Gazeta Si – Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se fuqia ekonomike e krimit është objektiv, ku theksoi se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Në fjalën e mbajtur në konferencën “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, organizuar nga AAPSK, këtë të hënë, 25 maj, Lamallari shtoi se lufta ndaj krimit nuk mjafton vetëm me arrestime dhe dënime, por kërkon edhe heqjen e fuqisë financiare të organizatave kriminale.
“Pasuritë e krimit nuk duhet të harrohen dhe as të degradojnë. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit”.
Lamallari solli në vëmendje edhe raste konkrete ku fondet dhe asetet e konfiskuara janë përdorur për të mbështetur institucionet e drejtësisë, projekte sociale, shkolla, spitale dhe qendra komunitare.
“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”.
Duke u ndalur tek sfidat e reja të krimit financiar, Lamallari theksoi se kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format moderne të pastrimit të parave kërkojnë përgjigje të reja dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar.
“Një shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje