Shendet

Kufizimi i sheqerit deri në moshën dy vjeç lidhet me rrezik më të ulët për demencë

Nga Gazeta ‘Si’- Kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë shtatzënisë dhe deri në moshën dy vjeç mund të lidhet me një rrezik më të ulët për demencë në moshë të madhe, me shfaqje më të vonshme të sëmundjes dhe me shëndet më të mirë të trurit, sugjeron një studim i ri.

Sipas studiuesve, ulja e konsumit të sheqerit në fazat më të hershme të jetës lidhej me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës dekada më vonë.

“Kufizimi i sheqerit në fazat më të hershme të jetës mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit,” tha autorja e studimit, Jiazhen Zheng, nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong. “Këto rezultate nxjerrin në pah rëndësinë e mundshme të ushqyerjes në fillimet e jetës për uljen e rrezikut të demencës.”

Studiuesit analizuan të dhënat e afro 65 mijë personave të lindur para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Mbretërinë e Bashkuar ishte në fuqi sistemi i racionimit të sheqerit.

Ky racionim përfundoi në vitin 1953. Pas heqjes së kufizimeve, konsumi mesatar ditor i sheqerit pothuajse u dyfishua, duke u rritur nga rreth 41 gramë në 80 gramë në ditë.

Pjesëmarrësit u ndanë në grupe sipas ekspozimit ndaj racionimit të sheqerit: ata që ishin ekspozuar që para lindjes dhe gjatë vitit të parë të jetës, ata që ishin ekspozuar deri në moshën dy vjeç dhe ata që kishin lindur pas përfundimit të racionimit.

Duke përdorur të dhënat mjekësore të pjesëmarrësve rreth moshës 55-vjeçare, studiuesit ndoqën diagnozat e demencës gjatë 15 viteve në vijim.

Rezultatet treguan se personat që kishin qenë të ekspozuar ndaj kufizimit të sheqerit para lindjes dhe gjatë vitit të parë të jetës kishin 21% më pak rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me ata që lindën pas përfundimit të racionimit. Për ata që ishin ekspozuar deri në moshën dy vjeç, rreziku ishte 23% më i ulët.

Edhe te personat që zhvilluan demencë, diagnoza u vendos mesatarisht 2.6 vjet më vonë te ata që kishin konsumuar më pak sheqer në fillimet e jetës.

Autorët e studimit theksojnë se kufizimi i sheqerit gjatë 1.000 ditëve të para të jetës- nga shtatzënia deri rreth moshës dy vjeç- lidhet me një rrezik më të ulët për demencë, shfaqje më të vonshme të sëmundjes dhe tregues më të mirë të shëndetit të trurit.

Megjithatë, ata nënvizojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë mekanizmat përmes të cilëve ekspozimi i hershëm ndaj sheqerit ndikon në rrezikun e demencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë