Lajme

Ulet besimi për një rimëkëmbje ekonomike të shpejtë

Aksionet kanë regjistruar rënien më të madhe javore në përqindje në afro dy muaj gjatë javës së kaluar, një shenjë kjo që rritjet e fundit të çmimeve të tyre janë një rrugë e gjatë dhe e dhimbshme përsa i përket rimëkëmbjes ekonomike.

Teksa shumë investitorë qëndrojnë me shpresë se masat stimuluese nga bankat qëndrore dhe qeveritë do të lehtësojnë presionin e ekonomisë botërore, ka një besim në rritje se rënia e ekonomisë nga pandemia e koronavirusit mund të zgjasë më shumë seç pritej.

S&P 500 ka rënë me 2.3% gjatë javës së kaluar, duke regjistruar kështu rënien më të madhe javore që prej luhatjeve ekstreme që ndodhën gjatë mesit të marsit. Aksionet kanë kërcyer me 28% në çmim mbi nivelin e tyre më të ulët që e kishin në mes të marsit, por ndërkohë vazhdojnë të qëndrojnë 15% më ulët se niveli më i lartë, që ka qënë gjer më tani, në shkurt.

Shumë investitorë tregohen të kujdesshëm përsa i përket leximit të tepërt të lëvizjeve të tregut. “Do të kemi një maratonë për ekonominë gjersa të arrijmë në atë gjëndje siç ishim përpara krizës”, shprehet Mona Mahajan, stratege investuese për Allianz Global Investors.

Gjatë krizës financiare, aksionet kanë përjetuar disa ulje e ngritje me nivelin e tyre më të lartë në tetor të 2007-s dhe me nivelin e tyre më të ulët në çmim në mars të 2009-s. Ndonëse u duk në fillim sikur e kishin lënë pas krizën e kredive hipotekore pas disa muajsh ato ranë në mënyrë të ndjeshme. Nga fundi i 2008-s u pa një rritje prej 24% por më pas ato pësuan kolaps përsëri përpara se të binin në nivelin e tyre më të ulët historik gjatë marsit të 2009-s.

Kështu shumë analistë shprehen se shpejtësia me të cilën po luhatet tregu këtë vit e bën krizën nga koronavirusi unike e shumë të vështirë për të parashikuar trajektoret e mëpasshme.

“Pritet të ketë akoma e më shumë informacione që nuk janë reflektuar në bursat e aksioneve”, shprehet Nela Richardson, nje stratege investimesh për Edward Jones. “Do të ketë shumë luhatje”, shton ajo.

Investitorët këtë javë do të monitorojnë humbjet javore të vendeve të punës sipas vlerësimeve që që nxirren nga autoritetet amerikane si dhe treguesit e “IHS Purchasing Managers Indexes” që vlerësojnë aktivitetin ekonomik tek segmentet e shërbimeve dhe prodhimeve në tregun amerikan. Fitimet nga shitësit me pakicë duke përfshirë këtu Walmart dhe Home Depot do të jenë gjithashtu në fokus për investitorët.

Aksionet e kompanive me sensivitet të lartë ndaj gjëndjes së ekonomisë aktuale kanë qënë ndër performueset më të këqija gjatë javës së kaluar me sektorin industrial e atë financiar të indeksit S&P 500 në rënie prej 5.7% ose më shumë, secila prej tyre. Aksionet e “Bank of America” kanë rënë me 9% dhe prodhuesi “Deere & Co” ka rënë me 8%.

Këto rënie të fundit në çmimet e aksioneve kanë ardhur pas paralajmërimit të drejtorit të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, zotit Anthony Fauci, mbi rihapjen e ekonomisë më herët seç duhet. Drejtuesi i rezervës federale Jerome Powell gjtihashtu e ka vlerësuar perspektivën ekonomike si shumë të paqartë dhe është shprehur se mund të nevojitet për më tepër stimuj financiarë nga kongresi amerikan për të mbështetur rritjen ekonomike.

Shtëpia e Përfaqësuesve (House of Representatives) kaloi së fundmi një mandat që do të lejonte shpenzimin e 3 bilionë dollarëve për mbështetjen e ekonomisë por liderët republikanë thonë se legjislacioni si zor të kalojë në senatin amerikan.

Investitorët janë duke pritur nëse kompanitë madhore të teknologjisë që gjer më tani kanë qënë shytllat e rimëkëmbjeve të tregjeve financiarë do të vazhdojnë të mbështesin indekset madhorë. Si rezultat i normave të interesave shumë të ulëta rreth botës, disa shprehen se nuk ka shumë alterantiva të tjera përvçese mbajtjes në portofolë investimesh aksionet e kompanive të mëdha teknologjike që mund të vazhdojnë të kenë rritje të shitjeve ndonëse një pjesë e madhe e konsumatorëve janë të izoluar në shtëpi. Por disa analistë paralajmërojnë se dhe kompanitë e mëdha teknologjike si Apple dhe Mircrosoft do të goditen nëse kjo gjendje ekonomike e rënduar vazhdon akoma.

Firma në industri të ndryshme të ekonomisë janë detyruar t’i reduktojnë shpenzimet si dhe t’i rishikojnë objektivat e tyre të mëparshëm përsa i përket niveleve të fitimeve, gjë që tregon kërcënimin afatgjatë më të cilën po përballen aksionet. Sipas Goldman Sachs gjatë tremujorit të parë 180 prej 500 kompanive të S&P 500 kanë diskutuar tërheqjen e projeksioneve të tyre financiarë.

“Ka kaq shumë pasiguri sa nuk e dimë seç na pret”, shprehet drejtuesi ekzekutiv David Abney i United Parcel Service në një konferencë për shtypin përsa i përkiste fitimeve të kompanisë. UPS është detyruara t’i reduktojë në mënyrë të ndjeshme shpenzimet si dhe t’i pezullojë blerjet e aksioneve të saj për këtë vit ndonëse shërbimi i dërgesave në shtëpi nga kjo kompani ka pësuar rritje. Aksionet e UPS ranë me 4% javën e kaluar.

Në prill një indeks i paqartësisë ekonomike dhe politike botërore, i krijuar nga profesorët e Universitetit Northwestern, Universitetit Stanford dhe atij të Çikagos, është ngritur në nivelin e tij më të lartë rekord që prej nisjes së regjistrimeve të tij në 1997-n.

Në të njëjtën kohë disa investitorë qëndrojnë optimistë se masat stimuluese eventualisht do të mbështesin fitimet e korporatave pavarësisht kohëzgjatjes së krizës. “Sa vjen e ulet numri i njerëzve që besojnë se rimëkëmbja ekonomike do të ketë formën e një V-je”, shprehet zonja Nela Richardson përsa i përket basteve e parashikimeve në fillim të vitit mbi mundësinë e një rimëkëmbjeje të shpejtë ekonomike.

Ky artikull është marrë nga Wall Street Journal dhe është përshtatur në shqip nga Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë