë në profilin e tij në Facebook , duke zgjedhur vargjet e një tjetër poeti të madh shqiptar si Lasgush Poradeci, i cili shkruante për Naimin
"Sikur të shoh, i tmerrshmë Frashër,
Tek po mban zi përgjithmonë,
Ti: më besniku trashëgonjës
I dashuris’ së vendit t’onë"
Më 20 tetor të 1900-s, kur sapo e kishte prekur shekullin e ri, Naim Frashëri i mbylli sytë në Këzëll-Toprak të Stambollit. “S’është as rastësi e as çudi, që një ndër faqet më të bukura e më të ndjera që ka lënë vesveliu i madh Faik bej Konica i përket Naimit, pas vdekjes natyrisht: “Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshmë që shkonin muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri. Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur!
Si në të gjallë, si në të vdekur, Naimi”, shkruante kryeministri në homazhin e tij për Naim Frashërin, ndërsa ftonte për ta kujtuar me mirënojohje duke i lexuar një copëz nga vepra madhështore e “Kush të mundet, me një lule le t’ia zbukurojë vendprehjen. Mos ta harrojmë Naim Frashër Shqipërinë!”Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.
I njohur edhe gur themeli i bektashizmit shqiptar, kryegjyshata Botërore Bektashiane ka çelur “Vitin e Naim Frashërit” m e rastin e 120 vjetorit të kalimit nga jeta dhe veprimtaritë do të vijojnë deri më 25 maj të vitit që vjen kur do të përkujtohet edhe 175 vjetori i ditëlindjes.
“Poeti i madh, bektashiu Naim Frashëri, është e do të mbetet simbol drite, diturie e adhurimi për miliona bektashinj në botë”, është shprehur kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Për herë të parë në vitin 1937, me rastin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë, eshtrat e Naim Frashërit u sollën nga Stambolli dhe u varrosën pranë Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë duke parashikuar për më vonë edhe ndërtimin e një varri të denjë për të. Përurimi u bë i mundur vetëm në vitin 1940. Varri Memorial u ndërtua në oborrin e madh të Kryegjyshatës, i gjithi në mermer të bardhë, në përputhje me stilin monumental të kohës. Mbi të u vendosën simbolet bektashiane dhe një shqiponjë e madhe dykrerëshe e gdhendur po në mermer. Naimi pushoi në këtë memorial, pa e ditur se do ta nxirrnin sërish që andej. Nga qeveria e Enver Hoxhës, që kishte ardhur në pushtet, u gjet rasti i 50-vjetorit të vdekjes së Naimit që varri i Naim Frashërit të gjendej mes gërmadhash dhe të vendosej në qendër të Tiranës, në krahë të Kryeministrisë, aty ku sot është Piramida.
Më 1978-n, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit organizohet në sheshin “Skënderbej” një ceremoni të përbashkët varrimi për Abdyl dhe Naim Frashërin. Eshtrat e Naimit u rinxorën nga vendvarrimi pranë lulishtes së Kryeministrisë. Naimi pushoi më në fund, në varrin e përbashkët me vëllezërit e tij Abdyl dhe Sami në Kodrat e Liqenit.
Prej katër vitesh që Kryegjyshata Botërore, organizon në Paris të Francës ditën naimiane, titulluar “Kultura bektashaine”, me pjesëmarrje nga vende të ndryshme të botës. “Besuam Perëndinë,/ Edhe Muhamet Alinë,/ Hatixhen e Fatimen,/ Edhe Hasan e Hysenë,/ Imamët të dymbëdhjetë,/ Që ishin të vërtetë!”, shkruante Naimi në “Fletorja e Bektashinjve”, botuar në Bukuresht, më 1896-n. Në këtë libër, në sintezë dhe thelb, jepen tezat filozofike-morale me përmbajtje të thellë, që përfshin tërë opusin e Naimit, që kanë vlera të pazëvendësueshme për të njohur botëkuptimin e gjerë të tij poligonal. Këtu, Naimi jep kozmologjinë hyjnore dhe rrugën njerëzore.
Naim Frashëri u lind në Frashër të Dangëllisë më 25 maj të vitit 1846 dhe mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878).
Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.
Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj.. Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore.
Një i tillë vjen nga studiuesi Sabri Hamiti, në këtë 120 vjetor të ndarjes nga jeta të Naimit. Një punim monografik për poetin kombëtar e romantikun e madh shqiptar, Naim Frashëri. “Poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtëruar me pamje të dashurisë”, shkruan Sabri Hamiti në hyrje të monografisë, duke pohuar se “Edhe pse me Naimin na ndan një shekull, gjuha e poezisë së tij mbetet frymëzim edhe sot, si dikur”.
Për studiuese Persida Asllani, libri “Naim Frashëri” është “Naim jete”, sepse “Është një Naim jete, me një lexim të gjatë e ngulmues, shtresëzuar nga përvojat e thella të jetës, nga përvojat edhe më të thella të letërsisë, nga metodologjitë studimore e kritike të subjektivizuara e sidomos nga një përsosje e pashoqe ndër vite e shkrimit për poetin e poezinë, si finalitet fundor i çdo shkrimi për letërsinë. Sepse këtu synon të na kthejë ky libër i autorit, te zanafilla e Naimit, te gjuha e tij e zjarrtë, aty ku më parë Poradeci pat ndjerë poetikisht shenjtërinë e kombit, mendimin e frymëzuar, pasionet e jetës, poezinë e mirëfilltë dhe hyjninë”, do të shprehej Asllani.
“Fatlum në mes të një vëllazërie që rrallë shekujt u falin kombeve, i verbër si një Homer kur bëhej fjalë për begatinë e tij të përveçme, por vizionar e vështrimkthjelltë kurdoherë për të mbrothësuar gjithë një komb, Naim beu, u be guri e gjoksi ku vunë kokën, u prehën, u burrëruan e nxunë, të gjithë ata qe iu mveshën veprës emancipuese rilindase”, e përfundonte homazhin kryeministri Rama.
Një shekull e gjysmë më parë, Naimi i madh që i këndoi dashurisë dhe atdheut si askush tjetër, që hodhi themelet e letërsisë dhe u bë qendra e zgjimit kombëtar uronte:
"Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.