Ngjarje

Tradita e Ditës së Verës

Sa herë që përmendim festën e Ditës së Verës, instiktivit mendojmë për qytetin e Elbasanit. Në këtë qytet, përgatitjet për të festuar kanë filluar ditë më përpara. Pavarësisht nga moti i pafavorshëm, aktivitetet nuk ndaluan si në Tiranë, ndërkohë që edhe ushqimet tradicionale të festës nuk kanë munguar nëpër rrugët e qytetit.
Elbasani është qyteti ku festa ndjehet dhe përjetohet më së shumti.
Zanafilla e lidhjes së festës me këtë qytet është faltorja e Zanës së Cermenikës, e cila gjendet në një ndër fshatrat e Elbasanit. Sipas legjendës, Zana dilte nga faltorja, vetëm ditën e 14 marsit, që përkonte me nisjen e verës dhe që prej asaj kohë është kthyer në një festë që identifikon qytetin. Janë të shumtë ata që shkojnë në këtë qytet çdo 14 mars për ta ndjerë festën e Ditës së Verës edhe më shumë, gjithashtu për të provuar gatimet karakteristike, si ballokumja, revania dhe gjelin e detit me arra.


Historia e Ditës së Verës, festës më tradicionale në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin e Elbasanit, lidhet me kalendarin Julian, që zbatohej në kohën e lashtë në të gjithë Europën Perëndimore. Sipas kalendarit marsi ishte muaji i parë i vitit, i cili fillonte i gëzuar dhe i begatë. Por, sipas kalendarit Gregorian që përdorim edhe në ditët e sotme, 14 marsi përcaktonte ditën e fillimit të stinës së pranverës, ku njerëzit mezi prisnin të dilnin nga dimri i gjatë dhe të shikonin natyrën tek gjelbëronte. Kjo festë pagane ka ritualin e saj të cilët shqiptarët, por jo vetëm, e kanë trashëguar brez pas brezi. Në antikitet festa i dedikohej perëndisë Diane, ndërsa sot praktikohet për një verë të mbarë.

Sipas studiuese dita e verës është e ndarë në katër faza.
Faza e parë është përgatitore, ku të gjithë njerëzit përgatisin të gjitha ushqimet dhe zbukurimet për shtëpinë e tyre dhe për të pritur vizitorët. Faza e dytë është nata e Verës, ku tradita thotë se nëpër shtëpi ose komunitete të vogla duhet të ndizet një zjarr i madh, e më pas konsumohet darka me ushqimet e rezervuara nga dimri, si zahire të ndryshme ose mishi i thatë. Ndërsa faza e tretë është zgjimi në orët e para të mëngjesit, për të larë sytë me ujin e vezëve të ziera një ditë më parë, ndërsa pritja e njerëzve tregon bujari në këtë ditë. Faza e katërt është përgatitja për piknikun e gjatë së bashku me familjarët. Edhe, pse nëse në vende të tjera të rajonit nuk festohet aq shumë, në vendin tonë është aq tradicionale sa festat fetare. Që prej lashtësisë kjo festë është cilësuar si harmonia e të gjithë shqiptarëve sepse bashkohen për të festuat të gjithë, pa dallim krahine, feje dhe bindje politike.

Tre nga simbolet më kryesore të kësaj dite janë:

Ballokumet
Kjo ëmbëlsire është një tjetër mjet identifikues për qytetin e Elbasanit. Nëse shkon në këtë qytet, për festën e Ditës së Verës apo jo nuk mund të kalosh pa marrë një ballokume Elbasani. Në të gjithë Shqipërinë bëhet kjo ëmbëlsirë, por receta e saktë qëndron vetëm në këtë qytet.

Verorja
Ky simbol i ditës së Verës prej lashtësisë është byzylyk i përgatitur nga fije peri të kuqe dhe të bardhë, i cili vendoset në dorë ose në portat e shtëpisë, në mënyrë që dallëndyshet t’i marrin dhe njerëzit e shtëpisë të kenë fat.

Lulet e ndryshme që përcaktojnë ardhjen e verës.

Elbasanasit dhe shqiptarët, gjatë ditës së verës respektojnë natyrën dhe luten për një verë të shëndetshme dhe të mbarë. Lulet më karakteristike të qytetit të Elbasanit, por dhe një tjetër simbol i festës janë lulja e jaseminit, karafilit, trëndafilit, zymbylit, karakaftet etj. Të gjitha shtëpitë duhet të kenë mbjell një nga këto lule për t’i dhuruar gjatë ditës së verës të afërmve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë