Politike

Topalli rikthehet në politikë me sloganin e Berishës: Koha për ndryshim!

Një sallë e tejmbushur me fytyra të pandeshura publikisht, dhe me maskë, ishte të mërkurën në mbrëmje për Jozefina Topallin e cila shpalli themelimin e partisë së re politike “Lëvizja për Ndryshim”.

Për koencidencë ose jo kjo lëvizje është e njëjtë me sloganin dikur të Sali Berishës që fitoi zgjedhjet e 2005-ës, “Koha për ndryshim”.

Jozefina Topalli nuk ishte në rreshtin e parë, siç dikur e kishte zakon. E ulur diku nga mesi i sallës, ajo nuk i shpëtoi protagonizmit me fjalën e saj.

“Kisha kohë që bëja thirrje e shpresoja që dikush një ditë të niste një inisiativë e të merrte frenat e një lëvizje për ndryshim. Ku ka më mirë e më shpresedhënëse sesa këtë lëvizje ta fillojë brezi i ri, një brez i lindur në liri”, tha ajo në fillim të fjalës.

Topalli nuk e fshehu entuziazmin e pranisë në atë sallë të tejmbushur profesionesh, si profesorë, pedagogë, mjekë, botues, sipërmarrës, disa prej tyre, sipas saj edhe nën presion për të mos qënë pjesë e takimit.

Nuk munguan as ish-bashkëpunëtorë të saj të Kuvendit, apo edhe përfaqësues të partisë “Bindja Demokratike”.

Ish-nënkryetarja e PD-së u shpreh e vendosur për të mos qëndruar mënjanë. Na ndajnë gjashtë muaj para zgjedhjeve, por ajo mesazhin e kishte të qartë.

“Jemi 6 muaj nga dita e zgjedhjeve fushata ka filluar me po ata. Po ata te tre. Që bashkohen bukur fort për të ruajtur karriget e veta e shantazhohen për llogaritë private ndërkohë që interesi publik është larg axhendës së treshes.

Këta të tre veprojnë sikur Shqipëria është prona e tyre, ekonomia e vendit është ndërmarrja e tyre dhe shqiptarët rrogtarët e tyre.

Ata vendosin se kush duhet të bëjë biznes me ata, kush duhet të punojë, kush jo, ku duhet të punojë, sa duhet të marrë, kush duhet të jetojë e punojë në Shqipëri dhe kush duhet të iki!”

Jozefina Topalli e ka targetin e kritikes të përcaktuar. Për të, ata janë Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Ajo nuk ndalet tek koha kur ajo ishte vetë pjesë e politikës. E as nuk flet për atë kohë.

Ajo i ktheu përgjigje qëndrimit të ashpër që po vjen nga PD-ja se ajo po i shërben Ramës me këtë nismë.

“Ata të tre do bëjnë cdo gjë për të mbajtur monopol politikën e vendit. Ata besojnë se pavarësisht dështimit të tyre, duke thënë gënjeshtra konstante do zhdukin të vërtetat. Por e vërteta është liria jonë.

Dhe për këtë sulmojnë, kërcënojnë, shpifin për çdo lëvizje të re që është kundra kësaj kaste të korruptuar politike.

Sulmojnë me brutalitet edhe Lëvizjen e të rinjve me shpresë që t’i dekurajojnë”, tha ajo.  Topalli shtoi se kjo është taktikë e vjetër. Kohë në fakt kur edhe vetë ajo ka bërë pjesë. Por sot ajo e mendon ndryshe.

“Të gjesh armikun tek brezi i së ardhmes, tek mosha e ëndrrave dhe energjia pozitive tek kauza e tyre patriotike, tek projekti i shpresës të lën pa fjalë.

Sa për mua, më kujtojnë vetëm kohën e vjetër, kur para se të lindja ma kishin përcaktuar se isha e deklasuar, armike, tradhëtare dhe kolaboracioniste. Por kjo është indikator i frikës se po i rrëshqet monopoli që kanë”.

Sipas saj, 3 kryetarë nuk mund të mbajnë peng 3 milionë shqiptarë.

“Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, një Shqipëri të Metës e një Shqipëri të Lulit. Shqipëria është vetëm e shqiptarëve. Dhe këta të fundit nuk mund të dorëzohen. Ata duhet ta rifitojnë atdheun e tyre.

Unë kurrë nuk e kam humbur shpresën në këto vitet e fundit. Unë jam trishtuar. Shpesh herë si shumë të tjerë kam qënë e frustruar. Por kurrë nuk kam humbur shpresën

Ne nuk duam të jemi spektator të një politike cinike kur bashkë kemi mundësi të bëjmë politikën e ndryshimit:

Ky vend ka nevojë për drejtësi sociale; një administratë eficiente, një qeveri të përgjegjshme, lider që japin llogari para qytetarëve të tyre, që punojnë për interesin public”.

Duke iu drejtuar të rinjve, Topalli përcolli një premtim; “Dua të bëhem avokatja e interesave tuaja. Mjaft me dëshpërim. Ndaj dhe ju ftoj: Bëhuni autorë të fatit tuaj. Mos kini frikë. Bëni betejën për jetën tuaj. Mos kini frikë!

Nuk mund të kthehemi mbrapa e të ndryshojmë fillimin, por të fillojmë ku jemi e të ndryshojmë finalen”

Gjithçka ajo mund të ofrojë tanimë është sfida.

“Unë nuk kam as para as vende pune për të ofruar. Ju ofroj vetëm sfidë! Nuk kam asnjë pushtet.

Kam përvojën e nevojshme, vullnetin e palëkundur dhe besimin e patundur për të kontribuar që ky vend të bëhet. Kam frikë se nesër do jetë vonë. Koha është tani…” / N.P  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë