Rend dhe Ligj

Trafiku i armëve Kosovë-Shqipëri u zbulua nga agjentë të infiltruar. Pistoletat vinin nga Turqia dhe shkëmbeheshin me kokainë

Gazeta Si – Agjentë të infiltruar nga radhët e policisë janë përfshirë për goditjen e rrjetit të trafikantëve të armëve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Armët kryesisht bliheshin në Turqi dhe Serbi, ndërsa në shumë raste ato montoheshin përmes pjesëve të ndryshme në punishte mekanike në Kosovë.

Sipas burimeve, zanafilla e operacionit nisi pas informacioneve se Valter Osmani, një prej të arrestuarve, ishte organizator dhe personi ndërlidhës i trafikimit të armëve.

Por edhe pas kapjes në muajin maj të 4 personave, ku brenda disa çantave u gjetën 10 pistoleta të trafikuara nga Kosova.

Rrjeti

Për të zbardhur rrjetin e trafikut të armëve, policia shqiptare ka administruar dëshminë e një prej të arrestuarve në muajin maj të këtij viti dhe ky informacion më pas i është dërguar autoriteteve kosovare.

Pas nisjes së hetimit për të provuar shitjet, janë përdorur edhe agjentë të infiltruar.

Nga hetimi, është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive me pjesë të ndara dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri të rregullta.

Trafikantët përdoronin ditën e shtunë dhe të diel për kalimin në kufi për të shmangur kontrollet policore.

Është vërtetuar se shpesh herë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo vetëm me para, por edhe me kokainë.

Baza në Tiranë

Një prej personave të arrestuar në Kosovë në operacionin e përbashkët policor, është nga Tirana, banues në Kombinat.

Policia kreu kontrolle në banesën e tij gjatë operacionit dhe gjeti një pjesë të armëve të sekuestruara, të cilat dyshohet se në ditët në vijim do të shkëmbeheshin me kokainë, banesë që dyshohet se ishte bazë kryesore në kryeqytet.

Ai shkonte shpesh në Kosovë për të marrë dhe gjetur armë, të cilat më pas i sillte në Tiranë edhe me bashkëpunëtorë të tjerë me makina dhe autobus. Ai pritet që në vijim të ekstradohet në Tiranë pasi të gjitha provat kundër tij janë gjetur në Tiranë.

Roli i Euxhenjo Manushit

Këtu futet roli i Euxhenjo Manushit, i arrestuar pak ditë më parë në një operacion antidroge së bashku me Klajdi Serjanin.

Nga hetimet rezulton se Manushi interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë.

Hetimet kanë provuar se në disa episode, Manushi, së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës më lëndë narkotike me vete dhe në kthim kanë sjellë armë zjarri.

Sipas burimeve paraparke, mësohet se këmbimi është bërë në disa raste edhe në zonën e Kombinatit, ku një pistoletë këmbehej me 30-40 gram kokainë.

Ky aktivitet është shtrirë në një periudhë kohe prej gati dy vjeçare, por prokuroria e Tiranës, ka mundur të dokumentojë ligjërisht vetëm 6 raste.

Bëhet fjalë për dhjetarë pistoleta të tipit “Zoran” që kanë hyrë në Shqipëri, përmes disa formave të ndryshme si me mjete të transportit autobuza dhe kufirit të gjelbër.

Episodet

Hetimet zbuluan në tre raste grupin e armëve, ku fillimisht në muajin shkurt 2024, një agjent i infiltruar i Policisë së Shtetit, ka zbuluar episodin e parë të trafikimit të armëve dhe municioneve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Ndërkohë në muajin maj 2024, rasti i kapjes së 10 pistoletave shënoi episodin e dytë, me arrestimin e 3 personave, Edison Thaçi shofer autobusi, Blerim Krasniqi, Benjamin Shala faturino i autobusit dhe Muhamed Krasniqi.

Ky episod pasoi operacionin e kryer në muajin shkurt 2024, ku policia sekuestroi 203 kallëpë tritoli C4, duke shpallur në kërkim dy kosovarët Dritëro Azemi, Flaka Avdullahi dhe duke arrestuar Rigon Maliqin, Shkëlqim Halabaku dhe Lion Pira, të tre nga Gjilani i Kosovës.

Në të dyja rastet policia ka aktivizuar një agjent policor duke krijuar besim tek trafikantët për blerjen e municioneve dhe armëve, kundrejt një shumë prej 1.500 euro secila.

Ndërsa në rastin e tretë, sërish dy agjentë kanë blerë brenda radhëve të grupit të tregtisë së armëve, 6 pistoleta “Zoran”, me një vlerë që varionte nga 900 euro deri në 1 mijë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë