Arsim

Të metat dhe dobitë e teknologjisë në mësimdhënie

Raporte të ndryshme të viteve të mëparshme tregojnë se shumica e adoleshentëve në moshën 15-vjeçare kishin së paku një kompjuter në shtëpi dhe në shkollë. Ka disa studime që tregojnë se në vende të ndryshme si Kina dhe Koreja e Jugut, shumica e adoleshentëve kanë përcaktuar se kompjuterët janë një ndër interpretuesit më të mirë të leximit digjital.

Ekspertët i kanë mbledhur këto të dhëna nga programe të ndryshme për vlerësimin e studentëve, si PISA. Gjetjet kanë treguar se megjithëse përhapja e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është shumë e madhe në jetën tonë të përditshme, teknologjia nuk është shumë mirëpritur në arsimin zyrtar dhe nëse përdoren nga nxënësit gjatë orës së mësimit, shkakton konfuzion tek ata.

Ndër të tjera ekspertët cilësojnë se marrëdhënia e teknologjisë, mësimdhënies dhe mësimnxënies nuk është e thjeshtë dhe ende nuk dihet saktësisht përfitimet që mund të japë teknologjia e informacionit.

Megjithatë, kjo qasje duhet të ndryshojë dhe teknologjia nëpër shkolla duhet të jetë më prezente, pasi kompjuterët dhe interneti luajnë një rol kryesor në jetën tonë personale dhe profesionale dhe nxënësit që nuk kanë fituar aftësi në përdorimin e teknologjisë në shkollë do ta ndjejnë veten të paaftë.

Diçka thelbësorë që shkruhet në raporte të ndryshme është edhe fakti se aftësitë themelore të kërkuara në mjedisin digjital mund dhe duhet të mësohen. Disa prej aftësive të vlerësimit dhe menaxhimit të lundrimit në internet duhet të jenë thelbësore në shkollë dhe të ketë një lëndë mësimore për të mësuar mbi teknologjinë dhe inovacionet e saj të vazhdueshme.

Për shembull në raportin “Studentët, kompjuterët dhe të mësuarit PISA” në vitin 2015, ekspertët janë shprehur se kjo do të përmirësonte barazinë në arsim. Të dhënat kanë treguar se pabarazia mes adoleshentëve që dinin të përdornin internetin dhe adoleshentëve që kishin shumë pak informacion mbi të u tkurr nga viti 2009 në vitin 2012. Kjo tregon se “ndarja digjitale” mund të kalohet me shumë lehtësi nëpër shkolla të ndryshme.

Në këtë raport theksohet gjithashtu se mësuesit, prindërit dhe studentët duhet të jenë të informuar edhe për anët e dëmshme të internetit, pasi të gjithë e dimë që bota digjitale është e komplikuar, duke nisur nga mos përdorja e një plagjiature, mbingarkesa e informacionit dhe mbrojtja e fëmijëve nga mashtrimet në internet dhe sulmet kibernetike. Në raport u përcaktua edhe fakti se PISA ka konstatuar që ka nxënës nëpër botë që kalojnë më shumë se gjashtë orë në internet gjatë ditës, duke treguar kështu rrezikun e internetit. Ekspertët këtë e tregojnë edhe si një faktor shumë të rëndësishëm për mënyrën se si ndjehen ata në ambientet e shkollës.

Nisur nga këto fakte dalim në përfundimin se shkollat mund të edukojnë nxënësit të jenë konsumatorë kritikë të shërbimeve në internet, duke i ndihmuar ata të shmangin sjelljet e dëmshme. Pikërisht për këtë gjë, është tepër e rëndësishme që teknologjia e informacionit të kthehet një kulturë për fëmijët.

Një tjetër interpretim i rëndësishëm i këtyre gjetjeve është se edhe mësuesve do t'ju duhet kohë dhe një punë e madhe për të mësuar si të ndërthurin teknologjinë në lëndë të ndryshme arsimore. Ndërkohë, edhe ekspertët e teknologjisë duhet ndihmojë mësuesit dhe drejtuesit e shkollës me mjetet e duhura për t’i vendosur më pranë informacioneve të nevojshme, në fund të fundit, me teknologjinë mund të përforcojmë mësimdhënien dhe të zëvendësojmë praktikat e dobëta mësimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë