Analize

BE sanksione Turqisë: Ndaloni kërkimet për gaz në Qipro!

Pas një sërë paralajmërimesh, Bashkimi Europian ka vendosur të frenojë kontaktet dhe fondet për Turqinë në hakmarrje për kërkimet e paligjshme për gaz dhe naftë në Qipro. Madje në në deklaratë të publikuar së fundmi, BE-ja është shprehur e gatshme të vendosë edhe të tjera sanksione nëse Ankaraja nuk largon anijet nga zona ekskluzive e ishullit.

Reagimi i BE-së erdhi pasi Nikozia dhe Athina kanë ngritur prej javësh alarmin për ndërhyrjen turke në zonën ekonomike ekskluzive të Qipros, duke i kërkuar Bashkimit Europian të marrë masa ndëshkimore kundër sajë, e madje duke kërcënuar edhe me veto për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë blloku europian duket se ka vendosur të veprojë hap pas hapi, duke u kujdesur që të mos rrisë edhe më shumë tensionet me një partner të rëndësishëm si Turqia.

"Pavarësisht synimeve tona më të mira për të mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i tensioneve dhe sfida ndaj sovranitetit të Qipros në mënyrë të pashmangshme do ta detyrojë BE-në për t'u përgjigjur në solidaritet të plotë", tha Donald Tusk, president i Këshillit Evropian. "Në dritën e shpimeve të paligjshme të Turqisë, ne kemi vendosur të pezullojmë negociatat mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe të mos mbajmë takime të mëtejshme të nivelit të lart”, shtoi ai.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Këshilli i BE-së i bëri thirrje Bankës Europiane të Investimeve që të shqyrtojë huadhëniet në Turqi, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë ekonomisë turke.

Nga viti 2014 deri në vitit 2020, BE-ja do t'i jepte Turqisë 4.45 miliardë euro për reforma politike, bujqësi dhe projekte të tjera për ta ndihmuar atë të përgatitej për anëtarësimin përfundimtar të bllokut. Po ashtu edhe vitin e kaluar, Brukseli tërhoqi 175 milionë euro për të protestuar kundër shkeljes të të drejtave të njeriut në Turqi.

Por, blloku europian ka nevojë për Turqinë në çështje të tilla si siguria dhe emigracioni. Një diplomat i BE-së i përfshirë në diskutimet e fundit tha për Reuters se sanksionet e reja që mund të ndërmarrë BE-ja do të jenë të kufizuara, për shkak të frikës ndaj një kundërpërgjigjeje të mundshme nga ana e Turqisë.

"Ne jemi duke u përpjekur të veprojmë me kujdes sepse kemi nevojë për Turqinë për mbajtjen nën kontroll të emigracionit dhe luftën kundër terrorizmit”, deklaroi ai.

Ndërkohë që Nikozia ka kërkuar një gjuhë më të ashpër ndaj Turqisë disa shtete të tjera të BE ishin të kujdesshme për mbylljen e të gjitha kanaleve të nivelit të lartë të komunikimit me Ankaranë, duke theksuar se Unioni varet nga Turqia për të ndalur emigracionin që vjen nga Lindja e Mesme në Evropë.

BE ka ngrirë bisedimet e anëtarësimit të Turqisë dhe negociatat mbi përmirësimin e bashkimit të tyre doganor, duke akuzuar Erdogan për shkelje të gjerë të të drejtave të njeriut.

Ankaraja paralajmëron BE-në për "gabimin historik"

Megjithatë, Turqia hodhi poshtë kritikat e Greqisë dhe BE-së se kërkimet në Qipro ishin të paligjshme.

Të enjten, zëdhënësi i partisë qeverisëse AK tha se sanksionet kundër Ankarasë do të ishin një gabim i madh i BE-së. "Kjo do të ishte një mungesë e madhe e vizionit dhe një gabim historik për BE", u tha gazetarëve Omer Celik.

"BE duhet të veprojë mbi parimet demokratike në vend që të mbajë anën e grekëve qipriote. Duhet të krijohet një mekanizëm i përbashkët, ku pala turke të trajtohet si e barabartë dhe ndarja e fitimeve të bëhet në bazë të një mekanizmi të shëndoshë" shtoi Çelik. Ai tha se se shpimet e detin e Qipros do të vazhdojnë pavarësisht paralajmërimit

Gjithcka duket se erdhi pasi gjiganti amerikan i energjisë “ExxonMobil” ka zbuluar disa muaj më parë një fushe detare që përmbante 5-8 trilionë kub gaz. Sipas ministrit të energjisë të Qipros Yiorgos Lakkotrypis, zbulimi i kësaj fushe gazi është gjetja më e madhe në Qipro deri më tani dhe bazuar në disa të dhëna zyrtare është një nga gjetjet më të mëdha në mbarë botën në dy vitet e fundit".

Pak pas zbulimit të gazit, Ankaraja organizoi një nga stërvitjet më të mëdha detare në historinë e saj moderne. Ambicjet e Ankarasë në këtë zonë kanë ngritur shqetësime edhe në SHBA, pasi zyrtari i lartë Matthew Palmer u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara për shpimet e gazin në Qipro të ushtronin vetëpërmbajtje.

Depozita e madhe e naftës e gjetur në “Glafkos” është konsideruar nga shumë ekspertë jo vetëm se do të ndryshojë hartën energjetike të rajonit, por edhe pozicionet e të gjitha palëve për të ardhmen e Qipros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë