Lajme

Teatri i Metropolit, “Pesë ditë mbret” dhe një stinë ende e paqartë shfaqjesh

“Pesë ditë Mbret” është komedia me të cilën, Stefan Çapaliku bashkë me Teatrin e Metropolit i dhanë jetë këtij sezoni të ri artistik në kryeqytet. Por kohët sfiduese e të pasigurta të Covid-19, e shpërngulën skenën  nga teatrit drejt tarracës së Pallatit të Kulturës, njohur ndryshe si “Tulla Nouvelle Center”.

“Kishte interesim të madh, por për fat të keq hapësira të lejon numër të kufizuar”, thotë Anila Mema, përgjegjëse e Sektorit të Marrëdhënieve Publike në Teatrin e Metropolit, duke shtuar se megjithëse në mjedise të hapura rregullat ishin rigoroze, ku secili nga publiku duhet të mbante me detyrim maskën e të respektoheshin distancat fizike.

Sipas Memës, në një natë shfaqjeje nuk mund të ishin më shumë se tridhjetë shikues, edhe pse pas gjithë kësaj kohe thatësire artistike – ku e vetmja mundësi kanë qenë shfaqjet e transmetuara online në rrjetet sociale -, publiku është i dëshiruar për të ndjekur nga afër shfaqjet teatrore.“Dëshira për të rinisur është e madhe, por ende jemi të paqartë”,  vijon Mema, pa pasur ende një përgjigje zyrtare nga Bashkia, institucioni nga varet edhe teatri i kryeqytetit.

Edhe teatrot, në varësi të Ministrisë së Kulturës nuk dinë të japin ende një përgjigje konkrete, megjithëse shfaqjet e tyre prej kohësh nuk bëhen në skenën e shtëpisë, më parë Teatri Kombëtar që e braktisi godinën ( tashmë të shembur), me përurimin e skenës alternative “ArTurbina”, edhe Eksperimentali që pati shfaqje deri në ditët para së vendi të hynte në karantinë, tashmë është pa një godinë të tijën.

Regjisorë dhe aktorë përgjigjen se janë po aq të paqartë sa edhe vetë situata dinamike me koronavirusin, por një alternativë mbetet skena e Amfiteatrit të Liqenit (por me vjeshtën që megjithëse ka trokitur me diell, gjithçka do të jetë në duart e motit ).

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti do të thoshte para pak ditësh në një prezantim të analizës katërvjeccare të TKOB-it në drejtimin e Zana Çelës, se hapja e shkollave ishte një test, që do të vlente edhe për institucionet kulturore.

Por deri më tani, e gjithë bota është e paqartë rreth rihapjes së teatrove dhe kinemave, megjithëse disa vende e kanë bërë.Qeveria britanike mori vendimin që teatrot e mbyllur dhe vendtakimet e muzikës dhe performancës të hapeshin nga 15 gushti, sigurisht nën masa të rrepta të sigurisë.

Për disa teatro në Britani, çështja e mbijetesës është bërë fakt. Të gjithë teatrot, ato me kapacitete  të mëdha e ato më të vegjël do të duhet të ridimensionohen për t’iu përshtatur  rregullave të distancimit social, edhe pasi të jenë hequr kufizimet.

Edhe hapjet do të thotë  të operojnë me më pak kapacitet, që do të thotë reduktim i shitjeve të biletave dhe kosto të shtuara për pastrim të thellë e dezinfektim pas çdo shfaqjeje.

Megjithë vështirësitë  shfaqja e Çapalikut  “Pesë ditë mbret”, që risjell përmes satirës historinë e Otte Witte, klounin  bohem i cili pretendoi, deri në ditën e vdekjes,  se për 5 ditë, kishte qenë mbret i Shqipërisë pas osmane, vjen për publikun edhe këtë fundjavë.

Nga e premtja në orën 19:30, në tarracën e Tulla Nouvelle, me numrin e reduktuar të karrigeve dhe maskat e detyrueshme, publiku do të ndjekë historinë e pabesueshme, që qarkullon prej më shumë se një shekulli e akrobatit gjerman, që sipas pretendimeve të tij për pesë ditë shijoi privilegjet e mbretit, mes tyre edhe haremin.

Një vit pasi Shqipëria kishte shpallur  pavarësinë nga Perandoria Osmane, disa shqiptarë myslimanë e ftuan  Halim Eddine-në , një nip i Sulltanit, të bëhej mbret i kurorës. Duke vënë re ngjashmërinë me  Halim Eddine-në, Witte thoshte se kish udhëtuar drejt Durrësit me një mik, gëlltitësin e shpatave Max Schlepsig. Ai pretendonte e ia kishte dalë të kurorëzohej mbret nga trupat vendase më 13 gusht të 1913-s.

Ai gjithashtu thoshte se, në pesë ditët në vijim, shijoi haremin dhe i shpalli luftë Malit të Zi, përpara se mashtrimi i tij të zbulohej. Pretendimet e tij shkonin deri aty sa ai thoshte se kishte marrë një pjesë të thesarit të mbretërisë dhe bashkë memikun e tij, ia kish dalë të  arratisej nga pallati, me ndihmën e haremit ekëshut kishte dalë jashtë vendit.

Por historia e tij ishte e pagjasë. Nuk kishte asnjë Halim Eddine dhe i biri i Sulltan Abdul Hamidit t II, Burhan Eddine, të cilit iu ofrua froni më 1914-n, nuk erdhi  kurrë.  Po atë vit, i caktuar nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ishte Princ  Vidi, megjithëse edhe udhëheqja e tij në Principatën e sapoformuar autonome të Shqipërisë qe e shkurtër, nga 7 marsi deri më 3 shtator të 1914-s.

Por historia e mbretit pesë ditësh, do të  bëhet subjekti i jetës së Otto Witte. Më  1939-n vendos t’i botojë këto kujtime në një libër të shkruar nga vajza e tij Elfriede Witte, e cila e quan atë  “aventurierin më të madh të të gjitha kohërave”. Otto Witte arrin të shënojë në letërnjoftimin e tij “ehemaliger König von Albanien” (mbreti i dikurshëm i Shqipërisë).Në pllakën e  varrit të Otto Witte,  në varrezat e Hamburgut, dallohet edhe shënimi “Ehemaliger König von Albanien” (ish-mbret i Shqipërisë).

Me figurën e Witte-s, Çapaliku i cili përmes artit të tij ka sëmbuar gjithnjë plagët e politikës dhe shoqërisë shqiptare, thotë se ka përmbledhur  të gjithë historinë 100-vjeçare të Shqipërisë. “Kur flet për shitje territoresh i referohesh Ahmet Zogut, për bunkerët na kujtohet Enver Hoxha, që donte të mbronte pushtetin e tij me çdo kusht. Kur flasim për mbledhjen e hashashit kujtojmë qeveritë pas viteve ’90. Edhe kur flasim për dhënien e detit Greqisë, kujtojmë sërish qeveritë e tranzicionit, këtë që është edhe atë që ka qenë”, do të deklaronte vetë Çapaliku.

Për teatrin e Metropolit, që po shfrytëzon mjediset e tarracës së Pallatit të Kulturës, një hapësirë e shndërruar në një qendër kulturore, e shfrytëzueshme  si skenë alternative muzikore, kinema e hapur apo për shfaqje teatri, po kthehet në të vetmen mundësi që teatri, të paktën ai i kryeqyetit, t’i qaset publikut me emocione për së gjalli.

“Edhe për ne është fazë eksperimentale”, përfundon Mema , duke theksuar edhe njëherë dëshirën e madhe të stafit dhe trupës teatrore të Metropolit për t’u rikthyer me shfaqje në skenë si sikur, para epokës së Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë