Art dhe Kulture

Elisi dhe Manuela, rruga për tek ëndrra amerikane e 2 artistëve shqiptarë kalon nga arti konceptual

Nga Liridon Mulaj – Ka një dyzim të madh mbi idenë e artit konceptual. Kjo dhe për faktin se i përket një gjinie e cila nga vetë zanafilla është ideuar jo si një paraqitje shabllon e artit por si një koncept shpesh i nënkuptuar dhe si një mesazh që prej secilit vëzhgues recepetohet në mënyrë të ndryshme.

Bananja  e ngjitur në mur, ose vepra “ Komediani”  e artistit italian Maurizzio Catelani , ishte një nga veprat e kësaj gjinie e cila çuditi jo pak njerëz. Kjo vepër u ble në ankand nga Justin Sun, themeluesi i një platforme kriptomonedhe, i cili e bleu për 6,24 milionë dollarë. Lind pyetja,  se çfarë është në të vërtetë arti konceptual dhe a ka ky lloj arti një linjë që e estetizon atë për një sy deri diku masiv, apo gjithçka që artisti koncepton, edhe në nivelet e çmendurisë mbetet art? 

Amerika së paku prej vitit 1970 mbetet trualli i parapëlqyer i artistëve të artit konceptual. Në fakt Amerika këtë dimension e fitoi shumë herët , thuajse prej fillimit të shekullit të 19-të ku shumë shkrimtarë dhe artistë nga Europa , gjetën atmosferën ideale në New Yourkun e viteve  1920 . Dhe si një vend gjithnjë ku risitë në art dhe jo vetëm mbërrijnë të parat, edhe artistët e artit konceptual e synojnë si kryeqendrën e zhvillimit dhe recpetimit të artit të tyre. Por në këtë mori veprash  duhet një edukim i mirë artistik që të orientohesh çka e kthen këtë në një mision të vështirë për artdashësin por dhe për artistin vetë. Në një ambient me kultura dhe kombësi të ndryshme, sa e lehtë është të evidentohesh?

Ndoshta nga fakti se shoqëria amerikane si një shoqëri me qasje oportuniste e bën më të lehtë penetrimin në rrethet artistike. Një oportunizëm i tillë bazohet në vlerat artistike të individit pa harruar dhe fatin, atë për të cilin më së shumti ka nevojë njeriu. Por  në këtë rrjet të komplikuar aftësish dhe përqasjesh ndodh që edhe artistë nga vende të vogla siç është Shqipëria ta gjejnë vendin e tyre. Fundja nuk është më kot trualli i artistëve, sepse si i tillë ka ditur të ndajë artin nga kitschi.

Manuela Gjoka dhe Elis Gjoni, janë dy nga artistët shqiptarë  të “pranuar” tashmë si realitet  në këtë mori të madhe artistësh. Të mbërritur në fillim si emigrantë, veprat e tyre janë ekspozuar në  galëritë më të mëdha  nga Miami në Boston por dhe në hapësira publike duke i bërë kështu këto dy artistë pjesë e panteonit të madh dhe të larmishëm të artit konceptual që aplikohet sot në Amerikë, por dhe pjesë të  artit botëror.

Shqipëria e vogël e Manuelës, dhe ikja në kërkim të hapësirës.

Manuela Gjoka  ka lindur dhe është shkolluar  në Tiranë. Si arkitekte ajo zbulon se fotografia ishte pasioni i saj i madh i cili e shtyu drejt artit. “Under Eather”, “SeaThrough” dhe “Shoë me your story” janë vetëm disa nga punët e saj të ekspozuara në galerinë e Miamit.

Në një interviste për Gazeta Si , ajo rrëfen se rrugëtimi në  Amerikë nuk nisi nëpërmjet artit. -Kam studiuar arkitekture në Shqipëri. Gjithmonë kam pasur një ndjesi që Shqipëria ishte shume e vogel për ëndrrat e mija. Që fëmijë ëndërroja të jetoja në një vend të madh.

Pyetjes se pse kishte zgjedhur të largohej nga Shqipëria, Manuela i përgjigjet se nuk kishte një arsye konkrete .

“Disa njerez e kane të lindur dëshirën për të përjetuar vende të ndryshme dhe mendoj se  ky është rasti im . Duke qënë se rrugëtimi im nisi me  arkitekturën, gjithnjë kam qënë e tërhequr nga fotografia. Dhe në arkitekturë më shume se tek funksioni jam fokusuar tek ndjesia.  Nëpermjet aparatit gjithnjë kam kërkuar aspektin transhendental të arkitekturës. Kur u vendosa në Neë York  në vitin  2016 për të bërë një MBA me fokus menaxhimin e  projekteve , nisa paralelisht  të  bëja foto interieresh për zyrat e Real Estate.  Vëreja një tendencë tek vetja ku kërkoja të shkoja përtej komerciales. Pra mund të them që aty filloi gjithçka”  – shprehet ajo.  

Por ndryshimi i madh në  jeten e saj  ndodhi në vitin  2020 kur Manuela humbi të atin, qendrën e botës së saj siç e shpreh ajo.

“Në atë periudhe u ktheva në Shqipëri dhe pas rreth një viti ku mu desh të merresha kryesisht me punet e lëna përgjysëm të babait, vendosa të bëja një ndryshim tjetër të madh në jetën time. Vendosa të studioj art. Nisa një master në artet e bukura në  Miami Art Institute, dhe më pas u transferova në Barry University.  Ekspozita ime e parë ketu është hapur  një vit pasi fillova studimet në një grup shoë me disa miq e quajtur Studio 7. Aty ekspozova një pjesë të punëve të mia fotografike.  Një ndër to dhe serinë “Under Either” të cilen e kam ekspozuar  edhe këtë vit në  javen e artit në Miami”, shton ajo. 

Nën menaxhimin e kompanisë XP art agency me seli në Gjermani por me shtrirje në të gjithë botë, Manuela tashmë ka fituar një tjetër përmasë duke e konsoliduar veten si një artiste të afirmuar .  Por pyetjes sesi arriti ajo të bëhej pjesë e kësaj agjensie , i përgjigjet se është  takuar rastesisht me agjenten Xenia Roitman  në  një studio të  hapur të disa mikeve të saja.

“Në fillim asaj i bëri përshtypje koncepti që kisha unë në tërësi mbi artin. Në atë periudhë sapo  kisha nisur të  bëja performance art. Dhe e ftova atë në një performancë që do të mbaja  në Andy Gato Gallery.  Erdhi të më suportonte’ dhe’, vijon ajo.

Por përtej anës menaxhirale Manuela rrëfen se edhe pubiku amerikan i ka pëlqyer punët e saja, duke i dhënë një shtysë të madhe.

“Publiku këtu është treguar kaq i dashur me mua. Diçka të cilën e admiroj në  Amerikë është oportuniteti i pafund pa nevojën e nepotizmit. Sigurisht nepotizëm ka në rangjet më të larta por nëse ekziston  talenti dhe bonsensi,  rruga është gjithmonë e hapur” thotë ajo dhe shton se ngrohtësia e publikut ia bën dhe më të pabesueshëm rrugëtimin.  

“Këtë vit isha një nga ekzibitoret në javën e Artit në Miami gjatë Art Basel Miami në një panair të quajtur Feria Clandestina dhe feedbacku që mora ishte kaq i ngrohte, sa ende jam në gjendje mosbesueshmërie”, tregon Manuela. 

Mes arkitekurës dhe artit Manuela i zgjedh të dyja.

“Duke qënë se nuk e kam të lehtë ta leshoj backgroundin tim në Arkitekturë, më pëlqen të realizoj dhe  instalacione. Me këtë lloj zhanri  u përfaqësova dhe  gjatë Art BAsel së bashku me punët fotografike dhe një performancën në natën e hapjes”, shton ajo. 

Edhe pse ajo që ka arritur Manuela në kaq pak kohë është për tu admiruar, ajo ka si qëllim të bëjë art pa u ndalur. Të zhvillojë vizionin e saj mbi artin dhe të përpiqet të shprehë sa më shumë nëpërmjet tij. Por ajo çka e veçon një artist është sesi ai e koncepton të ardhmen, jo vetëm nëpërmjet artit të tij por dhe si aspiratë e një kohë që ia mbërrin.

“-“Nuk e di ku mund të jetë e ardhmja. Jeta është një proces i vazhdueshëm transformimi. Nuk besoj tek qëllimet fundore. Qëllimi është zhvillimi konstant, sigurisht aty ku do të jetë dhe mundësia” mbyll rrëfimin e saj Manuela Gjoka.

Elis Gjoni,  artisti që “zapton” me art, hapësirat publike të Bostonit.

 2 mijë kilometra larg Manuelës, në Boston jeton Elis Gjoni , një tjetër artist shqiptar i artit konceptual . Prej vitit 2015, vit kur Elisi emigroi drejt Shteteve të Bashkuara, ai ia ka dalë të shpalosë disa nga punët e tija në hapësirat publike të qyteteve të ndryshme në Amerikë.  Për Elisin asgjë nuk ka qënë e lehtë. Student i akademisë së arteve të bukura në Tiranë, ai ishte pjesë e gjeneratës së parë të programit Multimedia, i cili sapo ishte implementuar si program masteri në Universitetin e Arteve. I ardhur nga Veriu i Shqipërisë në Tiranë në fundin e viteve 90-të atij i dashur të kalojë disa herë pengësa të ndryshme përgjatë jetës së tij.

“Të ikësh nga provinca për të ardhur në Tiranë, ishte një sfidë me vete”-thotë ai. Përshtatja me një realitet tjetër për të fëmijë ka qënë sa e vështirë po aq dhe e bukur. Por pa e ditur se kjo nuk do të mbetej e vetmja, pasi Elisi si një nga studentët më të mirë të Multimedias dhe një nga ”talentët”  e  artit kontemporan të kohës, pas disa veprave që realizoi në Tiranë, vendosi të emigronte në ShBA për të kërkuar mundësitë e mëdha.

I martuar me Ingridin, dita e tij në Boston nis me rutinën e punës së përditshme e cila i mundëson jetesën, pasi siç thotë ai, ende në Amerikë nuk mund të jetoj përmes artit. Rrugëtimi i Elisit në art nisi në festivalin e filmit me metrazh të shkurtër, 48 orëshi me filmin “ Binjakët”. Më pas veprat e tij kryesisht ato të temës së diplomës por dhe punë të realizuara  për galeri të ndryshme ishin guri i parë i themelit të ndërtimit të artistit por dhe përmbushja e ambicies fillestare e cila e shtyu atë drejt artit si mënyrë jetese.

Ai na rrëfen se një ndër veprat e para të tijat  në Amerikë ishtë “Six Feet”  e realizuar në kuadrin e  Franconia Art Walk NH 2021.  Instalacioni paraqiste një instalim konceptual që eksploronte  ndikimin e pandemisë COVID-19 mbi marrëdhëniet njerëzore  fizike dhe psikologjike por dhe  distancimin shoqëror, dhe realitetin  i ri i krijuar nga hapësira e padukshme, por domethënëse, që  e ndau individin  fizikisht por i  afroi në mënyrë introspektive. Instalim i kuruar për hapësira të jashtme shërbente  si një kujtesë dhe reflektim mbi një periudhë transformuese të përvojës sonë të përbashkët njerëzore.

Kjo vepër i solli Elisit dhe njohje në rrethe më të gjëra artistësh në Boston por dhe në New York.  Pas kësaj vepre, Elisit i cili kishte krijuar  idenë se  arti në hapësira publike është një formë e drejtpërdrejtë komunikimi me individin, iu besua dhe  instalacioni Air Vent ” nën kujdesin e  Open studio Fort point Art Boston, MA 2021.  

“Instalacioni ishtë një vepër e artit kinetik që përdor objekte të përditshme për të krijuar strukturë dhe lëvizje në hapësirat publike , i cili paraqet një ndërveprim të vazhdueshëm midis natyrës dhe objekteve, ku era bëhet pjesë integrale e trupit artistik, duke e vënë atë në lëvizje. Kjo simbiozë midis erës dhe instalacionit pasqyron marrëdhënien time me artin—një lidhje organike dhe instinktive. Lëvizjet janë forca që më frymëzojnë, më sfidojnë dhe më tërheqin, duke krijuar një harmoni të gjallë mes natyrës dhe krijimtarisë” shpjegon ai për Gazeta Si.

Por Elisi edhe pse prej 10 vitesh në Amerikë , nuk i shkëput asnjëherë lidhjet me vendin e tij. Është koherent i zhvillimeve mbi artin konceptual që ndodhin në Shqipëri.

“Më kuriozon natyra e artit konceptual që aplikohet në Shqipëri dhe si elabarohen përjetëimet në një vend ballkanik si yni. Lidhjen me Shqipërinë ma përforcoi dhe më shumë fitimi i çmimit të parë në festivalin e parë të videoartit në Tiranë “ Tiva” ku unë konkurova me veprën “ Judith” një videoart që trajton rrjedhshmërinë e identitetit artistik dhe procesin e pavetëdijshëm të krijimit. Duke vëzhguar Judith-in, fqinjën time prej tetë vjetësh në Abington, MA, zbuloj një kontradiktë intriguese: një individ i zakonshëm, në dukje pa ndonjë atribut të jashtëzakonshëm, bëhet forca që shtyn veprën përpara, duke krijuar një hapësirë ku arti lind nga boshllëku”, tregon ai.

Kur pyetet se a ka ndërmend të kthehet në Shqipëri Elisi tregohet ngurues. – Nuk besoj se mund të ndodhë – thotë ai – por jetës dhe së ardhmes  nuk i dihet kurrë.

“Artisti si emigrant”

Dhe nuk është vetëm kjo e ardhme që i përbashkon Elisin me Manuelen, por edhe e tashmja e cila u përket atyre. Të emigrosh nuk është kurrë një zgjedhje e lehtë. Jeta shpesh vendos barriera të papritura, por kur qëllimi është përmbushja e një misioni të madh, atëherë ka njëfarë legjitimetiti të përfshirë. Arti si mision ka përmbushjen e individit me ndjesi të cilat jeta e përditshme i asimilon.

Artisti ka detyrën që nëpërmjet vokacionin të qëmtojë rrugët e duhura jo vetem të kultivimit dhe formalizimit të  artit nga ide në objekt, por dhe recpetimin e tij tek ai individ i cili  e sheh artin si një arratisje nga e përditshmja dhe ekzistenca. Emigracioni ka format dhe arsyet e tij. Një ndër ta është dhe të emigrosh për të bërë art ose për ti dhënë një hapësirë më të madhe artit. Ndoshta ky mision nuk i transmetohet kujtdo , por ata që ia dalin ta mbërthejnë këtë frekuencë në qenien e vet, janë të destinuar për të qënë artistët e së ardhmes, në mos të mëdhenj, së paku të vërtetë. Elisi dhe Manuela po e bëjnë tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë