Histori

Tmerroi Bashkimin Sovjetik me 52 vrasje, historia e Andrei Chikatilo

Nga Robin Ashenden - Në fillim të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Vladimir Putin në vitin 2022, dhe ndërsa dolën në dritë masakrat në Bucha dhe Irpin, shumë njerëz reaguan në internet duke e krahasuar presidentin rus me një figurë tjetër të tmerrshme nga historia e këtij vendi.

Ai nuk ishte ndonjë ndërtues i perandorive ekspansioniste të së kaluarës, por Andrei Chikatilo, një vrasës serial kanibal nga rajoni Rostov. Në vitin 1992, u dënua për 52 vrasje (shumica prej tyre fëmijë ose të mitur) dhe u ekzekutua me vdekje disa vjet më vonë.

Chikatilo-n e pashë për herë të parë në vitin 1992, në një kronike televizive britanike mbi krimet e tij. Ai u shfaq në sallën e gjyqit me kokë të rruar dhe me pamjen e një të çmendurit. Makthi shtohej nga britmat në sallë nga të afërmit e atyre që kishte përdhunuar, vrarë dhe ndonjëherë edhe ngrënë.

Në shoqërinë sovjetike, Chikatilo që përkundër krimeve të përbindshme, kishte një zë të butë, vishej gjithmonë me kostum dhe kravatë, dhe mbante përherë një çantë në duar, dukej një njeri i besueshëm. Edhe kur shkova në Rostov tre dekada më vonë dhe takova njerëz që e njihnin personalisht Chikatilon, ose të paktën njihnin dikë që e njihte atë, ata nxituan të theksonin normalitetin e tij në pamje të parë.

Chikatilo, një gjysh me flokë të thinjur para arrestimit të tij, nuk kishte qenë vetëm i padukshëm në krimet që kryente, por ishte ai lloj personi që mundi t’i shmangej kapjes për më shumë se një dekadë kur ndodhën krime të tmerrshme. Andrei Chikatilo lindi në Ukrainë në vitin 1936, pikërisht në mesin e urisë së madhe të shkaktuar nga Stalini.

Në moshën 5-vjeçare, nëna i rrëfeu se përpara lindjes së tij, vëllai i madh Chikatilo-s, ishte zhdukur pa gjurmë, dhe me gjasë ishte ngrënë nga vendasit e uritur. Por uria e vazhdueshme në vitet e para të jetës dhe historitë me kanibalë, nuk ishin të vetmet gjëra që diktuan në formimin e personalitetit të tij.

Një fëmijë pa shokë, miop, që urinonte në shtrat deri në moshën 12-vjeçare, Andrei u rrit në një rajon të shkatërruar nga lufta, ku pamja e trupave të vdekur dhe të copëtuar ishte e zakonshme për të. Kapja rob e babait të tij nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore e turpëroi atë në sytë e autoriteteve, duke e bërë Andrein edhe më pak të pëlqyer tek bashkëmoshatarët e tij.

Ndrojtja e madhe përballë vajzave, u shoqërua me një impotence seksuale, e cila do ta mundonte për gjithë jetën. Duke u bërë mësues pas diplomimit, një punë në të cilën ai ishte shumë i dobët - Andrei nisi të ngacmonte në mënyrë të përsëritur nxënësit e tij.

Ndërkohë punë e tjera me të cilët u mor më vonë, siç ishte ajo e furnitorit për fabrikat e zonës, i dhanë më shumë kohë për të kryer krimet e tij. Në vitin 1978, ai vrau një vajzë të zonës, 9-vjeçaren Elena Zakotnova. Në atë moment, ai zbuloi një tërheqje fatale për gjakun dhe vuajtjet e viktimave të tij.

Në këtë aspekt një Chikatilo pa miq dhe impotent, mundi të arrinte një lloj përmbushjeje dhe fuqi seksuale. Pra një përbindësh, ishte i lirë të endej ku të donte. Viktimat e Chikatilo zgjidheshin shpesh tek ata që braktisnin rrethin e tyre shoqëror. Të rinj të larguar nga shtëpia, jetimë, prostituta, të alkoolizuar apo njerëz me të meta mendore.

Në stacionet hekurudhore dhe të autobusëve, ai i joshte ata me ushqime dhe pije. Pastaj i çonte në parqe dhe pyje. Djemtë tridheshin, ndërsa vajzat gjymtoheshin brutalisht. Në shumë prej atyre vrasjeve, Chikatilo do t’u nxirrte edhe sytë, i nxitur nga besëtytnia e vjetër se imazhi i një vrasësi mbetet në retinën e viktimave të tij.

Nganjëherë hante pjesët e trupit dhe bënte një xhiro makabër triumfi rreth kufomave, duke fantazuar sikur ata ishin “partizanë” që i kishte zënë rob në një bastisje të kohës së luftës.

Në vitin 1982 u regjistruan 7 vrasje, ndërsa në vitin 1984 13 viktima. Trupat po gjendeshin më shpejt se sa policia mund t’i identifikonte. Në veprimtarinë e tij Andrei u ndihmua edhe nga vetë sistemi sovjetik. Deri në ngjitjen në krye të Gorbachev, vrasjet mbetën praktikisht të pa raportuara nga mediat sovjetike.

Sepse sipas propagandës së kohës, vrasje të tilla në seri, ndodhnin vetëm në vendet kapitaliste. Po ashtu ishte e përhapur kultura e punës “shkel e shko” e bazuar në batutën “ne pretendojmë sikur punojmë dhe ju pretendoni sikur na paguani”. Ajo goditi edhe policinë ashtu si industritë e tjera.

Me presionin nga lart dhe kuotat që duheshin kapur, ata nuk ngurronin të rrihnin të arrestuarit për të marrë rrëfimet që donin. Madje një njeri u ekzekutua gabimisht për krimet e Chikatilos, dhe disa të tjerë u dënuan me burgime të gjata. Dominimi i djemve dhe e vajzave në mesin e viktimave, çoi në një persekutimit të madh policor tek komuniteti i fshehtë i homoseksualëve të rajonit, me disa prej tyre që u vetëvranë pasi u akuzuan publikisht.

Por ishte vetë kultura sovjetike, respekti për të moshuarit, politika sociale që të gjithë ishin “shokët” tuaj, tendenca midis fëmijëve që t’i quante të huajt e moshuar “xhaxhi”, “gjyshi”, “halla”, ajo që i dha mundësi Chikatilo-s të vazhdonte të vriste.

Në një shoqëri të tillë, ky punëtor me sjellje të butë, me kostum e kravatë dhe gjithmonë me një çantë në duar dukej një njeri i besueshëm, edhe pse brenda saj mbante objekte të frikshme (thika, litarë, lubrifikantë). Ndërkohë, u shtuan zëra se vrasjet ishin vepër e një bande kaukaziane, e një oficeri të zbatimit të ligjit apo edhe një zyrtari qeveritar.

Një psikolog vendas i specializuar mbi vrasësit serialë, Aleksandr Bukhanovsky, që shfaqet më vonë në dokumentarin e BBC- së “The Russian Cracker”, i ofroi policisë profilin e tij të vrasësit. Bukhanovsky u tha se autori ishte një burrë në moshë të mesme, në të 40-at, ndoshta i martuar dhe me fëmijë, që ishte tallur gjatë gjithë jetës së tij nga shokët dhe shoqet në shkollë dhe nga kolegët në punë.

Dhe ajo ndjenjë e hidhur e poshtërimit dhe refuzimit, shfaqej në këto vrasje nekro-sadiste. Kur Chikatilo, që i përshtatej plotësisht këtij përshkrimi, u arrit të kapej më në fund në nëntorin e vitit 1990, Bukhanovsky luajti një rol të rëndësishëm në marrjen e dëshmive të tij.

Ai i foli për të kaluarën dhe vuajtjet e tij shpirtërore, derisa vrasësi nuk duroi dot më dhe vendosi të rrëfejë gjithçka, duke rrëfyer edhe 20 vrasje të tjera, përveç atyre që dyshonte policia. Përkundër këshillës së Bukhanovsky dhe pavarësisht dëmtimeve të çuditshme të zbuluara në trurin e Chikatilo-s, nuk u lejua asnjë alibi për çmendurinë e tij. Vrasësi kishte qenë gjakftohtë në planifikimin e vrasjeve, dhe shumë i zgjuar në shmangien e kapjes nga policia.

Por ajo që nuk mund ta shmangte, ishte dënimi kapital për krimet e tij. Kështu, ditën e Shën Valentinit të vitit 1994, pra 30 vite më parë, vrasësi u zbrit në një qeli-bodrum në burgun Novocherkassk, iu lexua dënimi dhe u ekzekutua me një plumb në kokë.

Andrei Chikatilo ose “Kasapi i Rostovit”, u zhduk më në fund. Një gjysh babaxhan në dukje, vdekja e të cilit vështirë se mund të kompensonte krimet e tij të tmerrshme dhe as vuajtjet e paimagjinueshme njerëzore që kishin shkaktuan ato.

Burimi: The Spectator. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë