Bota

Sulm me armë zjarri në universitetin e arteve në Pragë. 15 viktima dhe 30 të plagosur (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Një sulm me armë është shënuar në ambientet e fakultetit të Arteve në Universitetin Karlova, në qendër të Pragës ku kanë mbetur të vrarë 15 persona, përfshirë edhe agresorin.

Sipas raportimeve nga policia dhe ekipet e shpëtimit janë plagosur dhe 20 persona, 9 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

“Autori i sulmit është eliminuar! E gjithë ndërtesa aktualisht është duke u evakuuar dhe në vendngjarje ka disa të vdekur dhe dhjetëra të plagosur”, tha policia me herët në rrjetin X.

Sipas kryebashkiakut të Pragës Bohuslav Svoboda, sulmuesi ra nga ndërtesa dhe vdiq pasi fillimisht qëlloi veten me armë. Megjithatë Policia ende nuk ka specifikuar mënyrën e asgjësimit.

Studentët për t’iu shpëtuar plumbave zgjodhën të fshiheshin në parvazin e dritareve duke rrezikuar të binin poshtë.

“Unë zbrita në ndalesën Staroměstská disa minuta pas orës tre. Takova një mik atje dhe papritmas erdhi policia. Po largohesha në drejtim të rrugës Veleslavínova dhe më pas dëgjova të shtëna”, tha një nga dëshmitarët për një media çeke. Një nga oficerët u tha dëshmitarëve të fshiheshin.

“Unë nuk pashë asgjë, por shoku im ishte ulur në tramvaj dhe pa njerëz në çatinë e Fakultetit të Arteve dhe aty fshiheshin”, shtoi ai.

Sekretarja Zdeňka Filipová u shkroi studentëve dhe mësuesve gjatë ndërhyrjes për të qëndruar aty ku janë.

“Nëse jeni në zyra, mbyllini ato dhe vendosni mobiljet para derës, fikni dritat, agresori është ndoshta në katin e katërt të ndërtesës kryesore në Náměstí Jan Palach, unë jam në pritje të udhëzimeve nga policia e Republika Çeke”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë