Gazeta Si – Pak minuta nga nisja e seancës për masën e sigurisë në GJKKO ndaj Ergys Agasit, me kërkesë të avokatit mbrojtës, është ndërprerë seanca për të rinisur në mesditë.
Avokati Maks Haxhia ka kërkuar të njihet me dosjen, ndërsa pritet që seanca të rinisë në orën 12:00 të ditës së sotme.
Agasi mbërriti në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i shoqëruar nga forca të shumta sigurie.
Ndaj Agasit është vendosur më herët masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, ndërsa ai ka qenë i shpallur në kërkim.
Në seancën e sotme, gjykata do të shqyrtojë masën e sigurisë të vendosur ndaj tij. Në këtë fazë, vendimi i gjykatës lidhet me masën e sigurisë dhe nuk përcakton fajësinë apo pafajësinë e Agasit.
Masa e sigurisë mund të kundërshtohet dhe të rivlerësohet në vijim të procesit, ndërsa përgjegjësia penale do të përcaktohet në bazë të provave dhe vlerësimit të gjykatës.
Prej muajsh në arrati, Agasi u arrestua në 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës nga Forcat Operacionale të Policisë, teksa ishte duke lëvizur me automjet. Pas disa orësh, ai u shoqërua për në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza” në Tiranë.
Së bashku me Agasin, në makinë ka qenë edhe Ulian Shpataraku, që është shoqëruar gjithashtu nga forcat blu.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, doli me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, si dhe të ish-efektivit, Ulian Shpatarakut.
SPAK sqaroi se Agasi është nën hetim që prej vitit 2025, e ndaj tij rëndojnë dyshime për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, grup i strukturuar kriminal, pastrim i produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua pak kohë më parë në Francë, akuzohen për “grup të strukturuar kriminal” dhe “manipulim me tenderët” e ASHKI-t.
Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndodhen drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në “detyrim paraqitje”.
Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të një hetimi të SPAK. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me fondet publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për dyshime mbi përfshirjen e tij në skema të përfitimit të paligjshëm, në bashkëpunim me persona të tjerë dhe zyrtarë shtetërorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje