Opinion

“Të fortët e ‘97-ës” janë të lirë…

Lulzim Berisha, Lulzim Caka, Dritan Dajti, Gert Gjinerari e Elidon Kotorri. Për të lindurit rreth viteve 2000 këta emra mund të thonë pak, ose aspak. Por, për një brez pak më të rritur, këta emra janë sinonim i “të fortëve” të ’97-ës, njerëz të dënuar me burg për krime të shumëfishta, para, gjatë dhe pas vitit të mbrapshtë.

Por, megjithëse mbi supe mbajnë krime nga më të rëndat, që në një vend me sistem drejtësie të konsoliduar gjasat janë që do t’u hidheshin çelsat e qelisë në det, që të gjithë këta ja kanë dalë mbanë që të mposhtin sistemin shqiptar, duke i shpëtuar burgut përjetë, madje edhe duke fituar lirinë para kohe me arsye nga më të pabesueshmet.

Një pjesë e këtyre emrave, si në rastin e Elidon Kotorrit dhe Lul Cakës u dënuan me burgim të përjetshëm nga drejtjësia shqiptare, por me arsyetimin se nuk u ishte garantuar një proces gjyqësor i drejtë ata i janë drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që u ka dhënë të drejtë dhe i ka shpëtuar nga burgu përjetë.

A mund të fajësohet Strasburgu për këtë? Gjykata për të Drejtat e Njeriut të tilla çështje nuk i gjykon në themel, pra, Strasburgu nuk shqyrton nëse ankimuesi është fajtor apo jo, por gjykon nëse përgjatë gjykimit të tij nga drejtësia e një vendi firmëtar të Konventës, siç është Shqipëria, janë respektuar plotësisht të drejtat që atij i garantohen nga Konventa e Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Lulzim Caka dhe Elidon Kotorri që të dy u dënuan me burg përjetë nga drejtësia shqiptare, por që të dy u ankuan në Strasburg për shkelje të të drejtave të tyre, duke mos u garantuar një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.

Për Lulzim Cakën, Strasburgu doli me një vendim përfundimtar në mars të 2010. Gjykata gjeti një sërë shkeljesh gjatë procesit gjyqësor që çoi në dënimin e tij me burg përjetë. Mes shkeljeve ishin edhe nenet 31,32 dhe 33 të Kushtetutës së Shqipërisë në fuqi në atë kohë dhe një pjesë të neneve të Kodit të Procedurës Penale. Nenet në fjalë të Kushtetutës së Shqipërisë sanksiononin të drejtën e të pandehurit për një proces të rregullt gjyqësor, pra bëhej fjalë për procedurën e ndjekur gjatë hetimit, gjykimit dhe më pas dënimit të tij.

Caka ankohej se prokuroria shqiptare kishte dështuar ta informonte atë, ose familjarët e tij në kohë për akuzat e ngritura kundër tij. Ai ankohej gjithashtu se nuk i ishte vënë në dispozicion koha e mjaftueshme për t’u mbrojtur kundër këtyre akuzave dhe as lista e dëshmitarëve që akuzonin atë për krimet në fjalë.

Të njëjtën rrugë ndoqi edhe Elidon Kotorri. Në rastin e tij, Strasburgu i dha të drejtë dhe rrëzoi me argumentin se ishin marrë arbitrarisht të disa provave thelbësore mbi të cilat gjykatat shqiptare i dhanë dënimin maksimal me burg përjetë. Provat, sipas Gjykatës së të Drejtave të Njeriut mes të cilave dëshmia e shoferit të biznesit familjare të Kotorrit në atë kohë ishin marrë me dhunë nga ana e policisë.

Dritan Dajti nuk ka fituar lirinë, por nëse vendimi i marrë prej Apelit të Krimeve të Rënda që i njohu të drejtën e gjykimit të shkurtuar duke e shpëtuar nga burgimi i përjetshëm do të mbetet në fuqi, dalja e tij është çështje kohe.

Njeriu që ekzekutoi katër efektivë të forcave operacionale të Policisë së Shtetit në gusht të 2009 nuk pati nëvojë që të shkojë në Strasburg për këtë. Ai përfundoi me 25 vite burg, që reduktohen edhe më tej duke llogaritur kohën e gjatë të kaluar në paraburgim. Vendimi nuk ka qenë anonim. Nga trupa prej pesë gjyqtarësh, dy votuan kundër dhe tre pro njohjes së gjykimit të shkurtuar. Ndaj këtyre të fundit ka nisur një hetim.

Të njëjtën dobësi të drejtësisë shqiptare shfrytëzoi edhe Gerd Gjinerari, i dënuar me burg përjetë nga drejtësia italiane për vrasjen e Naim Zyberit në një spital të Milanos. Në Shqipëri u ekstradua në vitin 2014 dhe që prej asaj kohe ka këmbëngulur vazhdimisht lehtësimin e këtij dënimi. Këmbëngulja iu shpërblye në shkurt të këtij viti, kur fitoi lirinë edhe në këtë rast falë njohjes së gjykimit të shkurtuar.

Strasburgu nuk është rasti i Lul Berishës. I arrestuar në 2006, ai u dënua fillimisht me burg përjetë, por në 2014, Gjykata e Lartë e zbuti dënimin duke e dënuar me 25 vite burg. Ai “u rehabilitua” nga Bashkia e Durrësit, që në kohën që drejtohej nga Vangjush Dako doli garante për sigurimin e një vendi pune vullnetar në ndërmarrjet e këtij institucioni për të dënuarin në fjalë. Pra, në thelb, njeriu i dënuar si kreu i një bande famëkeqe prej më shumë se 15 anëtarësh me aktivitet gjobëvënien, rrëmbimet, trafikun e drogës, e deri tek vrasjet do të pastronte plazhet e këtij qyteti.

Pak rëndësi ka se nga ka kaluar rruga e lirimit të të gjithë këtyre emrave, nga Strasburgu, apo nga Tirana, e përbashkëta e është se të gjithë ata u liruan apo iu ul dënimi falë procedurës dhe jo pafajësisë për krimet e kryera. Ajo tregon një të vërtetë të madhe: sistemin e drejtësisë që ndërtuam pas rënies së komunizmit, një simbiozë trepalëshe produkt i shkollës së plepave, paaftësisë dhe korrupsionit, që herë me dashje, e herë nga mungesa e aftësisë nuk ishte në gjendje që të kopsiste dosjet e bujshme me prova të marra sipas ligjeve në fuqi, duke shkelur procedurën.

Tani “të fortët” janë sërish jashtë dhe duket se Shqipëria është kthyer pas në makinë e kohës, si 20 vjet më parë dhe që kur kthejmë kokën pas shikojmë se asgjë nuk kemi bërë. Krimi na ka mundur sërish…

 

Më Shumë