Lajme

Erdogan fton Metën për Xhaminë e re në Stamboll, por mungon Rama!

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë sot në inaugurimin e xhamisë së re të Stambollit Çamlica. Ka qenë vetë kreu i shtetit që e ka bërë njoftimin nëpërmjet faqes së tij në “Facebook”.

“Kënaqësi të merrja pjesë sot në inaugurimin e xhamisë së re të Stambollit, Çamlica. Një vepër e rëndësishme shpirtërore, kulturore dhe arkitekturore në kryeqendrën dhe pikëtakimin e civilizimeve botërore”, shkruan Meta.

Por ajo që ka rënë në sy, ka qenë mungesa e kryeministrit Rama, pasi ai ka qenë i pranishëm thuajse në çdo organizim me personalitete ndërkombëtare të presidentit turk, Tayp Erdogan.

Kohët e fundit është përfolur se marrëdhëniet mes dy liderëve, Rama-Erdogan të cilët shpesh i janë drejtuar njeri-tjetrit me termin ‘vëlla’ nuk janë më aq vëllazërore.

Për herë të fundit, Rama dhe Erdogan janë takuar thuajse para 6 muajsh, pikërisht në valën e protestave studentore në Shqipëri, në 8 dhjetor. Ka qenë një vizitë informale, që gjithsesi mediat turke e pasqyruan si lajm, por pa dhënë detaje mbi rrethanat e takimit.

Në ceremoninë e hapjes së xhamisë "Çamlıca" të pranishëm ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Guinesë, Alpha Conde, presidenti i Senegalit, Macky Sall dhe kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, së bashku me disa përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2248591905187070

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë