Taksa

“Taksa e pronës trefish më e lartë, nuk pritet të mblidhet plotësisht”

Sabina Veizaj - Pritshmëritë për mbledhje të taksës së pronës në nivele të konsiderueshme janë zero. Kreu i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali në një intervistë për Gazetën “Si” e parashikon si të vështirë, gati të pamundur efektivitetin e kësaj takse në arkën e shtetit për arsye se kjo taksë është trefish më e lartë se e mëparshmja dhe familjet shqiptare janë të pamundura ta paguajnë dhe e dyta sipas tij, i gjithë sistemi është jo i azhornuar, jo funksional. “Kadastra fiskale e premtuar nga qeveria ka dështuar”, thotë Haxhimali për Gazetën “Si”.

Megjithatë, përpos problematikave të ditura, ai u kërkon bashkive të taksojnë në mënyrë të drejtë qytetarët. VKM-ja në fuqi nuk ka parashikuar penalitete për mospagesa, por bashkitë, sipas z.Haxhimali, në një moment të dytë mund të aplikojnë kamat-vonesa.
Ai sqaron me detaje metodologjinë mbi të cilën do të paguhet taksa e pronës për individët dhe bizneset e kategoritë që përjashtohen nga kjo taksë sipas VKM-së në fuqi.

Si është perllogaritur taksa e pronës?

Agron Haxhimali, Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Taksa e pasurisë së paluajtshme ose taksa e ndërtesës siç thuhet në gjuhën e përditshme duke filluar nga 1 prilli 2018, i është nënshtruar një metodologjie të re të taksimit.
Kjo metodologji e takson pronën bazuar në vlerën që ka kjo pronë sipas VKM-së 132 dt 07.03.2018.

Vlera e pasurisë llogartitet si shumëzim i çmimit për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës ose njësisë pronësore shumëzuar me koefiçientin e shkallës së taksës 0.05%. për ndertesat që shfrytëzohen për banim.

Shembull: Qytetari BT ka një banesë me siperfaqje 100 m2, dhe çmimi referues për m2 është 1000€. Vlera e kësaj ndërtese banimi është 100.000€. Ndërtesa është ndërtuar pas 1993-it. Shkalla e taksës është 0.05%.

Formula e re e llogaritjes së taksës së pronës
Për banesat:
Vlera e apartamentit/shtëpisë X çmimi për metër katror me sipërfaqen e ndërtesës ose njësisë pronësore X koefiçientin i shkallës së taksës 0.05%.
Shembull: Banesa me siperfaqje 100 m2, çmimi referues për m2 është 1000€.Vlera e kësaj ndërtese banimi është 100.000€. Ndërtesa është ndërtuar pas 1993-it. Shkalla e taksës është 0.05%.
Qytetari detyrohet të paguajë shumën vjetore 50€, të ndarë në 12 muaj.
Nëse një ndërtesë po me këto të dhëna por e ndërtuar përpara 93-it,(ndërtesat e privatizuara me ligjin 7652/92 çmimi për m2 do t'i llogaritet 70% e çmimit në atë zonë.
Nëse ndërtesa shfrytëzohet për veprimtari ekonomike shkalla e taksës është 0.2%.

Qytetari BT detyrohet të paguajë shumën vjetore 50€, të ndarë në 12 muaj. Nëse një ndërtesë po me këto të dhëna por e ndërtuar përpara 93-it,(ndërtesat e privatizuara me ligjin 7652/92 çmimi për m2 do ti llogaritet 70% e çmimit në atë zonë. Nëse ndërtesa shfrytëzohet për veprimtari ekonomike shkalla e taksës është 0.2%. Çmimi për metër katror sipërfaqe është përcaktuar me VKM.

Si dhe sa kemi paguar deri tani dhe si e sa do të paguajmë sipas kategorive?

Edhe më parë pasuria e paluajtshme është taksuar. Taksimi bëhej bazuar mbi sipërfaqe dhe çmimi ishte i ndryshëm sipas kategorive të qyteteve dhe zonave të ndryshme. Psh. taksa e pasurisë në zonën ( Tiranë dhe Durrës) varionte nga 15 lekë m2 për ndërtesa të ndërtuara para '93-it, dhe 30 lek/m2 në vit për ndërtesa të ndërtuara pas vitit 1993.
Ndërsa në qytete të tjera taksa varionte nga 10 lekë për m2 në vit për ndërtesat para 1993-it në 12 lek m2 për ato të ndërtuara pas 1993-it.

Dhe akoma më i ulët ka qenë në pjesën më të madhe të qyteteve dhe të zonave të pazhvilluara që varionte nga 5 lekë/m2 në vit për ndërtesa para vitit 93, dhe 6 lek/m2 për ndërtesat e ndërtuara pas 1993-it.

Të gjitha njësitë administrative në rrethe do të paguajnë njësoj sipas kategorive të vitit kur është ndërtuar pallati, apo jo?

Metodologjia është e njëjtë në të 61 bashkitë e vendit. Shkalla e taksimit është 0.05% e vlerës së pasurisë. Por çmimi i referencës është i ndryshëm në bashki të ndryshme. Psh, në Berat është 41.400 lek/m2, në Kukës 54.000 lek/m2, në Kamëz 52.000 lek/m2 , në Vau Dejës 24.300 lek/m2 etj.

Si veprohet me apartamentet e reja që janë në shitje?

Edhe këtë rast e trajton metodologjia me VKM 132/2018. Edhe këto objekte taksohen në masën 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjitha sipërfaqet ndërtimore për të cilën zhvilluesi është i paisur me leje ndërtimi, dhe nuk ka arritur ta perfundojë atë sipas afatit.

Po shtëpitë private?

Sigurisht, taksës mbi ndërtesat i nënshtorhen individë, persona fizikë ose juridik, vendas apo të huaj, pronar apo përdorues të pasurisë së paluajteshme në Republikën e Shqipërisë.

A janë identifikuar raste kur shtëpitë para '93-it nuk janë privatizuar? Nëse po, si veprohet për këto raste kur në këto shtëpi banojnë "pronarët"?

Regjistrimi i pronës dhe poseduesi i tyre, apo ajo që quhet Kadastra Fiskale, vashdon të mbetet problemi më i madh sot, problem që do të ndikojë shumë në regjistrimin, identifikimin dhe taksimin dhe vjeljen e taksës së pronës nga këndvështrimi administrativ.

Por metodologjia ka përcaktuar zgjidhje për rastet kur nuk dihet siperfaqja. Dhe zgjidhjen e jep neni 2.1 i VKM-së 132/2018, për siperfaqet e prezumuara. Kjo do të thotë se nëse prona ekziston, por nuk dihet sipërfaqja, ajo për efekt taksimi llogaritet 100m2 nëse është ndërtuar pas '93-it dhe 70 m2 për ndërtesa pas '93-it.

Në ç’masë është mbledhur taksa e pronës më parë?

Të ardhurat nga taksa e pronës konsiderohen të ulta. 0.1-0.3 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto në shkallë kombëtare.

Pritshmëritë nga zabtimi i metodologjisë së re janë që të arrijë 0.7-1% e PBB-së.
Asnjë bashki s’e mbledh 100% dhe se nuk ka pritshmëri të tilla dhe për një kohë afatmesme,
pasi i gjithë sistemi është jo i azhornuar, jo funksional. Kadastra fiskale e premtuar nga qeveia ka dështuar, por mbi të gjitha qytetarët do ndeshen me pamundësi për të paguar këtë nivel të ri takse që është 2-3 herë më i lartë se më parë.
Por në këto tre vite të fundit janë mbledhur 4,6 mld lek në 2016, 4.8 mld lek për vitin 2017, dhe për vitin që sapo u mbyll 4.7 mld.

Sa mendohet të mblidhet tani?

Është vit i vështirë 2019. Kemi zgjedhjet vendore që, nga eksperienca, kanë ndikim jo pozitiv në arritjen e objektivit.

Por dhe një herë, vështirësi tjetër është se sistemi që ushqen mbarëvajtjen për një ecuri të mirë të taksës së pasurisë ka probleme të mëdha; së pari nuk ka një regjistër kombëtar banesash, por as lokal. Institucionet qendrore nuk janë bashkëpunese me bashkitë, kuadrin ligjor qeveria e ndryshon shpesh dhe jo në harmoni me interesat dhe kohezionin vendor,por dhe niveli ekonomik i familjes shqiptare është shumë i ulët. Kjo do të vështirësojë punën e bashkive për të mbledhur këtë taksë.


"Vështirësi është se sistemi që ushqen mbarëvajtjen për një ecuri të mirë të taksës së pasurisë ka probleme të mëdha; së pari nuk ka një regjistër kombëtar banesash, por as lokal. Institucionet qendrore nuk janë bashkëpunese me bashkitë, kuadrin ligjor qeveria e ndryshon shpesh dhe jo në harmoni me interesat dhe kohezionin vendor" - Haxhimali

Po për biznesin si do të veprohet?

Për bizneset shkalla e taksimit është 0.2% e vlerës së pasurisë.
Por këtu duhet të sqaroj se: çmimi për 1m2 sipërfaqe ndërtimi për veprimtari ekonomike dhe shërbimi është 1.5 herë më i lartë se çmimi për m2 siperfaqe banimi. Këtu përfshihen kategoritë e ndërtesave në të 60 bashkitë e vendit.
Ndërsa për bashkinë Tiranë, çmimi sipërfaqes për m2 është dy herë më i madh se ai i sipërfaqes së banimit.

Si do të monitorohet procesi?

Është përgjegjësi e bashkive, por koordinimi ndër-institucional është i domosdoshëm.
Këshillat Bashkiakë kanë ndërtuar mekanizma për regjistrim dhe vjeljen e taksës.

Si do të veprohet nëse do të ketë ankesë në përllogaritje nga taksapaguesi apo kur ndryshon veprimtaria objektit?

Bashkia duhet të korrigjojë dhe verifikojë të dhënat nga të gjitha burimet, duke filluar nga vetëdeklarimi. Çdo qytetar ka të drejtë të ndjekë shkallët e ankimit administrativ dhe deri në gjykatë nëse taksohet padrejtësisht.

Si do të veprohet për magazinat, depot apo garazhet?

Tani me këtë metodologji të re edhe këto taksohen. Garazhet taksohen me masën 70% e vlerës që taksohet banesa në një zonë të caktuar. Për magazinat dhe depot për aktivitet bujqësor e blektoral çmimi për m2 sipërfaqe është 30% e çmimit të siperfaqes së banesës në zonën ku ndodhet.

Kush përjashtohet nga kjo taksë?

Sipas ligjit 106/2017 i ndryshuar,neni 22, përcakton rastet e përjashtimit nga taksa mbi ndërtesat.
Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension special, në fshat dhe qytet, kur familja përbëhet vetëm nga kryefamiljari,
-Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
- Janë të përjshtuar dhe pronat e shtetit dhe bashkive, objektet e kultit, banesat sociale, ato fetare, hotelet me 4-5 yje.

Kush do ta mbledhë këtë taksë?

Taksa e pasurisë në të 61 bashkitë e Shqipërisë do të mblidhet nga vetë bashkia.
Bashkitë kanë caktuar si agjent Ujësjellës Kanalizimin dhe për qytetarët që nuk marrin shërbim nga ShA, taksa do të mlidhet nga drejtori i tatim taksave vendore.
Por me rëndësi është që dhe pse me shumë probleme në këtë reformë, bashkitë duhet të vlerësojnë drejtë situatën dhe të taksojnë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë