Analize

Turqia e izoluar nga BE-SHBA, por Rama mban sytë nga Erdogan

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë të papritur në Turqi duke “braktisur” Parlamentin shqiptar në seancën e fundit dhe duke iu rikthyer takimeve me mikun e tij, Rexhep Taip Erdogan. Një udhëtim i beftë që përkon me përvjetorin e grushtit të shtetit që përjetoi Turqia tre vite më parë.

Nga Kryeministria nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi këtë takim, ndërsa burimet pohojnë për Gazetën “Si” se Rama do të jetë jashtë Shqipërisë deri të martën. Vetë kryeministri do të preferonte të jepte “lajmin” e takimit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku po drekonte sëbashku me presidentin turk dhe një person tjetër, emri i të cilit u zbulua vetëm nga njoftimi i Presidencës turke se ishte ministri i Thesarit dhe i Ekonomisë, Berat Albajrak.

Sipas medieve turke, biseda mes tyre u përqendrua te marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe çështjet e rajonit të Ballkanit.
Erdogan priti mikun e tij, kryeministrin shqiptar në rezidencën private në Marmara, ku presidenti turk po veron dhe ku mediat shprehen se janë të paktë ata vizitorë që kanë pasur rastin ta shohin.

Edi Rama dhe presidenti Erdogan


Udhëtimi i kryeministrit drejt Turqisë është zhvilluar në momentet kur Shqipëria po përjeton krizë dhe pas shumë vitesh kur Shqipërisë i kanë munguar investimet huaja nga shtetet e BE-së. Mes Turqisë dhe Shqipërisë në lojë është edhe ngritja e kompanisë Air Albania, e cila shihet edhe si “molla e sherrit” mes vendit tonë dhe BE-së. Udhëtimi i Ramës gjithashtu ndodh në një moment izolimi total që BE por edhe administrata amerikane e Donald Trump po i bën Erdoganit.
Ndërkaq miqësia me Erdogan mund të shihet edhe si një zgjatim periferik i rivalitetit ndërmjet presidentit Meta dhe kryeministrit Meta. Kështu, në maj të këtij viti presidenti Meta do të merrte pjesë në inaugurimin e xhamisë së re të Stambollit Çamlica. Mungesa e Ramës në këtë ceremoni do të cilësohej në media si ftohje mes tij dhe Erdogan.

Si komentohet afrimi i Erdogan dhe Ramës
Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu shprehet se vizita të tilla të Ramës drejt Lindjes ndodhin sa herë që në Shqipëri ka kriza. “Rama e ka futur Shqipërinë në një krizë të thellë të demokracisë, drejt një despotizmi Lindor, duke u larguar çdo ditë me shpejtësi nga vlerat e mëdha Perëndimore. Rajoni është në rrezik destabilizimi nga ideja e “shkëmbimit të territoreve”, që bazohet mbi ëndrrën e Serbisë së Madhe dhe që mbështet nga treshja Vuçiç, Thaçi, Rama, si dhe nga ata Lindorë, që duan ta mbajnë atë larg BE për interesa te tyre, diametralisht të kundërta me tonat. Prandaj shqiptarët rrezikohen që në vend të integrimit, të largohen nga familja jonë europiane, për të ngelur peng të Lindjes”, shprehet Shehu.
Për Shehun kjo mund të ndikojë edhe në raportet e Shqipërisë me BE-në, ku shpeshherë Erdogan po kritikohet për pushtetin e përqendruar në duart e tij dhe se tashmë Unioni e sheh Turqinë jashtë kësaj familjeje europiane.

Tritan Shehu


“E kemi provuar dy herë në histori këtë tragjedi, gjatë pushtimit otoman dhe gjatë atij komunist. Fytyra jonë duhet të jetë e kthyer vetëm drejt Perëndimit, veçanërisht në momente të vështira historike si sot. E ardhmja jonë është veçse aty, hallet dhe problemet në qoftë se duam t’i zgjidhim në përputhje me aspiratat tona të mëdha, duhet t’i diskutojmë vetëm aty. Ndërmjetësimet e dobishme dhe të besueshme politike për ne mund të vijnë vetëm nga Perëndimi. Perëndimi qartësisht e ka shprehur këtë vullnet, por që fatkeqësisht deri më sot kjo ka rënë në “veshin e shurdhër” të Ramës”, shprehet Tritan Shehu.

Afrimi mes dy liderëve të Shqipërisë dhe Turqisë ka qenë shpeshherë edhe në fokusin e medias ndërkombëtare, duke kritikuar në jo pak raste edhe faktin se Tirana zyrtare duhet të vendosë për rrugën e saj. Në një analizë të The Global List, analisti Alon Ben-Meir shkruan se Shqipëria duhet që të zgjedhë mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Në artikull theksohet se Turqisë dhe Erdogan i pëlqen të luajë një rol aktiv në Ballkan si një “Sulltan” i pushtetit iluzionar të dikurshëm osman në Ballkanin Perëndimor.


“Qëllimi i Erdoganit është të sigurojë një dozë të vogël zhvillimi ekonomik në Shqipëri, derisa vendi më në fund i nënshtrohet ndikimit të tij. Megjithatë, nëse Shqipëria po synon të shkojë drejt Bashkimit Europian, siç thotë zyrtarisht, duhet të jetë e kujdesshme për atë që dëshiron. Nuk duhet të lejojë Erdogan që të dominojë vendin. BE nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri në Bashkimin Europian që është thellësisht i lidhur me Erdogan, veçanërisht tani që dëshira e tij e zhveshur për të dominuar në Ballkan është e qartë për të gjithë”, thuhet në analizën e The Global List.
Në rrjetin social gazetari analist shkruan gjithashtu se nuk ka parë ndonjë udhëheqës tjetër të shteteve perëndimore që të ketë qenë i ftuar në vilën private të Erdogan si Rama.


Izolimi i Turqisë nga SHBA-ja dhe BE-ja
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Turqi vjen në një nga momentet më të errëta në jetën politike të presidentit Erdogan. Me blerjen e raketave ruse dhe kërkimet për naftë në ujërat e Qipros, ai është izoluar tanimë jo vetëm nga SHBA-ja por edhe nga Europa, e cila ka vendosur për herë të parë sanksione ekonomike ndaj Ankarasë. Afrimi i Turqisë me Moskën ka alarmuar aleatët perëndimorë të Turqisë, duke çuar edhe në raporte për largimin e Ankarasë nga NATO-ja.
Kursi antiperëndimor i Erdoganit duket se filloi me grushtin e shtetit dhe burgosjet, përndjekjet politike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që pasuan këtë përpjekje për rrëzimin e tij. Vitin e kaluar, Turqia është përballur me sanksione të pashembullta ekonomike nga SHBA-ja, por në vend të reflektimit, izolimi ekonomik duket se i shërbeu presidentit turk si një mjet për t’u afruar edhe më shumë me armiqtë tradicionalë të Uashingtonit: Rusinë dhe Iranin.

Por blerja e armëve ruse dhe ekspedita e rrezikshme në brigjet e Qipros ka qenë edhe një kambanë alarmi edhe për fqinjët e Turqisë. Në vizitën e tij të parë në Uashington, dy ditë pas emërimit, ministri i Jashtëm i grek Nikos Dendias i kërkoi hapur SHBA-së që ta mbronte Greqinë nga Turqia. Në takimin e tij me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo, Dendias kërkoi një “linjë të pastër komunikimi” mes Athinës dhe Uashingtonit në rast se lind ndonjë konflikt me Turqinë.
Ai i deklaroi Pompeos se Ankaraja po shkakton tensione të pashembullta në Egje dhe jashtë Qipros dhe po vazhdon shpimet për naftë dhe gaz në ujërat sovrane të ishullit pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare. “Amerikanët do t’i përgjigjen shqetësimit tonë”, tha Dendias në fund të takimit.

Deri më tani, presidenti Donald Trump i ka rezistuar presionit lidhur me vendosjen e sanksioneve te reja ndaj Turqisë, edhe pse ligjvënësit republikanë dhe demokratë i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të merrnin masa të menjëhershme për blerjen e sistemit mbrojtës ajror rus S-400.
Pas muajsh tensionesh të tejzgjatura mbi blerjen e armatimeve ruse, Moska dërgoi në Ankara më 12 korrik pjesët e para për instalimit e sistemit “S-400”, duke alarmuan SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Pesë ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë njoftoi zyrtarisht se kishte anuluar vendosjen e avionëve “F-35” në Turqi, për shkak të kërcënimit nga inteligjenca ruse.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar po ashtu se mund të anulojë një sërë kontratash të tjera për prodhimin e pjesëve të avionëve luftarakë në Turqi, duke i hequr kështu nga duart presidentit Erdogan 9 miliardë dollarë përfitime ekonomike.


Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur presidenti turk të vazhdojë përpara me kursin antiperëndimor. Mediat turke shkruajnë se Erdogan po merr në konsideratë ofertën e Moskës për të blerë avionët ruse pas tërheqjes së SHBA-së. Sergei Chemezov, kreu i konglomeratit industrial Rostec, u tha gazetarëve të enjten se Moska është gati të furnizojë Ankaranë me avionë “Su-35″, një prodhim i ngjashëm me avionët amerikanë “F35”.

Sanksionet e BE-së
Por këtë verë, presidenti Erdogan është izoluar edhe nga Bashkimi Europian, i cili ka kërcënuar se do të marrë masa të mëtejshme nëse Turqia nuk ndalon eksplorimin e hidrokarbureve pranë ishullit të ndarë të Qipros. Të hënën, Brukseli vendosi sanksione ndaj Ankarasë për “shpime të paligjshme” në ujërat territoriale të një anëtari të BE-së, Këto sanksione përfshinin përfundimin e takimeve të nivelit të lartë, mosdhënien e kredive nga Banka Europiane e Investimeve dhe pezullimin e bisedimeve mbi marrëveshjen e transportit ajror ndërkombëtar.

Po ashtu, Bashkimi Europian ka vendosur të frenojë kontaktet dhe fondet për Turqinë. “Pavarësisht synimeve tona më të mira për të mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i tensioneve dhe sfida ndaj sovranitetit të Qipros në mënyrë të pashmangshme do ta detyrojë BE-në për t’u përgjigjur në solidaritet të plotë”, tha Donald Tusk, president i Këshillit Europian. “Në dritën e shpimeve të paligjshme të Turqisë, ne kemi vendosur të pezullojmë negociatat mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe të mos mbajmë takime të mëtejshme të nivelit të lart”, shtoi ai. Nga viti 2014 deri në vitit 2020, BE-ja do t’i jepte Turqisë 4.45 miliardë euro për reforma politike, bujqësi dhe projekte të tjera për ta ndihmuar atë të përgatitej për anëtarësimin përfundimtar të bllokut. Po ashtu edhe vitin e kaluar, Brukseli tërhoqi 175 milionë euro për të protestuar kundër shkeljes të të drejtave të njeriut në Turqi.

Megjithatë Ankaraja ka hedhur poshtë sanksionet, duke thënë se BE-ja duhej të merrte këto vendime të pavlefshme vetëm për të kënaqur grekët qipriotë,” u tha gazetarëve turk Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu në një konferencë shtypi.
BE është gjithashtu e vetëdijshme se çdo sanksion i rëndësishëm financiar ose ekonomik mbi ekonominë tashmë të dobësuar të Turqisë mund të jetë një thikë me dy presa, por tabi për tani është e vendosur për izolimin e Turqisë.


“Kompanitë evropiane, italiane, holandeze, gjermane dhe britanike investuan shumë në Turqi”, tha profesoresha e shkencave politike Cengiz Aktar nga Universiteti i Athinës. “Në të vërtetë, BE-ja do të donte të shmangte hakmarrjen kundër Turqisë. Ajo nuk dëshirojë ta shtyjë Turqinë në prehrin e Rusisë, ky është shqetësimi strategjik i BE por edhe i SHBA-së”, thekson ajo.
Megjithatë, Erdogan ka vendosur të injorojë këto paralajmërime, duke dërguar një anije të tretë kërkimore në ujërat e Qipros.
Analistët paralajmërojnë se Ankaraja po luan me zjarrin, duke rrezikuar të përjashtohet gjithnjë i ka mbivlerësuar aftësitë e saj”, tha Akt. “Kjo është politika e gabuar, dhe si rezultat mund të cojë në largimin e mëtejshëm të Ankarasë nga aleatët e saj në Evropë dhe Amerikë. Turqia tashmë ka përjetuar të gjitha këto kriza para mbi Qipron, por këtë herë Perëndimi duket se është i bashkuar kundër saj.

Nga ana tjetër, pas humbjes në zgjedhjet lokale të Stambollit, Erdogan është më i dobët se kurrë. Tani ai është kreu i shtetit, kreu i partisë së tij dhe kreu i qeverisë, por po drejton një shtet që po shkon drejt kolapsit. Ai po i premton vendit të tij një të ardhme të lavdishme, mes një krize të pashembullt ekonomike. Analizat ndërkombëtare vlerësojnë se në këto momente, Erdogan është një populist pa një strategji populiste dhe pa asnjë plan të besueshëm për të parandaluar izolimin e vendit nga Perëndimi. Shumë analistë thonë se me rritjen e pushtetit, ai është bërë gjithnjë e më i izoluar në sferën ndërkombëtare, duke gjetur strehë tek presidenti rus, Vladimir Putin, Katari apo Irani. Pas përplasjeve me BE-në dhe SHBA-në, Erdogan mund të ndërmarrë një ndryshim të politikës së jashtme që do të çonte në largimin e Turqisë nga NATO dhe krijuar lidhje më të forta politike me Rusinë, Kinën dhe Iranin. Si mjet presioni, ai mund të lejojë gjithashtu që tre milionë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi, të shkojnë drejt BE-së. Me siguri Erdogan do ta gjejë një mënyrë për të mbijetuar, por ekonomia turke jo.

 

Më Shumë