Lajme

Tirana e vrenjtur, me pak shi dhe pa festë

Tirana u zgjua ngadalë këtë të enjte, ku e vetmja shenjë se kjo ditë është festë kombëtare është mungesa e trafikut të makinave në rrugët e saj.

Moti i vranët dhe me temperatura të ulta kushtëzon festimet në kryeqytet, me rastin e “Ditës së Verës”.

Organizimet e planifikuara nga Bashkia e Tiranës, e cila thotë se janë rreth 50 evente festive, janë shtyrë për ditën e dielë, më 17 mars.

Vendimi është marrë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ky i fundit organizoi përmes rrjeteve sociale një sondazh, ku tha se morën pjesë 10 mijë qytetarë, e ku shumica prej tyre kishin vendosur pro shtyrjes së festimeve.

Arsyeja e dhënë nga Veliaj për këtë shtyrje ishte moti i keq. Kryebashkiaku parashikonte “shi me gjyma”. Moti i dha pjesërisht të drejtë. Shi me gjyma nuk ka rënë ende, por vranësirat dhe temperaturat e ulta karakterizojnë këtë ditë.

Reshjet e vetme që kanë rënë në orët e para të mëngjesit kanë qenë ato të dëborës në Malin e Dajtit, ndërkohë që pas mesditës reshjet e shiut janë shtrirë në pjesën më të madhe të vendit me intesitet të ulët deri mesatar.

Në veri ka pasur edhe reshje bore. Temperaturat janë luhatur nga 7 gradë në veri, deri në 14 gradë në zonën qendrore dhe bregdet.

Më Shumë