Muzike

Tedi Papavrami – Kthim në stinën e kujtimeve

Suadela Balliu - Ulliri krah Medresesë, e vetmja pemë e mbetur nga kopshti i fëmijërisë, ishte ende aty. Pas koncertit në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, me sonatat e Bethovenit për piano dhe violinë, e çoi të shoqen, Makin, të shihte nga afër lagjen ku u rrit. Dikur, banorët e Tiranës e kishin pagëzuar “Te Papavrami”, ndërsa për të tjerët ajo zonë e kryeqytetit ishte thjesht “Medreseja”. “I pëlqeu shumë. Japonezët janë shumë kureshtarë ndaj kulturave të tjera –kuzhinës , zakoneve, dhe të kaluarave, të ndryshme nga e tyrja”, rrëfen violinisti i njohur për mbresat e bashkëshortes, me të cilën ka lidhur kurorë prej një viti e gjysmë. “Lidhja emocionale që kemi e bëri të shihte me mallëngjim vendet e fëmijërisë sime që, në pamje të parë mund të duken shumë ordinere…”, vijon Papavrami, ndërsa duket se ajo pemë ulliri, e mbetur e paprekur nga ndryshimet e vazhdueshme që pëson kryeqyteti shqiptar, e ka emocionuar edhe atë.


Katër vite më parë, kohë që përkon edhe me vizitën e tij të parafundit në Tiranë, në librin autobiografik që e pat shkruar fillimisht në gjuhën frënge dhe që e solli në shqip me përkthimin e Blerta Hyskës, Tedi Papavrami i hapte dyert e jetës së tij për lexuesin me një përshkrim të hollësishëm të shtëpisë së vjetër, ku kaloi vitet e fëmijërisë, përpara se të nisej për të studiuar violinë, në Francë. E fshehur në gjethnajën e dendur të mandarinave dhe e rrethuar me muret e gjerë e të lartë, që i mbronin banorët e saj nga shikimet. Kështu e mbante mend ai shtëpinë.
“Përtej rrugës, pas një peme mimoze të madhe, dukej fasada e verdhë e “Medresesë”, dikur shkollë fetare myslimane, e shndërruar në klinikë stomatologjike. Bordura prej çimentoje e kangjellave të saj shërbente si stol për rrugaçët e lagjes, vulgariteti i të cilëve, i çjerrë dhe i dëshpëruar, vërshonte pa reshtur në komente të pista, kur kalonin vajza të reja ose ndonjë fëmijë
që nuk i përkiste bandës së tyre. Shpesh isha unë vetë shënjestra e tyre, kur gjendesha i pashoqëruar. Sharjet e tyre, tepër anekdotike për t’u bërë sebep ankese pranë familjes sime, por të mjaftueshme sa për të kënaqur sulmuesit e mi, e humbnin fuqinë sapo porta e rëndë e oborrit mbyllej pas meje, duke ua prerë rrugën kërcënimeve të botës së jashtme”, shkruan Tedi Papavrami në librin “Fugë për violinë”, i pari që e sheh si shkrimtar, pas sprovimit si përkthyes me veprat e shkrimtarit Ismail Kadare, në gjuhën frënge.

Papavrami dhe Guy, në koncertin me sonatat e Bethoven, në katedralen ortodokse "Ngjallja e Krishtit", Tiranë. 

Katër vjet më vonë nga koha e përurimit të librit dhe koncertit me sonatat dhe partitat e kompozitorit të periudhës baroke, Johan Sebastian Bah dhe një periudhe të trazuar në jetën e tij private – rreth së cilës i hap sërish dyert për t’ia rrëfyer lexuesit dhe admiruesve të muzikës së tij, krejt i vërtetë –virtuozi shqiptar i violinës me një karrierë të gjatë në skenat botërore, iu kthye publikut shqiptar, i shoqëruar në piano nga François Frederic Guy, kësaj here me sonatat e një tjetër kompozitori të madh gjerman, Ludvig van Bethoven.

Gjeta në publikun e koncertit të njëjtin besim në atë që i propozoj, çka qe shume prekëse dhe me transmetoi forcë”

Me pianistin francez bashkëpunon në skenë prej më shumë se dhjetë viteve, ndërsa në Shqipëri, rrëfen Papavrami kanë dhënë koncert para shtatë viteve bashkë, në edicionin e parë të festivalit “Different Trains”. “Qe një kënaqësi e madhe të ndieja përsëri prezencën e publikut shqiptar, i cili fatmirësisht me ndjek edhe kur i paraqes vepra, të cilat nuk janë të lehta për t’u shijuar”, thotë violinisti, ndërsa rrëfen rreth vështirësive me të cilat është ndeshur jeta e tij nga koha e vizitës së fundit në Tiranë, në majin e vitin 2014. “Në fakt katër vitet që kaluan nga koncerti i fundit në Tiranë qenë të vështira dhe, më çuan në momente dobësie të madhe.” Ishte periudhë që përkonte edhe me divorcin nga bashkëshortja, me të cilën kaloi bashkë njëzetenjë vite.

Papavrami dhe Guy, në koncertin me sonatat e Bethoven, në katedralen ortodokse "Ngjallja e Krishtit", Tiranë. 

Po vetë Tedi Papavrami a erdhi ndryshe për publikun shqiptar?
“Pa dyshim që diku më kanë ndryshuar. Por gjeta në publikun e koncertit të njëjtin besim në atë që i propozoj, çka qe shume prekëse dhe me transmetoi forcë”, pranon ai. Në skenat botërore është artisti virtuoz Tedi Papavrami, por sa herë vjen në Tiranë e shoqëron edhe aspekti njerëzor. Po aq sa sonatat e Bethovenit, kryefjalë ishte edhe kthimi i tij. I pyetur, nëse kjo, për një muzikant është inkurajuese apo penguese në punën e tij, Papavrami përgjigjet: “ Mbase më vë në një presion të veçantë. Sidoqoftë, kapacitetin për t’i vënë vetes presione e kam mjaft…të rëndësishëm!”, e pranon violinisti.


Duket sikur muzika, violina, së cilës iu përkushtua qysh në moshën katërvjeçare, e shtrëngon të bëjë një jetë diskrete. Në rastin e Papavramit të krijohet përshtypja se parapëlqen të flasë vetëm përmes tingujve dhe rrallë të rrëfejë jetën përtej skene. Nuk mendon krejt kështu violinisti. “Nuk e besoj, pasi herën e fundi paraqisja madje një autobiografi, por është e vërtetë që gjërat e zakonshme, të cilat më duken pa interes, të tjerëve nuk kam dëshirë t’ua imponoj.”
A pati ndonjëherë dyzim nëse kishte bërë zgjedhjen e duhur për ta sjellë në shqip autobiografinë e tij “Fugë për violinë”? Lexuesi në këtë rast, një pjesë të jetës së tij e njeh dhe ka ndarë të njëjtin sfond historik me Papavramin, të paktën deri në moshën 12-vjeçare, kur u largua nga Shqipëria.

“Kam pasur komente që më kanë prekur dhe më kanë bërë të besoj se, disa nga lexuesit kanë ndier ato që jam munduar të shpreh.” 


“Nuk pata ngurrim për ta përcjellë librin shqip. Nëse e vërteta ime do të ishte e dyfishtë ajo nuk do të vlente, as në frëngjisht”, thotë Papavrami, ndërsa shton “Kam pasur komente që më kanë prekur dhe më kanë bërë të besoj se, disa nga lexuesit kanë ndier ato që jam munduar të shpreh.” Nëse për publikun francez, pjesa e librit që zhvillohet në Shqipëri është kureshtje, “për shqiptaret e gjeneratës sime është më tepër nostalgji dhe kujtime personale”, thotë Papavrami, i lindur në Tiranë, më 1971-shin. Nga fotografitë e postuara në rrjetet sociale, u kuptua që kthimi i Papavramit e kapërceu skenën muzikore, me vizita në site të trashëgimisë kulturore si Butrinti apo muze të historisë së vonë, të periudhës komuniste si BunkArt. I larguar nga Shqipëria në moshë të re dhe me kthime kryesisht për koncerte apo veprimtari të tjera muzikore, duket se ishte një kohë eksplorimi turistik edhe për të si shqiptar, jo vetëm për bashkëshorten japoneze. “Shqipëria është një vend me plot mrekulli në natyrë, histori, tradita, kuzhinë…Më duket që është duke marrë drejtimin e duhur, edhe pse banorët e saj mbase nuk e dallojnë, se hasin vështirësitë e përditshme të një realiteti, i cili mbetet shpesh i rëndë.

Papavrami dhe  violinistja Marina Chiche, Butrint, tetor 2018. Foto kortezi:Tedi Papavrami


Teksa zbulon axhendën koncertore, rrëfen se e ka rralluar ndjeshëm numrin e koncerteve. “Gjatë një viti i anulova të gjitha angazhimet për shkak të problemeve shëndetësore që hasa”, zbulon violinisti, ndërsa koncerti më i afërt, është në Gjenevë, qyteti ku jeton, me muzikë nga Bah, i cili “mbetet një bosh kryesor në punën time”, thotë violinisti. Në fillim të muajit dhjetor do të mbajë një recital në Francë, me Brahms dhe Bethvohen, ndërsa zbulon se po planifikon një koncert me pjesë të Giorgi Ligetit, kompozitor hungarez bashkëkohës, i ndarë nga jeta në vitin 2006. Thotë se do ta luajë së shpejti, në Gjenevë. Rrëfen se po planifikon për një kthim, vitin e ardhshëm në Tiranë.

Do t’i sjellë të dhjeta sonatat e Bethovenit, pas katër të tillave që luajti në skenën e katedrales ortodokse, më 3 nëntor. Po, po mundohemi të organizohemi me z.Xhafaj që të kthehemi të vazhdojmë ciklin, para verës 2019”, rrëfen Papavrami, ndërsa shton se do të vijë sërish me pianistin François Frederic Guy. “Puna që kemi bërë bashkë në këtë repertor është e pazëvendësueshme dhe ai mbetet një partner tejet frymëzues për mua si dhe një mik i ngushtë.”
Edhe bashkëshortja e tij, Maki Okada, është me profesion pianiste dhe violinisti premton se do të luajë me të, në Shqipëri. “Do të vijmë një ditë të luajmë bashkë, në Shqipëri. Repertori për violinë dhe piano nuk mungon dhe kemi gjithë jetën për këtë.”


Kur nuk është duke luajtur koncerte në skenat vendase, në Zvicër, apo në Francë dhe gjetkë në Europë, Papavrami rrëfen se jeta e tij është ajo e zakonshmja, si e çdo njeriu. “Punojmë secili në instrumentin e tij, hamë drekë e darkë, përditë dalim të shëtisim në natyrë të paktën një orë me Willin, qenin tonë.” Papavrami është i njohur edhe për një tjetër dimension përtej muzikës dhe virtuozitetit me të cilin luan në violinë. Është një kafshëdashës i përkushtuar. Tregon përjetimin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të qenit të tij, Theo-s, shoqërues i pandarë i violinistit për të gjitha vitet që kaluan bashkë. “Fatkeqësisht Theo nuk është më…”, përgjigjet. “ Iku në një moment të vështirë për mua çka ma rëndoi pikërisht gjendjen.”

“Punojmë secili në instrumentin e tij, hamë drekë e darkë, përditë dalim të shëtisim në natyrë të paktën një orë me Willin, qenin tonë.” 

Mundohet të gjejë kohë edhe për jetë sociale, për takime me miq të ngushtë, edhe pse e pranon se si ai ashtu edhe e shoqja, nuk parapëlqejnë daljet e shpeshta. “Ka në Gjenevë, disa muzikante të cilët i admiroj shumë dhe me të cilët bashkëpunoj, si Marta Argeriç, të cilën gëzohem kur e takoj, edhe jashtë muzikës. Bëjmë pak sport, lexojmë, shohim filma të vjetër”. Zbulon se një nga pasionet e tij është edhe kinemaja, veçanërisht “kinemaja japoneze”, thotë. Mbase ky pasion për artin dhe kulturën japoneze e çoi edhe në njohjen me bashkëshorten. “Kam edhe nxënësit në konservatorin e Gjenevës, të cilëve u jap mësim duke u munduar t’i çoj përpara në rrugën kaq të vështirë të muzikës, nëpërmjet violinës”, shton Papavrami.


Ndërsa fliste për krijimtarinë e Beethoven-it, përpara koncertit në Tiranë dhe veçanërisht në veçoritë e sonatave të tij, Papavrami thoshte se kompozitori gjerman ishte i lidhur ngushtë me natyrën dhe në muzikën e tij, dëgjuesi mund ta ndiejë qartë natyrën dhe stinës.
Po aromën e cilës stinë solli Papavrami për publikun shqiptar, pas katër vitesh? Në këtë vjeshtë të butë e të ngrohtë, që nëse nuk do të ishte për gjethnajën e artë , me të cilët pemët zhvishen për të mbathur rrugët, gjithkush do të mendonte se ishim në pranverë, po aq të bukur dhe të ëmbël sa edhe sonata e Beethovenit, e njohur pikërisht si “Pranvera”, të cilën Papavrami dhe Guy e sollën për publikun vendas, në fillim nëntori. “Ka një moment ku muzika ngjall ndjenja e ku fjalët nuk mund ta ndjekin. Ashtu si natyra, e cila mbetet një burim frymëzimi dhe ngushëllimi për të gjithë ata, që kërkojnë të vërtetën, si Beethoven”, përfundon Papavrami. Ky kthim në Tiranë, përtej koncertit duket se kishte për të aromën e stinës së kujtimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë