Mendim

Topalli, meaculpa e munguar

Jozefina Topalli foli dje para një auditori ndryshe. Para saj folën do intelektualë e disa të rinj. 

Topalli, për herë të parë që prej vitit 2017 kur u hoq nga lista “Basha”, mbajti fjalim me një qëllim; themelimin e një partie të re politike edhe pse vetë ajo nuk e sqaroi publikisht.

Ishte një fjalim korrekt që fliste për politikën dhe deri diku frymëzues për të rinjtë, nisur nga mesazhi që ajo përcillte.

Kinse nuk u fut në lojëra shifrash, u përpoq të shpjegohej thjesht se Shqipëria vitet e fundit kish shënuar regres.

U fokusua tek largimi i të rinjve, por frymëzoi se ky vend mund të bëhet.

E parë me syrin e një të riu apo dikujt jashtë politikës që i drejtohej pikërisht atij, fjalimi i Topallit duhej dëgjuar.

E parë nga një kënd tjetër, nga ai i një politikaneje prej më shumë së dy dekadash në PD, funksionare e lartë e kësaj partie, ish-kryetare e Kuvendit dhe shumë e atakuar ndër vite për fjalorin e saj jo fort etik në situata të ndezura debati në sallën e Kuvendit, por edhe zorin e madh që ajo kish për të pranuar figurat e reja në PD; atëherë ia vlen të themi nja dy gjëra.

Jozefina Topalli kërkoi dje ndryshimin. Por a mund të vijë ndryshimi nga vetë ajo? Gjatë fjalimit fillim e mbarim, Topallin nuk e pamë të mbante mbi supe ndonjë pjesë të mëkatit të kësaj politike që nuk fillon sot, as tre vjet më parë kur u mënjanua nga Basha apo edhe 7 vjet më parë kur Sali Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pasi humbi zgjedhjet.

Historia politike dhe mëkatet e kësaj politike nuk fillojnë nga koha kur Topalli u fokusua. Sepse faji i kësaj situate nuk është i lidhur vetëm me Ramën, Metën apo “Lulin” siç preferoi ta quante ajo.

Historia e këtij sistemi partitokraci dhe jo modeli qytetar, fillon qysh herët, qysh kur ajo militonte në PD, qysh kur nga partia ku ajo ishte nënkryetare, u larguan mbi 30 figura jo pak më peshë në PD, si rezultat i ndalimit të mendimit ndryshe apo përplasjeve me lidershipin; fillon me vjedhjet dhe abuzimet, korrupsionin e një qeverie (që edhe pse ajo nuk ishte pjesë), përgjegjësitë si politikane dhe drejtuese e lartë e një partie që qëndroi 8 vjet në pushtet, nuk mund t’i shkëpusë.

Me pak fjalë, sot nuk ka logjikë politike të thuhet se "jam kundër Lulzim Bashës, por pro Sali Berishës", që qëndroi në pushtet deri në vitin 2013.

Sepse historia nuk fillon me Lulzim Bashën e as nuk mbaron me të.

Prandaj nëse duhet bindur se koha është tani, se ndryshimi është tani, se sfida është tani, se koha nuk pret; duhen marrë edhe disa përgjegjësi (aq sa i takojnë).

Pastaj të mendojmë për atë pjesën e dytë që ajo tha; përvojën e nevojshme dhe vullnetin e palëkundur. Për këtë askush nuk ka dyshim. Por para saj duhet fituar besimi. Dhe kjo vjen duke e filluar ndryshimin nga vetja.../ N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë