Gazeta Si- GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për kalimin e dosjes për gjykim për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Vetëm tre prej të pandehurve kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, konkretisht Silena Tola, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi.
Kjo kërkesë do shqyrtohet në seancën e ardhshme nga një tjetër gjykuese. Në datën 2 gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht mbylljen e hetimeve për 12 personat e akuzuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.
Masat për inceneratorin u lëshuan në dhjetor të vitit 2023, ndërsa për gjykim kanë kaluar Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Tboma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola.
Për inceneratorin e Tiranës, dosja për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, njëherësh ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është ndarë më vete. Kjo për shkak se Bllako po hetohet për një tjetër akuzë, atë të korrupsionit.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për personat e tjerë, të cilët sipas SPAK janë të përfshirë në paligjshmëri në dosjen e inceneratorit të Tiranës, një projekt i parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën e mbi 128 milionë eurove.
Po ashtu, Bllako është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite e 8 muaj për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.Ndërsa pritet vendimi i Apelit të Posaçëm për dosjen e inceneratorit të Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.