Gazeta Si – Gjatë fundjavës, Rusia kreu një sulm të rëndë bombardimi në Ukrainë, duke përdorur 600 dronë dhe 90 raketa, duke vrarë të paktën 4 persona dhe duke plagosur mbi 50 të tjerë.
Në sulm, Rusia përdori gjithashtu një raketë “Oreshnik”, një raketë balistike me rreze të mesme veprimi veçanërisht shkatërruese.
Kjo është hera e tretë që kjo ka ndodhur që nga fillimi i luftës në vitin 2022 dhe të tri herët, Rusia e bëri këtë për t’i dërguar një mesazh Ukrainës dhe aleatëve të saj në Perëndim.
“Oreshnik” do të thotë “bërthamë” në rusisht. Është një raketë që Ukraina aktualisht nuk është në gjendje ta kapë dhe ka kapacitetin për të mbajtur koka bërthamore, duke e bërë atë veçanërisht kërcënuese.
U përdor për herë të parë në nëntor 2024 kundër qytetit Dnipro dhe në janar të këtij viti kundër Lvivit, në kufi me Poloninë. Gjatë fundjavës, ajo goditi kryeqytetin, Kiev, duke përfshirë një zonë garazhesh në jug të Ukrainës.
Nuk është një objektiv me vlerë ushtarake dhe e njëjta gjë vlen edhe për shumicën e ndërtesave të goditura nga sulmet ruse, të cilat synojnë kryesisht të terrorizojnë dhe shterrojnë popullsinë.
Raketa “Oreshnik” është, para së gjithash, një raketë balistike. Raketat balistike lëshohen në një trajektore parabolike: ato qëllohen shumë lart, derisa të dalin nga atmosfera dhe pastaj, duke rënë prapa, përplasen në objektiv me shpejtësi të jashtëzakonshme falë forcës së gravitetit.
Është mjaft e zakonshme që raketat balistike të arrijnë shpejtësi hipersonike, domethënë të paktën pesë herë më të shpejta se shpejtësia e zërit (që është 1,236 kilometra në orë).
Megjithatë, “Oreshnik” është shumë e shpejtë për një raketë të këtij lloji: sipas Rusisë, mund të arrijë 12,000 kilometra në orë; Forcat Ajrore Ukrainase thanë se raketa e janarit, arriti 8,000 kilometra në orë.
“Oreshnik” gjithashtu mbart gjashtë koka luftarake (MIRV), që ndahen gjatë zbritjes. Këto gjashtë koka luftarake mund të jenë bërthamore.
Megjithatë, në rastin e raketave që goditën Ukrainën, ato janë të ashtuquajturat koka bërthamore me thërrmija, të cilat nga ana tjetër lëshojnë gjashtë predha.
Këto janë predha jo-shpërthyese, por duke udhëtuar me shpejtësi shumë të lartë, ato prapëseprapë shkaktojnë dëme të konsiderueshme.
Videoja më poshtë tregon se si funksionon: gjashtë koka luftarake me nga gjashtë predha secila, 36 predha në total.
BREAKING:
— Visegrád 24 (@visegrad24) May 23, 2026
Russia just attacked Bila Tserkva in Ukraine with an Oreshnik Intermedium Range Ballistic Missile. pic.twitter.com/nddWzuPpjr
Këto janë karakteristikat që e bëjnë “Oreshnik”-un të vështirë për t’u kapur – dhe të pamundur për Ukrainën.
Ndërsa ngjitet në pjesën e parë të trajektores së tij parabolike, “Oreshnik” arrin shtresat e sipërme të atmosferës, dhe Ukraina aktualisht nuk ka radar për të monitoruar raketat që arrijnë kaq lart.
Nëse nuk mund të zbulohet një raketë, nuk mund të kapet. Nëse ajo raketë më pas udhëton me shpejtësi jashtëzakonisht të lartë dhe, ndërsa zbret, ndahet në 36 predha, atëherë kapja bëhet praktikisht e pamundur.
Nuk është e qartë nëse, me sisteme më të sofistikuara, do të ishte e mundur të kapej një “Oreshnik”. Presidenti rus Vladimir Putin ka pohuar të kundërtën.
“Oreshnik” është gjithashtu një raketë balistike me rreze të mesme veprimi. Mund të arrijë objektiva deri në 5,500 kilometra larg, që do të thotë se mund të godasë objektiva në pjesën më të madhe të Evropës (distanca midis Moskës dhe Romës në vijë ajrore është rreth 2,400 kilometra).
Kjo nuk është aq mbresëlënëse në vetvete: Rusia ka gjithashtu raketa balistike ndërkontinentale, të afta të arrijnë praktikisht çdo pjesë të botës.
Por raketat balistike me rreze të mesme veprimi, konsiderohen veçanërisht të rrezikshme dhe u ndaluan në vitin 1987 nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik në një marrëveshje të njohur si Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).
Arsyetimi – i zhvilluar gjatë Luftës së Ftohtë, kur kërcënimi bërthamor u rrit – është: një raketë balistike ndërkontinentale me majë bërthamore e lëshuar nga Rusia në Shtetet e Bashkuara, ka një kohë udhëtimi prej 20-30 minutash, e mjaftueshme për të formuluar një përgjigje të arsyetuar.
Por një raketë balistike me rreze të mesme veprimi e lëshuar nga Rusia drejt Evropës (ose një raketë amerikane e vendosur në Evropë kundër Rusisë), i duhen vetëm 6-8 minuta për të goditur objektivin e saj.
Kjo është një kohë shumë e shkurtër për të formuluar një përgjigje të qetë. E vetmja përgjigje e mundshme në një kohë kaq të shkurtër, është të urdhërohet një sulm hakmarrës dhe të lëshohen raketa kundër armikut.
Për këtë arsye, raketat me rreze të mesme veprimi konsideroheshin më të rrezikshme strategjikisht, sesa ato me rreze të gjatë veprimi.

Megjithatë, në vitin 2019, administrata Trump (në mandatin e saj të parë) u tërhoq nga INF, duke pretenduar se Rusia po e shkelte atë. Në vitet në vijim, Rusia tha gjithashtu se do të pushonte së zbatuari traktatin.
Në fakt, “Oreshnik” nuk është raketa më e fuqishme ose me rrezen më të gjatë veprimi në arsenalin rus. Për më tepër, inteligjenca amerikane beson se është zhvilluar nga një raketë më e vjetër dhe se është ende një projekt eksperimental nga i cili Rusia ende zotëron vetëm disa. Por ajo ka disa karakteristika që e bëjnë të përsosur për të dërguar një mesazh.
Në vitin 2024, mesazhi ishte të ngjallte frikën e një sulmi bërthamor për të frenuar ndihmën amerikane për Ukrainën (ishte i suksesshëm).
Në janar, Rusia me shumë gjasa donte të pengonte planet e disa vendeve evropiane për të dërguar trupa në territorin ukrainas për të zbatuar një armëpushim të mundshëm.
Nuk është ende e qartë se cili është mesazhi i sulmit të kësaj fundjave. Ndoshta – por jo domosdoshmërisht – është një përgjigje ndaj sulmit ukrainas disa ditë më parë në Starobilsk, një qytet në rajonin e Luhanskut, në territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia.
Sipas autoriteteve ruse, 21 persona u vranë dhe 42 të tjerë u plagosën në sulm: Rusia tha se u godit një konvikt studentësh, ndërsa Ukraina tha se u godit selia e një njësie ruse dronësh.
Një shënim i fundit: Pavarësisht se arrin shpejtësi hipersonike, raketa “Oreshnik” nuk është një raketë hipersonike.
Kjo është një kategori e ndryshme raketash, me aftësi të veçanta si manovrimi, dhe që shërben për qëllime të tjera.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje