Vende dhe Udhetime

Tuneli u shemb, por “rruga i solli” turizmin

Nga Edmond Prifti

“Thashethemet” se tuneli i “Rrugës së Arbrit”, aq shumë i përfolur mediatikisht, që do të lidhë kryeqytetin me rrethin e Matit e Dibrës, u shemb…paskan qenë të vërteta. Pas një kalvari të gjatë të kalimit të pushteteve, e madje edhe shkatërrimit përfundimtar të kanionit shekullor të Brrarit, i ndodhur në Shkallën e Tujanit, e njëherazi premtimeve se do të mbarohej rruga shekullore, në vitin 2013, si dhe kalimeve sa tek njëra e tek tjetra firmë kontraktuese, telashet nuk paskan të sosur (“për ti bërë qejfin sadopak”, terreni është i përbërë kryesisht nga shkëmbinj shtufe, atje ku është hapur edhe tuneli). Gojët e liga thonë madje se, shumë gjëra janë mbuluar në atë rrugë, përveç fondeve dhe firmës greke “Actor” që u përjashtua nga tenderi për shtatë milionë euro më shumë, duke iu dhënë firmës “Gjoka Construction”…

Mes mlit te Dajtit dhe malit te Brrarit kalon Rruga e Arbrit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Madje fotot e videot pranë tunelit (më saktë, ish-tunelit) që vajti 800 metra dhe u shemb, ishin krejt të ndaluara, (ekzistonin ngado tabela) ku “sy punëtorësh” të mbetur aty, të ndiqnin me kërshëri teksa makina jonë 4×4 ngre pluhurin vendit, poshtë fshatit të Murrizit, apo siç njihet ndryshe zyrtarisht, Bastar-Murrizit; fshatit të fundmë që lidh rrethin e Tiranës, me atë të Matit. Nga ana tjetër e Qafës së Murrizit, thuhet se punimet po ecin duke çarë “shtufën” drejt Tiranës (këtë na i pranoi edhe nipi i Ramazan Lilës që takuam në Murriz, e i cili kishte punuar vetë për një vit rresht deri në shembjen e tunelit). Por çdo e mirë e ka edhe një të keqe, ku ndonëse tuneli “tiranas” u shemb, banorët e fshatit Murriz, ku edhe kalon rruga dytësore e “Rrugës së Arbrit”, janë që tani…të lumtur.

Ne te majte te kesaj rruge ndodhet hyrja per ne ish tunelin e Murrizit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Madje entuziazmi nuk ka pushtuar veçse Ramazanin, pronarin e një bar-restoranti tradicional, e banorin e fshatit Murriz, por edhe gjithë të tjerët që mblidhen duke pirë ndonjë gotë në lokalin e tij, në qendër të fshatit. Ramazani, madje, përveç lokalit të tij me objekte e ushqime tradicionale, që tani ka filluar planet për të ndërtuar një fshat turistik, krejt të ngjashëm me “fermën e famshme franko-shqiptare”, “Albanik” në Ballaban, pranë Përmetit.

“Tre Bastarët” e “dy Xibrat”

Furgoni i linjes dy here ne dite Tirane-Murriz para lokalit Roleo ne Murriz – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Për të shkuar në fshatin e fundmë të Tiranës, në kufi me zonën e Matit, në Bastar-Murriz, (një furgon i verdhë ndalon dy herë në ditë në stacionin e autobusëve të Tufinës, kundrejt 150 lekëve) duhet të kalosh përmes Tufinës, e pasi kalon atë rrugë të shkatërruar të ndërtuar prej pothuajse 5-6 vitesh…lë pas një lokal që ndodhet në të djathtë, e të ndërtuar buzë kanionit të Brrarit që e shkatërruan punëtorët vite më parë, duke hedhur inertet në brendësi të tij, dikur ky ishte kanioni që njihej nga gjithë tiransit e jo vetëm, pasi ishte përplot me ujëvara e tunele uji, ndërsa sot ngjan si një përrua i vobektë, e vijon rrugën për në Shpal, përmes rrugës shtetërore K61, duke kapërcyer sipas projektit përmes tunelit të Qafë-Murrizës (i ndodhur poshtë fshatit Murriz) nga ana e Tiranës, e duke dalë në anën e Matit në luginat e bukura të saj, të Xibrit (Xibër-Murriz e Xibër-Hane) e Gurit të Bardhë, ku ndodhet edhe një kala e Skënderbeut në grykën e rrjedhës së sipërme të Matit mbi Urën e Vashës. Më tej, rruga duhet të vijojë në luginën e Planit të Bardhë, e tunelin e Qafës së Buallit, për të ecur më tej drejt Vajkalit, Zallit të Bulqizës, e më pas drejt Zerqanit, e fushës së Gjoricës në pellgun e Dibrës.

Ish-repart ushtarak i shkaterruar sapo kalon Tufinen drejt Shkalles se Tujanit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Zyrtarisht, rruga që do të lidhë Tiranën me Dibrën e Maqedonisë Veriore, do të ketë një gjatësi prej 75 kilometrash, e afati zyrtar do të ishte viti 2013, – sipas një dokumenti zyrtar të miratuar që në shtatorin e vitit 2008, nga Këshilli i Ministrave. Rruga në fjalë kalon në gjurmët e vjetra të një rruge romake, e cila do të shkurtonte me 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Rruga e Dibrës, që njihet sot në Tiranë, është vijimi i rrugës së vjetër të Arbrit, e cila realisht nëse do të ndërtohet një ditë… do të jetë një nga peizazhet më të bukura turistike në gjithë trevat shqiptare, por edhe një lidhje e shpejtë dhe jo aq sfilitëse si ajo e sotmja drejt Peshkopisë.

Ne dalje te fshatit Murriz drejt Qafes se Murrizit siper tunelit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Megjithatë, duke përjashtuar politikën së tepërmi në këtë reportazh, projekti i kësaj rruge ka nisur që nga “qeveria Nano”, i cili ka qenë i pari firmëtar i studimit dhe ndërtimit të kësaj rruge, duke nënshkruar madje që ajo do të ishte “10 metra e gjerë dhe me gjatësi 72.6 kilometrash”. E sot…na është shembur tuneli, por pavarësisht kësaj, “banorët e lagjes së sipërme” ndodhen “nën ekstazë” (me shumë gjasa nëse tuneli do ndërtohet, askush nuk do kalonte nga rruga dytësore, ashtu siç veprohet prej shekujsh edhe sot…). Sipas gazetës “Rruga e Arbrit” në numrin 5 të saj të vitit 2019, në një intervistë të tyre me Prof. Bashkim Lleshin citohet se, “Shembja e tunelit nuk ka ndodhur për arsye gjeologo-teknike, por për moszbatim të teknikës së avancimit të tuneleve, ndoshta për përdorje mbi masën e duhur të lëndës eksplozive. Duke komentuar fotografitë e përhapura në media, ai thekson për gazetën “Rruga e Arbrit” se shembja e ndodhur në mes të majit, nuk përbën argument për ndërprerjen e punimeve…”.

Historiku…që nga shekulli i I-të në vitin 2019, e më tej…

Lendine pergjate Rruges se Arbrit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Në shekullin e I-të dhe të II-të kalonte një rrugë përmes Tiranës, që lidhte detin me Dibrën, e njohur ndryshe edhe si “Rruga e Arbrit”. Atë e dëshmojnë sot stacionet rrugore “Mansion” (Mansaj) të Gurit të Bardhë. Në shekullin e XI-të, rruga përmendet nga kronistja bizantine, Ana Komnena. Në vitin 1257, në ato vise kaloi komandanti britanik Akropoli, ndërsa normanët e Boemundit, kalonin në këtë rrugë gjatë luftimeve… Në regjistrin turk të vitit 1467, Guri i Bardhë, por edhe shumë pika të tjera, përmenden si fshatra “Dervene”, që ruanin e mirëmbanin rrugën e lashtë. Stacione të rëndësishme të rrugës kanë qenë Zall-Dajti në Malësinë e Tiranës, e Guri i Bardhë. I fundmi, ka qenë më i njohuri për traditat kulturore e mikpritëse, nga banorët e zonës së Dibrës. Në këto fshatra hasen rëndom mjaft gjurmë të rrugës së hershme si, hane, karakolle, kalldrëme si dhe shumë ura. Vijimi i Rrugës së Arbrit në territorin e Maqedonisë së Veriut, fillon nga kufiri shtetëror në Gjoricë, aty ku lugina e Drinit ngushtohet në vendin e quajtur Zatarajca, ku më parë ka qenë një urë e vjetër prej druri, përballë kodrave të Kojnarës, – poshtë urës së vjetër me harqe të Spiles, – e cila është mbuluar nga diga e hidrocentralit të Dibrës së Madhe.

Rruga e Arbrit qe le pas Shkallen e Tujanit dhe vijon drejt zones se Zall-Bastarit ndersa fillon ngjitja drejt Murrizit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Pasi kalon kodrat e Kojnares, rruga vazhdon për në qytetin e Dibrës. Nga Dibra, drejt Gostivarit, rruga kalon nëpër grykën e ngushtë e të bukur të Radikës, e duke vazhduar më tej në drejtim të Gostivarit, Tetovës e Shkupit. Distanca nga Dibra deri në Gostivar është 65 kilometra, e nga Gostivari deri në Tetovë 25 kilometra, kurse nga Tetova për në Shkup, 45 kilometra. Kështu distanca e përgjithshme nga Tirana deri në Shkup, parashikohet të jetë rreth 210 kilometra.

Një turizëm i fshehur, “mijëra vjeçar”

Nje liqen i vogel ne te djathte te Rruges se Arbrit ne zonen e Zall-Bastarit – Gazeta Si, 31 gusht

Pasi ecim përmes rrugës nga Zall-Dajti…kthehemi në një vend pushimi në të djathtë të rrugës së shtuar hollë me çakëll, aty ku qindra metra më sipër, ndodhet edhe një liqen i vogël, e është ndërtuar në një digë. Aty gjejmë edhe fosile të vjetra mijëra vjeçare, e duke marrë disa prej tyre si dhurata, ndërsa miku im Thierry, kërkon të kuptojë se mbi gurin e gjetur është një akrep apo jo…e unë që përzgjedh një tip gjarpri (mendova diçka më të bukur se, thjesht një krimb mijëra vjeçar). Pasi xhirojmë me pasion me tre-katër kamerat që na ndodheshin një skenë mes lumit, që tashmë është i paktë, lëmë pas kantierin e makinave të “Gjoka Construction” dhe vijojmë rrugën e shtruar me çakëll, duke ecur diku midis askundit, aty ku nuk kapnin as valët e telefonit, e sot me zor mezi e gjen atë vend edhe në hartën digjitale në net, se ku ekzaktësisht kalon kjo “Rrugë e Arbrit”.

Kishim lënë hera-herës ca lokale me flamuj shqiptarë që valëviten, e ca shtëpi krejt të braktisura, por që nga forma e tyre, ndërtimi me dërrasa i parmakëve, e shumë ornamente të tjera, dukeshin më se të vjetra. Pasi disa fadroma dhe rula na fusin në mes, e kuptoj se duhet të dalë nga makina dhe t’i pyes në shqip… nëse mund të vijojmë më tej rrugës së drejtë… por një prej tyre na këshillon se nëse do ngjitemi për në Qafën e Murrizit, na duhet të ngjitemi në të majtë të rrugës, aty ku gjejmë edhe disa punëtorë, që i gjetëm e i lamë pas, gjatë kthimit… duke fjetur nëpër ekskavatorë.

Ne Qafen e Murrizit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Disa të tjerë gërryenin një rrugë në mes të asaj qafe, teksa ishim duke u ngjitur në “të ashtuquajturën “rrugë”, drejt Murrizit. Pasi kalojmë atë fshat të vogël (që dukej sikur nuk kishte më shumë se 10 shtëpi…) arrijmë në Qafën e Murrizit, ku Thierry kishte qenë vite më parë, (e unë ca më tepër, që më ishte fshirë fare memoria), më rrëfen se aty ishte Qafa e Murrizit, – kufiri i fundmë i Tiranës. Nuk kishin kaluar as 20 minuta, teksa unë po përpiqesha të ndizja zjarrin për barbekunë, kur pranë nesh afrohen ca makina me fjongo dhe njëra pas tjetrës…

“Dasmë e heshtur” në Qafën e Murrizit

Fshati i Murrizit nga siper – Gazeta Si, 31 gusht 2019

E quajtëm si të tillë, për shkak se njeriu që na afrohet teksa na sheh të çuditur, na shpjegon se kjo dasmë nuk është as me hare dhe as me dajre, a tumane…Dhëndrit nga Murrizi, i kishte vdekur veçse një javë më parë e ëma, ndërsa kishin “lënë nishanet” me nusen e re, nga zona përtej Tiranës, në Xibrin e Dibrës. Nuk e di se çfarë emocionesh të turbullta mund të kesh, teksa mendon atë dasmë aq të heshtur, e ato foto e video që po bëheshin në atë lëndinë të bukur, teksa Thierry nxjerr dronin e tij dhe fillon të filmojë nga ajri, e unë isha kurioz për historinë “e Bastarëve” nga personazhi ynë, Islam Nasufi, i cili na rrëfen gjithashtu se si ishte rruga “e hershme” dikur, e po aq e tillë, por edhe sot.

Nje nga lendinat me te bukura te rrethuara nga pishat ne Qafen e Murrizit kufiri i Tiranes me Matin – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Tre ditë më këmbë deri në Tiranë

Islam Nasufi nga fshati Bastar-Murriz (poshtë Qafës së Murrizit) na rrëfen se, dikur Tirana ishte tre ditë larg, – ku nuk është më shumë se 20 kilometra nga kjo Malësi e Tiranës. Rruga bëhej me kafshë dhe duheshin tre ditë deri një Tiranë; një ditë vajtje, një ditë pazar dhe e treta për t’u kthyer. Sipas tij, rruga e Shkallës së Tujanit, u hap në vitin 1967, nga ushtria…Teksa e pyet se çdo ndodhë pas ndërtimit të “Rrugës së Arbrit”, Nasufi thotë se, sipas tij “zona do të marrë zhvillim…”.

Nje stan i vogel ne te dale te fshatit Murriz – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Ndërsa e pyesim se rrugës pamë edhe shtëpi të vjetra, ai njëherazi përgjigjet se, “ka edhe shtëpi mbi 150 vjeçare. Një zonë turistike, por prej këtej shumë janë larguar. Gjysma e fshatit apo më shumë, kanë ikur poshtë. Fshati Bastar, ka qenë një i gjithi më parë, e tashmë janë bërë tre lagje: Zall-Bastar, Bastar i Mesëm dhe Bastar-Murrizi”. Sipas Nasufit, duke e mbyllur edhe bisedën me të, para viteve ’40, Murrizi ka qenë veçse me stane…

Drejt bar-restorantit tradicional, në Murriz

Lendinat e nukura te Qafe-Murrizit – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Pasi qëndruam një copëz herë në Qafën e Murrizit; ndjemë atë ajrin e freskët në qafë dhe hëngrëm barbecu-në e shijshme (Thierry-t dhe vetes, i dogja një prej salsiçeve, duke i harruar në zjarr teksa bëja foto e video), zbritëm drejt fshatit Bastar-Murriz (Murrizit), ku edhe ndaluam në një bar-restorant që e kishim lënë më parë në të majtën tonë, teksa ishim duke u ngjitur për në Qafën e Murrizit…

Momenti kur digjen salsiçet – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Kishim parë një dorë që na përshëndeste, pa e ditur cili ishte ai njeri. Aty e dallojmë sërish atë që qëndronte në hyrje të lokalit, e ende pa zbritur nga makina filloi të fliste me të shpejtë me Tjerin, – miku tim francez në një shqipe që edhe unë mezi do ta kapja gjatë rrugës. I thashë që është francez, e njëherazi Ramazani (siç edhe na prezantohet) fillon e rrëfen planet e tij të mëdha për ndërtimin e një kampingu në tokën e tij sipër fshatit, aty ku edhe ndodhej një livadh mjaft i bukur.

Na fton të hymë brenda teksa na rrëfen se ka…mish, por kur i themi që hëngrëm barbecue, ndjeva që Ramazani, u tkurr paksa (duke ikur, nuk na linte pa provuar akulloren e lokalit të tij dhe pa marrë një korasant me vete…duke na thënë se, herë tjetër e keni nga unë një pulë fshati me garniturë).

NJe makine e rralle sovjetike e falur Ramazan Liles nga nje turist zvicerian – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Megjithatë buzëqeshi kur i thamë që kemi ardhur të pimë një kafe apo cola, ndërsa e pyes pse lokali i tij “Roleo” kishte një emër të çuditshëm, ndërsa dukej plot hare edhe nga jashtë. Më kthehet duke thënë se janë shkurtimet e emrat të dy fëmijëve të tij. Ai që në fillesat e bisedës sonë, e quan lokalin e tij “antik”, duke vijuar se ai lokal u bë, “me që na erdhi Rruga e Arbrit”.

Fshati Murriz – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Ndonëse edhe ai është dakord që kjo rrugë përfundon me shumë gjasa apo pak të tilla, në vitin 2021, nga Tirana deri atje në qendër të fshatit të tij do jetë 17 kilometra. Sipas Lilës, e cila gjithë kjo aventurë të ngjan pakëz me subjektin e filmit “Parullat”, ku ato do shkruheshin përgjatë gjithë rrugës ku do kalonin zyrtarët e lartë komunistë, – “mendohet që kjo zonë të ketë mjaft turistë dhe ne si fshat do bëjmë të pamundurën të ngremë pika turistike. Kemi ambiente dhe vend për të vendosur edhe rulotë…”. Teksa e pyet se, çfarë mund të bëjnë një turist në Murriz, ish-profesori i gjeografisë e drejtori i shkollës 8-vjeçare, na thotë se, “Fshati Murriz ndodhet në rrëzë të Malit me Gropa, si një ndër malet më të rrallë në botë, ku turistët mund të shëtisin me kuaj apo me makinë deri aty. Burimet e shumta, si ai i Murrizit që quhet Gurra e Lenës, apo burimi i Qafës ë Murrizit, duke përmendur njëherazi faktin se, “Murrizi është fshati i fundmë i Tiranës, që kufizohet me rrethin e Matit, përmes vargmaleve Skënderbej, e Qafë-Murrizi është pika kyçe, ku dibranët lëviznin kohë më parë, drejt Tiranës”.

Legjenda e fshatit Murriz

Nje shtepi e vetmuar diku ne Shupal – Gazeta Si, 31 gusht 2019

Sipas gojëdhënës së rrëfyer nga Ramazan Lila, “…dikur nuk ka qenë fshat, por ishte një pemë që quhej Murriz, ku banorët e asaj kohe pushonin bashkë me bagëtitë, duke rrethuar edhe vendin rreth murrizit, për të pushuar gjatë zhegut të drekës. Beu i asaj kohe të lashtë, shkon dhe e blen atë pemë murrizi nga një fshat tjetër që quhet Shupal. Pasi e kishte blerë e fshati kishte filluar të popullohej pak e nga pak…ata zbulojnë se poshtë këtij murrizi, gjendej një burim që sot quhet Gurra e Lenës. I kërkuan që duhej blerë edhe uji, ndërsa ai i thotë që uji i përket po atij… Ai kishte blerë murrizin, ndërsa banorët kërkonin pagesë edhe për ujin. Atëherë, para se ta blinte ujin, vajtën në gjyq në Stamboll, ku gjyqtari i thotë palës, – atyre që e kishin shitur murrizin: Kur e shet lopën, e shet me gjithë qumësht apo e shet lopën dhe qumështin e mban ti? Atëherë ai që ka blerë pemën, ka blerë njëherazi edhe ujin. Gjyqi u fitua, e përreth pemës së murrizit ku sot rrjedh edhe Gurra e Lenës, u popullua edhe fshati që sot quhet Murriz”.

Ndërsa Lila shpjegon më tej se, uji i Gurrës së Lenës në vitin 1957, ishte parashikuar të lidhej me ujin e Selitës, që të shkonte më pas drejt Tiranës, por sipas tij, “toka luajti vendit…ndërsa ende tubacionet janë edhe sot e kësaj dite, brenda tokës. Uji nuk pranoi të shkonte atje dhe atë e kemi edhe sot si burimin e fshatit që i dha jetë banorëve të saj…”.    

 

Më Shumë