Art dhe Kulture

Tradita e Nuses Ilire – Për jetën, pjellorinë dhe lumturinë!

E reja qëndron e shtrirë, ndërsa gruaja e moshuar përmbi ia pikturon fytyrën. Në fillim vjen e bardha, që e shndërron atë si një copë të madhe porcelani. Pastaj vjen e arta. Rrathë që simbolizojnë ciklet e jetës dhe vija që janë udhët të cilat do të përshkojë.  Pikat e kuqe që janë shenjë e pjellorisë dhe piklat blu, për ta ruajtur nga syri i ligë. Aziza Shefitagiq, kosovarja me origjinë boshnjake ka mbetur ndër të fundmit zonja që di të përgatitë Nusen Ilire. Ajo i ka kaluar të shtatëdhjetat e megjithatë me zell e bën gati vajzën-nuse për edicionin e dhjetë të Etnofestit, zhvilluar në javën e fundit të shtatorit, në Kukaj të Kosovës.

Ato që e vijojnë praktikën e traditës, edhe pse më të rrallë, janë banorët e komunitetit  boshnjak- që ndër vete e quhen torbesh -, të Lubinjës së Zhupës në Prizrenin e poshtëm, në këmbët e Malësisë së Sharrit.  Por  etnologët dhe antropologët e gjurmojnë në mijëvjeçarë, në kulturën pagane të Ilirisë.

Aziza Shefetagic duke bërë gati Nusen Ilire, EtnoFest 2018

Gruaja si muzë e diellit, ishte edhe tema qendrore e Festivalit të Etnografisë këtë vit në Kosovë, duke sjellë drejtpërdrejt për të pranishmit – që duhet ta ndiqnin nën masat anti-covid -, pikturimin e Nuses Ilire. Kulti i diellit, si  simbol i jetës tek ilirët e vjetër  gjendet në shumë stoli dhe artefakte të vjetra të kulturës  pagane.

Grimi i nuses që ende është ruajtur në anën e Malësisë së Prizrenit dhe asaj të Tetovës, stolisja e djepit, magjeve, dyerve, dollapëve me simbolin e diellit. I gjithë ritmi i jetës dhe punës së shqiptarëve dhe popujve të tjerë ishte i ritmuar nga dielli...Simbolet astrale dhe ato vegjetale në  fytyrën dhe veshjen e nuses, shprehin lidhjen dhe unitetin e njerëzores me tokësoren dhe qielloren.

Nusja Ilire, foto nga Nita Zeqiri

Me duart e zonjës së moshuar Shefitagiq u pikturuan nuset që mahnitën botën përmes fotografive të botuara në “National Geographic”  më 2013-n dhe dy vjet më parë në “The Times”. Ajo ka rrëfyer se e praktikon prej viteve ’70,  atë që e quan zanat të trashëguar nga e vjehrra. Do të kishte dashur t’ua mësonte së bijës dhe së resë, por familja e saj jeton në Perëndim. Por prej pak vitesh ka nisur t’ia mësojë një gruaje nga fshati që, kur ajo të mos mundet më, t’ia kalojë stafetën gruas disi më të re.

Disa thonë se rrënjët e këtij ceremoniali janë edhe më të lashta se kohët ilirike, e gjurmuar tek pellazgët. Edith Durham në udhëtimet e saj ballkanike mori në shqyrtim kultin e diellit, që  shfaqej  në tatuazh në Bosnjë, në Hercegovinë dhe a në Shqipërinë Veriore, duke u përpjekur të shpjegojë origjinën ilire e trake të kësaj dukurie. Etnologu Gëzim Uruçi në mes të viteve ’70  ka arritur të mbledhë  një sërë tatuazhesh në duart e grave të Malësisë së Madhe, të lidhura fort me kultin e diellit. Shumë prej grave, ishin të lindura në fund të shekullit 19.

Nusja Ilire, në EtnoFest 2020

Një pikturë e lashtë, mbi një gur gëlqeror gjetur në Mikenë e që daton 1500 vjet para Krishtit, shfaqen të njëjtat simbole si ato në fytyrat e nuses ilire. Dy pika në faqe, si dy diej të vegjël, një në ballë e një në mjekër.

Kjo traditë ruhet ende edhe tek pomakët, në Bullgari, torbeshët në Maqedoni, goranët në malet e Sharrit dhe torbeshët e Zhupës së Prizrenit.

Nusja e ka fytyrën të lyer për të parandaluar fatin e keq në ditën e dasmës. Procesi i këtij grimi kërkon që fytyra së pari të lyhet me krem të bardhë, ndërsa më pas bëhen vija me pluhur nga ari dhe vizatohen rrathët si simbol i qiellit.

Më pas fytyra e nuses pikturohet me shumë ngjyra në shtresa të mrekullueshme ngjyrash. Tre rrathët e artë simbolizojnë ciklet e jetës, të lidhur njëri me tjetrin nëpërmjet linjave të arta, të cilat njeriu i kalon në kohëzgjatjen e jetës së vet. Rrathët e brendshëm të kuq, janë simbolet e pjellorisë, prej nga ku pikat e kuqe dhe blu lindin dhe e tërë fytyra mbulohet prej tyre, duke i uruar asaj  një familje të lumtur e të shëndetshme.

Pasi lyerja e fytyrës përfundon nusja vishet me rroba tradicionale nga boshnjakët (torbeshët) e anës së Prizrenit dhe nuk guxon as sytë t’i hapë. Këna e Gurit është lloji i kanës më të vjetër që njihet në traditën e lashtë,  të banorëve të Gorës. Ky lloj i kanës gjendet në gur në shtresën e sipërme  dhe  ka ngjyrë të  gjelbër. Këtë shtresë e zbusin me pak ujë.

Megjithëse viteve të fundit i është dhënë vëmendje traditës së lashtë të pikturimit të nuses ilire dhe Etnofest e ka vendosur disa herë në qendër të vëmendjes, largimi nga praktika e brezave të rinj,  mund ta çojë drejt harresës nusen e pikturuar me simbole të çuditshme që duket sikur sapo ka zbritur nga një planet tjetër në Tokë... Për jetën, pjellorinë dhe lumturinë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë