Keshilla

Tri mënyra për ta mbajtur nën kontroll ankthin gjatë pushimeve

Ankthi është armiku kryesor i një jetese të mirë për shumë njerëz, i cili fatkeqësisht nuk na braktis as në muajt e verës, gjatë pushimeve. Është një gjendje shpirtërore e pasigurisë dhe shqetësimit të shkaktuar nga ngjarje që na kërcënojnë dhe që mund të ndodhin në të ardhmen.

Është një shoqërues i keq, i aftë të na paralizojë dhe të krijojë gjendje të keqtrajtimit të thellë, me kriza akute që mund t’i detyrojnë ata që vuajnë prej saj të shkojnë te mjeku apo edhe në urgjencë, siç ndodh në sulmet e panikut. Shkenca ka punuar për një kohë të gjatë për ta studiuar atë dhe për të treguar zgjidhjet e mundshme. Përmendim tre, vërtet të disponueshme për të gjithë: sportin, frymëmarrjen dhe çuditërisht kuriozitetin.

Sporti - Dihet se aktiviteti fizik ka një efekt të dobishëm në përmirësimin e humorit, duke ndihmuar në kontrollin e stresit, aq sa sporti mund të kthehet në ilaç të vërtetë. Ankthi, siç e kemi përjetuar të gjithë në disa raste, ndikon jo vetëm në gjendjen mendore, por gjeneron edhe çrregullime fizike, si takikardia, gulçim, lodhje të përgjithshme, vështirësi në tretje.

Aktiviteti fizik është i dobishëm sepse vepron në sistemin endokrin dhe neurovegjetativ, i vënë në provë nga kushtet e stresit: duke çliruar endorfinë, ai kundërvepron prodhimin e disa hormoneve të tjera, duke filluar nga kortizoli. Duke qenë se çdo disiplinë ndihmon, sipas ekspertëve aktivitetet më të mira sportive kundër ankthit janë ato aerobike. Por edhe aktivitete në të cilat përfshihet i gjithë trupi dhe përfshijnë vrapimin, ecjen, çiklizmin, notin.

Tre të parat janë gjithashtu aktivitete aerobike, në të cilat qeliza përdor jo vetëm glukozën dhe acidet yndyrore, por edhe oksigjenin për të prodhuar energji. Në not, puna muskulare është e lidhur thellësisht me thellësinë e frymëmarrjes, me një efekt të përgjithshëm të dobishëm. Disiplina të tjera që përfshijnë aktivitet fizik më pak intensiv, si joga dhe pilates, janë ende të dobishme: këto dy disiplina fokusohen në frymëmarrjen, kontrollin dhe shtrirjen e muskujve, me një efekt të përgjithshëm të dobishëm.

Frymëmarrja - Rëndësia e frymëmarrjes në menaxhimin e stresit është e lehtë për t’u kuptuar nëse kemi parasysh se një nga efektet e para të një krize ankthi është pikërisht ndjenja e pamundësisë për të marrë frymë. Kur ndihemi të kërcënuar, reagimi i parë është fryma që bëhet e shkurtër, sipërfaqësore dhe gjithnjë e më e shpejtë. Kur gjendemi në këtë gjendje, në trup ka më shumë oksigjen sesa duhet, ndërsa përqindja e dioksidit të karbonit në gjak ulet.

Për të dalë nga ky rreth vicioz, mund të merrni frymë në një qese letre, në të cilën dioksidi i karbonit tenton të rritet në përqindje, duke na sjellë përsëri në ekuilibër. Të mësosh të marrësh frymë me diafragmë dhe me gjoks, siç mëson joga, është një ndihmë e shkëlqyeshme për të kontrolluar gjendjet e ankthit: frymëmarrja e ngadaltë, si dhe reduktimi i simptomave fizike të një sulmi akut ankthi, ndihmon për të devijuar vëmendjen nga mendime të ndryshme që na frikësojnë, duke përmirësuar situatën e përgjithshme.

Kurioziteti - Një studim i kohëve të fundit, i udhëhequr nga psikologu William Whitecross i Universitetit Kombëtar Australian dhe i botuar në Revistën shkencore “Journal of Research in Personality”, ka zbuluar se kurioziteti mund të jetë një aleat i mirë në zbutjen e simptomave të ankthit. Kurioziteti, në fakt, mund të kuptohet edhe si një interes për të panjohurën dhe si një gatishmëri për ta eksploruar atë për të zgjidhur misterin që ajo përfaqëson. Në këtë kuptim mund të na shtyjë të hetojmë për të kuptuar se çfarë krijon ankth, duke shkaktuar një reagim pozitiv nga truri. Whitecross shpjegon: “Unë u frymëzova të bëja këtë studim sepse më interesonte fakti që kurioziteti është, në të njëjtën kohë, një dashuri për të panjohurën (dashuri për misteret dhe pyetjet), por edhe një intolerancë ndaj të panjohurës sepse nuk dëshiron të lihet misteri pa zgjidhur, kërkohet përgjigjja”.

Whitecross dhe ekipi i tij kryen një anketë në internet gjatë studimit, duke regjistruar nivelet e kuriozitetit të pjesëmarrësve dhe perceptimin e pasigurisë. Dy gjetje kryesore dolën nga studimi: njerëzit me një nivel të lartë kurioziteti në përgjithësi kishin qëndrime më pozitive ndaj pasigurisë dhe u qaseshin situatave të pasigurta me një ndjenjë më të madhe optimizmi. Nga ana tjetër, ata që e përjetojnë këtë pasiguri në formën e “privimit”, apo si intolerancë përballë një pyetjeje për të cilën nuk dihet përgjigjja, ndihen më në siklet dhe priren të përqendrohen më shumë në mendimet dhe mundësitë negative.

Prandaj kurioziteti mund të jetë një aleat i vërtetë për t’u tërhequr kur ndihemi në ankth, pavarësisht nëse ai përjetohet në variantin e tij “optimist” apo “pesimist”: në rastin e parë mund të na ndihmojë të transformojmë një situatë të vështirë në një problem intrigues për t’u zgjidhur, e dyta lidhet më fort me këmbënguljen në përqendrim për një kohë të caktuar në kërkimin e zgjidhjes. /Tgcom24/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë