Komunitet

“Ushtria” shqiptare e profesionistëve për të “pushtuar” Gjermaninë

Nga Xhuljana Toci - Disa të rinj bisedojnë me zë të lartë pranë hyrjes së një ndërtesë të madhe, duke qeshur herëpashere më njëri-tjetrin. Të tjerë hynjë nxitimthi me shpresën se mësuesit nuk kanë arritur para tyre. Shumica e klasave gumëzhijnë nga nxënësit, të cilët janë miqësuar tanimë me njëri-tjetrin. Qendra e Formimit Profesional pranë Shkollës "Vasil Shanto" në Tiranë është padyshim një vend ku të gjithë janë plot shpresë për të ardhmen. Ata të janë të sigurtë se pas përfundimit të kurseve disamujore, do të shkojnë të punojnë të Gjermani.

Shumica e të rinjve zgjedhin kurse profesionale për saldator, llamarinist, riparues të sistemeve ngrohëse-ftohëse apo elektroaut, pasi sipas tyre janë profesione mjaft të vlefshme në tregun europian të punës.

"Unë jam për llamarinist, pasi në Gjermani kërkojnë shumë profesionistë të kësaj fushe", na rrëfen Endriti, një 21-vjeçar nga Tirana. “Kam mbaruar 5 vjeçarin për mekanik, por kam punuar si llamarinist dhe tani dua të marr një certifikatë. E kam lidhur kontratën e punës në Gjermani, në shkurt më del”, tregon duke buzëqeshur.

Ambientet e brendshme të qendrës së formimit profesional
 

Ashtu si ai, edhe pjesa tjetër e të rinjve që janë regjistruar në kurset shkollës profesionale janë të sigurt se e ardhmja e tyre është Gjermania. Ata shpresojnë se kurset profesionale shtetërore mund të jenë dera më e sigurtë drejt ekonomisë më të madhe të Bashkimit Europian

“Kam dëgjuar që në Gjermani kërkojnë saldatorë, prandaj po vazhdoj këtë kurs”, thotë Xhino Dedja për Gazetën Si. “Sapo të mbaroj do mundohem të lidh ndonjë kontratë pune për në Gjermani”, shton i riu, duke thënë se paga për këtë profesion në tregun shqiptar nuk mjafton as për të mbuluar shpenzimet e përditshme.

Xhino Dedja

Edhe Ernesti, vëllai i tij i vogël dëshiron të nisë një kurs profesional me shpresën se do të mund të punësohet në Europë.

“Më pëlqen kuzhina”, rrëfen ai duke u endur në oborrim e Qendrës së Kursëve Profesionale dhe duke kërkuar me sy të vëllanë. “Por kam frikë së në Gjermani nuk kërkojnë kuzhinierë”.

Lajmi se në ekonomia më e madhe e Bashkimit Europian ka më shumë 600,000 vende pune bosh, duket se ka vënë në lëvizje shumicën e këtyre të rinjve. Xhino thotë se nëse nuk do të kishte zgjedhur profesionin e saldatorit do të kishte vazhduar një kurs për instalues panelesh diellore, sepse miqtë pranë kësaj qendre i kanë treguar se ky është një profesion mjaft i kërkuar në Gjermani.

Ashtu si djemtë, edhe vajzat duket se u janë drejtuar dyerve të qendrës së kurseve profesionale me shpresën se e punësimin në Gjermani ose Zvicër. Një nga degët më të preferuara është ajo e kujdestarëve të fëmijëve. Klasa e këtij kursi është plot e përplot dhe zysh Nevit i duhet shpesh të punojë me orare të zgjatura për të përballuar fluksin e kursanteve.

“Në fund të tre muajve të rejat pajisen më një certifikatë që njihet edhe nga tregu europian- rrëfen ajo- Këtu i mësojmë studentët të gjitha proceset e kujdesjes për fëmijët nga zero deri në gjashtë vjeç. Kjo është dega më e përshtatshme për jashtë pasi certifikatat njihen edhe më shumë sesa diplomat në nivel bachelor apo master që ofrojnë universitet”.

Ambientet e brendshme të qendrës së formimit profesional
 

Tanimë Gjermania ka dalë me një propozim të ri për plotësimin e vendeve vakante në sistemin e shëndetësisë dhe atë të kujdesit ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se forcat e nevojshme për kujdesin shëndetësor në vendin e tij do të trajnohen tanimë jashtë Gjermanisë dhe ka siguruar tanimë një shumë prej 9 milionë eurosh për këtë projekt. Në praktikë do të thotë që Gjermania të shkollojë në vend vetëm fuqinë punëtore për të cilën ka nevojë, me qëllim që ata ta lenë përgjithmonë vendin e tyre.

Zysh Nevi na rrëfen se të gjithë instruktorët e kësaj qendre janë trajnuar nga profesorë gjermanë, të cilët punojnë pranë zyrës së GIZ-it në Shqipëri.

“Të gjithë ne instruktorët ndër vite jemi trajnuar nga pedagogë gjermanë. Jemi të certifikuar dhe të trajnuar nga GIZ-i. Unë po bëj tetë vjet që punoj si instruktore dhe të gjitha metodikat dhe formonim profesional e kemi marrë nga GIZ-i. Janë jashtëzakonisht shumë të përgatitur”, thotë ajo. 

Nga pikëpamja gjermane kjo strategji është një përfitim i dyfishtë: nga njëra anë gjendet fuqia punëtore kaq e nevojshme, nga ana tjetër shkollimi kushton shumë pak ose aspak për kushtet gjermane. Në mbështetje të kësaj strategjie, presidenti i Diakonisë deklaroi se: “Nuk ka rrugë tjetër, duhet të kualifikojmë vetë në Afrikë, Lindjen e Largët apo Europën Lindore. Avantazhi është i qartë: Fuqia punëtore vjen e gatshme me diplomë në Gjermani."

Edhe pse ka shkaktuar mjaft entuziazëm tek të rinjtë që trajnohen pranë kësaj qendre, ky lajm është pritur me mjaft skepticizëm nga vendet e rajonit. Autoritetet maqedonase për shembull shprehen se projekte të tilla nxisin largimin e të rinjve të shkolluar. Në gjysmën e parë të vitit 2015, Gjermania mori më shumë kërkesa për azil nga Ballkani Perëndimor sesa nga Siria. Shumica e këtyre kërkesave vinin nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe pse kanë kaluar gati katër vite, të dyja vendet vazhdojnë të përballen me një plagë të madhe sociale: ikjen e trurit.

“Stoku” i infermierëve në Shqipëri

Lajmi se në të gjithë Gjermaninë do të punësohen 13.000 infermierëve ka bërë që edhe një pjesë e bluzave të bardha tu drejtohen zyrave të ambasadës për punësim në Gjermani.

Tregu shqiptar duket se është një parajsë e vërtetë për Gjermaninë, pasi rreth 6000 infermierë janë të papunë për shkak të raportit të zhdrejtë prej vitesh ku diplomohen 3 fish më shumë se sa nevojat e tregut. Kjo është arsyeja përse profesionistët e shëndetit po mësojnë gjermanishten.

Në spitalet publike dhe jo publike hapen mesatarisht 550 vende të reja pune për infermierë në një vit, ndërkohë që diplomohen 1200-1500 vetë. Ky raport i zhdrejtë të diplomuarish dhe të punësuarish sipas Urdhrit të Infermierit, ka krijuar një stok prej 6000 profesionistësh të shëndetësisë në treg.

Sabri Skënderi në një eksperiencë prej 12 vitesh në drejtim të Urdhrit të Inferimerëve thotë se pamundësia për të pasur një punë, ka detyruar një pjesë të bluzave te bardha të kërkojnë tregje të huaja. “Për vitin që kaloi mund të kenë ikur rreth 700 infermierë. Mendoj se ky vit do ketë lëvizje edhe më të madhe. Deri në fund të vitit mund të lëvizin 300-500 të tjerë”, na rrëfen ai.

Të njëjtin alarm ngre edhe Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve, i cili thekson se Shqipëria nuk ka asnjë shans në një treg të pambrojtur. “Nuk e di ku ta gjej një arkë me para për të ndaluar këtë fenomen. Kushtet e punës jashtë janë arsyeja kryesore pse mjekët duan të braktisin vendin", thotë ai.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një studim i Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri zbuloi se 78% e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga vendi, për shkak të mungesës së seriozitetit në punë, pagave të ulëta dhe kushteve të vështira.

Ndërkohë, në Gjermani, problemi i injoruar me vite i mungesës së personelit në përkujdesin shëndetësor ka arritur në nivelet më të larta të politikës gjermane.

Për shkak të mungesës së infermierëve, shumë të moshuar në qendrat nuk marrin kujdesin e duhur. 36.000 vende pune në infermieri janë të pazëna, 15.000 prej tyre në qendrat e të moshuarve. Akoma më urgjente paraqitet gjendja në kujdesin shëndetësor në shtëpi. Sipas prognozave, deri në vitin 2060 numri i të moshuarve që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor do të rritet nga 2,86 milionë aktualisht në 4,5 milionë në Gjermani.

Ligji i ri për “thithjen e fuqisë punëtore” nga Ballkani

Të parët në radhët e atyre që aplikojnë për një vizë pune në Ambasadën Gjermane janë teknikët e IT, elektricistët, saldatorët, mekanikët dhe kujdestarët e të moshuarve. Përpara se të aplikonte për kontratën e punës, Endriti tregon se kishte vazhduar paralelisht me kursin profesional, kishte vazhduar edhe një kurs disa mujor për të mësuar gjuhës gjermane. Ai rrëfen se qendra ku mësoi gjermanisht qëndronte hapur deri në orën 23:00 dhe se shumica e rinjve atje ishin me arsim profesional.

Ekspertët vlerësojnë se Gjermanisë i nevojitet një emigracion prej 400 mijë emigrantësh në vit, në mënyrë që të mbulojë ‘vrimat’ në tregun e punës, e sidomos për punët që kanë nevojë për kualifikime. Tanimë ajo ka miratuar një ligj të ri për lehtësimin e procedurave për thithjen e fuqisë punëtorë.

Ligji i ri do të heqë pengesat e tregut të punës për qytetarët jashtë BE-së, të cilët janë të kualifikuar dhe kanë aftësitë të mira në njohjen e gjuhës gjermane. Nëpërmjet projektligjit të ri, kompanive do t’u lejohet të rekrutojnë punëtorë të huaj në të gjitha profesionet, pavarësisht listës zyrtare të sektorëve që vuajnë mungesa të krahut të punës. Ai përcakton punësimin e punëtorëve për profesione si kuzhinierë, punëtorë metalurgjie ose teknik IT.

Sipas rregullave të reja, përveç të diplomuarve, ligji mundëson edhe punësimin e njerëzve me arsim profesional. Emigrantët do të lejohen të qëndrojnë gjashtë muaj në Gjermani dhe të kërkojnë punë.
Nëse punësohen në profesionet ku ka mungesë akute të punëtorëve të kualifikuar, emigrantët nuk do të kenë nevojë t’u vërtetojnë autoriteteve gjermane se janë të kualifikuar. Në të njëjtën kohë, qeveria gjermane merr përsipër të informojë më së miri aplikantët e mundshëm jashtë vendit dhe t’i drejtojë ata nëpër xhunglën e administratës gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë