Shendet

Të rinjtë shqiptarë duan të dinë më shumë për shëndetin seksual dhe riprodhues por nuk kanë hapësira

Në kulturën shqiptare, të folurit për shëndetin seksual dhe riprodhues ka qenë një tabu dhe shumë shpesh bisedat janë anashkaluar edhe në lidhjen direkte nënë-fëmijë. Për të ruajtur shëndetin seksual dhe riprodhues, njerëzit kanë nevojë për informacione të sakta. Përveç familjes, të rinjtë kanë dhe një burim tjetër informacioni siç është shkolla.

Shoqata “Together for Life” ka realizuar një pyetësor gjatë periudhës 2019-2020 me 100 të rinj në gjimnazet e Lushnjës dhe Kukësit dhe 103 të rinj në gjimnazet e Tiranës.

Nga 100 pyetësorë të plotësuar, përkatësia gjinore ishte 34 djem dhe 65 vajza. Ndërkohë gjatë 2020-s u realizuan intervista me 103 të rinj nga gjimnazet në Tiranë (33 djem dhe 70 vajza).

Në krahasimet midis të rinjve në rrethe dhe në Tiranë rezulton se shkolla luan një rol të rëndësishëm në edukimin për shëndetin seksual dhe riprodhues, pubertetin si dhe barazinë gjinore. Gjithsesi, dallohet se në rrethe, shkolla ka një ndikim më të madh në rolin e saj edukues krahasuar me Tiranën, sidomos në çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues.

Të rinjtë që morën pjesë në këtë vëzhgim u pyetën lidhur me sasinë e orëve që kanë në shkollë për shëndetin seksual dhe riprodhues. Bie në sy fakti se në rrethe dy të tretat e të rinjve deklarojnë se orët janë të mjaftueshme, krahasuar me të rinjtë në Tiranë, ku po e njëjta përqindje deklaron se duhet të ketë më shumë orë mësimi për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Informacioni ndryshon në Tiranë krahasuar me në rrethe. Një gjetje e rëndësishme është fakti që në rrethe shkolla është burim informacioni për më shumë se katër të pestat e gjimnazistëve të pyetur, ndërkohë që në Tiranë më pak se gjysma e konsiderojnë burim informacioni.

Nga ana tjetër, interneti përbën burim informacioni për më shumë se tre të pestat e gjimnazistëve në Tiranë. Kryeqyteti ndryshon nga rrethet edhe në komunikimin brenda familjes. Nëse përmendim tre burimet kryesore të informacionit për rrethet, prindi-nënë përbën të tretën, ndërkohë që në Tiranë, burim i tretë informacioni janë shokët dhe shoqet, të konsideruara të tillë nga një në tre gjimnazistë. Kurse, lidhur me prindër, në kryeqytet më pak se një në pesë gjimnazistë komunikon me prindin-nënë dhe më pak se një në njëzet gjimnazistë komunikon me prindin-baba, duke treguar komunikimin shumë të ulët të gjimnazistëve në familje lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues. Vetëm dy nga djemtë e pyetur në Tiranë i kanë identifikuar prindërit (nënën dhe babanë) si burim informacioni për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Të pyetur se nga do të donin ta merrnin informacionin për shëndetin seksual dhe riprodhues rezulton se në përqindje të konsiderueshme si në rrethe, ashtu edhe në Tiranë, të rinjtë vlerësojnë si burim informacioni shkollën, me Tiranën në përqindje më të lartë se në rrethe. Nga ana tjetër, lidhja e familjes dhe ndikimi i saj duket më i fortë në rrethe, ku 20% e të rinjve deklarojnë se do të donin që nëna të ishte burim informacioni për shëndetin seksual dhe riprodhues, krahasuar me të rinjtë në Tiranë që vetëm 3% e shohin nënën si burim informacioni. Gjithashtu, të rinjtë në Tiranë vetëm në një rast citojnë se do ta donin babain si burim informacioni, ndërkohë, në rrethe babai dëshirohet si burim informacioni nga 8% e të rinjve, ku shumica janë vajza.

Ndërkohë, vihet re se numri i të rinjve që me dëshirë do ta merrnin informacionin nga interneti është tepër i ulët si në rrethe edhe në Tiranë. Gjëja që theksohet kur flitet për internetin është se kërkohet informacion nga faqe të licencuara dhe jo nga faqe ‘fake’.

Mungesa e komunikimit prindër-fëmijë vihet re sidomos në pyetjen “A flisni me prindërit për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues?”

Rezulton se një në tre gjimnazistë në Tiranë dhe një në katër gjimnazistë në rrethet e përfshira në studim, nuk komunikojnë kurrë me prindërit për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Ndërkohë, dy në tre gjimnazistë në rrethe dhe një në dy gjimnazistë në Tiranë komunikojnë rrallë dhe vetëm një në dhjetë gjimnazistë në rrethe dhe Tiranë komunikojnë shpesh me prindërit për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues.

Një pyetje e cila synon të shohë se si funksionon shërbimit shëndetësor ishte edhe ajo se ku e kanë kryer vizitën e fundit mjekësore të rinjtë e gjimnazeve në rrethe dhe në Tiranë. Rezulton se të rinjtë në rrethe i kryejnë më shumë vizitat në klinika private dhe më pak në qendrën shëndetësore. Ajo çka bie në sy është përqindja e lartë e vizitave të kryera në spitalin publik. Ndërkohë për Tiranën, më shumë se dy në pesë gjimnazistë tregojnë se i kryejnë vizitat në qendër shëndetësore. Rezultatet e marra mund të interpretohen me faktin se në kryeqytet sistemi i referimit funksionon më mirë sesa në rrethe, si dhe fakti që në rrethe qendra shëndetësore anashkalohet edhe për shkak të mungesës së specialiteteve dhe kalohet direkt në spitalin publik.

Të rinjtë u pyetën edhe për sjelljen e tyre kur vizitojnë institucionet shëndetësore. Të rinjtë në Tiranë duken më aktivë në marrjen e informacionit për shëndetin seksual dhe riprodhues. Kështu një në pesë të rinj në rrethe dhe një në tre të rinj në Tiranë janë ‘angazhuar’ për të marrë broshurë të shëndetit seksual dhe riprodhues në institucionet shëndetësore.

Një pyetje e rëndësishme ishte lidhur me ndjesinë e krijuar në bisedën me mjekun për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues, duke qenë se mënyra e komunikimit është shumë e rëndësishme për të rinjtë. Rezulton se në Tiranë të rinjtë janë ndier më komod në bisedë krahasuar me të rinjtë në rrethe. Kështu vetëm një në pesë të rinj në rrethe është ndier komod krahasuar me një në dy të rinj në Tiranë. Ndërkohë, katër në pesë të rinj në rrethe u shprehën se nuk janë ndier të lirshëm ose janë ndier në siklet në bisedat me mjekun.

Të ndarë sipas gjinisë shihet se vajzat në rrethe në përqindje të konsiderueshme janë ndier në siklet në komunikimin me mjekun. Kjo përqindje e lartë mund të lidhet edhe me mungesën e mjekëve specialistë, sidomos ata të shëndetit seksual dhe riprodhues.

Shqetësues është mendimi i të rinjve se një person i prekur nga HIV/Aids dallohet që në pamje të jashtme. Kjo përqindje është më e lartë në rrethe, ku gati gjysma e të rinjve që iu përgjigjën pyetësorit mendojnë se mund ta dallojnë një të prekur me HIV/Aids që në pamje krahasuar me një në pesë të rinj që iu përgjigjën pyetësorit në Tiranë. Ndërkohë, e lartë është edhe përqindja e të rinjve që nuk dinë t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, ku në rrethe arrin në një në katër të rinj që kanë marrë pjesë në këtë pyetësor krahasuar me Tiranën, që është një në shtatë të rinj.

Të rinjtë duan të kenë më shumë informacion të sigurt për shëndetin seksual dhe riprodhues por komunikimi mbetet problematik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë