Rend dhe Ligj

Ka rrezik të arratiset, futet në regjimin ‘41-biss’ i dënuari me burgim të përjetshëm, Fran Marashi

Gazeta Si – Fran Marashi, i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e ndodhur në Urën Vajgurore në vitin 1997, është izoluar në regjimin e ashpër “41 biss” në Burgun e Peqinit.

Ky vendim është marrë me urdhër të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, i cili ka vendosur që i burgosuri të qëndrojë në këtë regjim të posaçëm për një periudhë 1-vjeçare.

Sipas njoftimit, nga të dhënat, rezulton se Fran Marashi ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.

“Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve. 

Ai akuzohet për masakrën e Urës Vajgurore të 1997, në të cilën u vranë katër efektivë policie dhe disa të tjerë u plagosën.

Ai po rigjykohet, pasi ishte gjykuar në mungesë, ndërkohë që ka tentuar të arratiset më pas nga burgu i Drenovës së bashku me 7 të dënuar.

Regjimi i posaçëm “41-bis” zbatohet ndaj individëve që kanë kryer vepra të rënda penale në kuadër të organizatave kriminale, terroriste apo bandave të armatosura dhe që përbëjnë rrezik të lartë shoqëror.

“Më datë 13 dhjetor 2024, me Urdhrin nr. 620 të Ministrit të Drejtësisë, i burgosuri Fran Marashi, i biri i Pal dhe i Dile, i datëlindjes 19 shkurt 1978, lindur dhe banues në Shkodër, është vendosur në Regjim të Posaçëm “41-bis” në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë njëvjeçare.

Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, sipas vendimit nr. 31, datë 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: 

– Pjesëmarrje në banda të armatosura 

– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste) 

– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste) 

– Vrasje me dashje 

– Heqje e paligjshme e lirisë 

Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Këto janë parashikuar nga nenet 323/1, 25, 278/2, 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal. Nga të dhënat rezulton se i burgosuri ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion. Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë