Histori

Suedezi që ia doli të shpëtojë shtatë nipërit e tij nga traumat e ISIS

Rënkimi i largët i motorëve të avionit e bëri Ibrahimin 8-vjeçar të strukej në vete për t'u mbrojtur. Pamja filmike vinte prej instinkteve të mbijetesës, të lindura gjatë bombardimeve në fushat e betejës në Siri.

Por i vogli nuk ishte më në një zonë lufte. Ai ishte në një hotel në veri të Irakut, dhe aeroplani që ndjehej andej pari ishte avion udhëtarësh, i ngjashëm me atë që ai do të udhëtonte së shpejti për të shkuar në Suedi, sëbashku me gjashtë vëllezërit e tij të tjerë.

Prindërit e Ibrahimit, të dy prej Skandinavisë, iu bashkuan Shtetit Islamik në kulmin e fuqisë së tij dhe mbetën të vrarë, teksa forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën çka kishte mbetur prej grupit në Siri këtë vit.

Autoritetet suedeze, nën presion nga organizatat humanitare dhe prej vendosmërisë së gjyshit të fëmijëve, Patricio Galvez, në fillim të majit evakuuan jetimët nga një kamp në Siri.

Në pritje të rikthimit të shtatë nipërve të tij nga një kamp sirian, Galvez u zhvendos në fund të prillit në një hotel të madh pranë një spitali suedez në Erbil dhe mori një dhomë me katër shtretër tek, një krevat dopio dhe një banjo me vaskë.

Gëzimi i paimagjinueshëm që z. Galvez ndjeu kur fëmijët më në fund arritën të mbërrinin në Irak, shumë shpejt u përball me realitetin që duhej të kujdesej për shtatë fëmijë të vegjël.

Qilimi i dhomës së tyre të hotelit ishte i mbushur me thërrime ushqimesh dhe lodra. Era e të vjellave ndihej në ajër.

Tanimë, pasi i shpëtoi fëmijët prej kalifatitë të Shtetit Islamik, Z. Galvez po përballej me pyetje të vështira se si do ti rrisë ata dhe do ti integrojë në shoqërinë suedeze.

Janë gati 7,000 të mitur të mbetur në Siri, sipas organizatës bamirëse britanike "Save the Children". Dhe familjet po përballen me pengesa të jashtëzakonshme. Nuk është më i paktë ngurimi i qeverive respektive për të riatdhesuar qytetarët nga Siria. Qeveritë europiane kanë ngecur mes shqetësimeve humanitare nga njëra anë dhe kundërshtive politike e problemet e mundshme të sigurisë nga ana tjetër.

Përpara Suedisë, sipas "Save the Children", Franca ishte i vetmi vend europian i njohur për riatdhesimin e fëmijëve prej Sirisë.

Z. Galvez ngjante i raskapitur. “Është vërtetë e vështirë,” tha 50-vjeçari. “Ka shumë të papritura jo të këndshme me fëmijët; që nga sëmundjet, tek grindjet me njëri-tjetrin deri tek qefmbetjet.”

Z. Galvez deklaroi misionin e tij për në Siri pasi vajza e tij u vra gjatë një sulmi ajror dhe autoritetet suedeze iu përgjigjën ftohtë thirrjeve të tij për ndihmë për të shpëtuar fëmijët e të bijës. Në muajin mars ai i gjeti të shtatë fëmijët në një kamp të madh strehimi, të kequshqyer dhe me njolla në lëkura prej djegjes nga dielli, por i duhej ti linte ata. Autoritetet lokale refuzuan ti lironin fëmijët derisa qeveria suedeze bëri kërkesë zyrtare për ti marrë ata.

Z. Galvez qëndroi në Erbil për tre javët që pasuan, duke u përpjekur ti bënte presion qeverisë suedeze përmes intervistave që jepte në medie. Z. Galvez kërkoi mbështetje dhe ndihmë tek diplomatët e Kilit, atje ku ai kishte lindur.

Ai nisi të dëshpërohej kur befas i bie telefoni në javën e parë të majit. Ishte një diplomat suedez, i cili e njoftoi se fëmijët ishin rrugës për Erbil. Në padijeni të Z. Galvez, një delegacion suedez kishte udhëtuar drejt Sirisë dhe ishte takuar me përfaqësues të administratës autonome që kontrollon verilindjen e vendit. Ata dolën nga takimi në Siri dhe iu drejtuan kufirit irakian me shtatë fëmijët dhe i transportuan ata në konsullatën suedeze në Erbil, ku zoti Galvez ishte duke pritur.

Ibrahimi 8 vjeç

Me të mbërritur fëmijët në hotel, ata u zhytën në lodrat që i gjyshi Galvez kishte përhapur në dysheme. Mediet suedeze dhe ato lokale qëndronin në të njëjtin hotel teksa fëmijët prisnin lejen për të fluturar drejt Suedisë.

Teksa vështirësia për t'u kujdesur për fëmijët u bë e dukshme, një mik i z. Galvez i cili kishte ardhur për të bërë një dokumentar, u zotua ti qëndronte pranë atij, së bashku me një ish punonjës social i cili ishte prekur nga historia e fëmijëve dhe u zotua të ndihmonte dhe ai. Stafi i hotelit dhe disa vullnetarë të tjerë gjithashtu u përfshinë në këtë histori dhe ofruan ndihmën e tyre.

Ibrahimi vizatoi tanke dhe helikopterë duke thënë se ishin 'jeyish aadu', arabisht, ushtria armike dhe ai nënshkroi vizatimin me emrin e motrës së tij: Merjem.

Suedishtja është gjuha e parë e fëmijëve, por ata flasin edhe disa fjalë në gjuhën arabe: "Po", "jo", "qumësht", "makinë", "motra ime", "më jep" dhe "këtu".

Tranzicioni i familjes: Nga kampi sirian drejt së ardhmes suedeze

Patricio Galvez bëri një kurs intensiv në një hotel irakian për përkujdesjen ndaj fëmijëve, teksa priste transportimin e shtatë fëmijëve jetimë të së bijës për në Suedi.


Tre më të vegjlit e shtatë fëmijëve kanë lindur në Siri, prandaj Z. Galvez i ka parë ata vetëm në fotografitë që ia dërgonte e bija. Mohammed, 1 vjeç, i cili gati po vdiste nga kequshqyerja, i rimori mjaftueshëm forcat për tia dalë të mbajë peshën e kokës së vetë. Ajo që po shkul petalet e një trëndafili në kopësht, është Aisha, 2 vjeç, teksa Ibrahimi i ngul sytë qiellit dhe kundron për ndonjë avion armik.


Ulrika Pape, ish partnerja e Z. Galvez

Kamarierët e restorantit të hotelit e fusin 5-vjeçaren Maryam në një karrocë enësh dhe i bëjnë xhiro, kurse Younus, 7 vjeç, luan me top nëpër korridoret e hotelit.
“A mund të ulesh aty?”, i drejtohet z.Galvez Sarës 5-vjeçare, në suedisht. “Jo!” i përgjigjet ajo në arabisht.

Saffiyah 3 vjeç, i kujton më shumë se të tjerët atij të bijën. “Asaj nuk i interesojnë zënkat dhe luan me veten e vet,” tha ai. Një ditë pasi mori fëmijët, Saffiyah kërkonte me ngashërim të ëmën. Z. Galvez u thërmua sëbrendshmi.


Që prej asaj dite, mbërritja e gjyshes nga nëna të fëmijëve në Erbil komplikoi më tej situatën tashmë të nderë.
Ulrika Pape, e cila është ndarë prej z.Galvez kur e bija ishte një fëmijë, udhëtoi drejt Sirisë me të bijën dhe katër fëmijët e tjerë më të mëdhenj në 2014, në atë kohë ajo u konvertua gjithashtu në fenë Islame.

Ajo u rikthye në Suedi përpara se vendi të miratonte një ligj në 2016 kundër shkuarjes jashtë për tiu bashkuar ndonjë organizate terroriste.
Znj. Pape, e cila tanimë e mohon Shtetin Islamik dhe jeton nën një identitet të mbrojtur në Suedi, u shpreh se fëmijët “janë gjithçka për të.”

Edhe pse z.Galvez ishte i shqetësuar se marrëdhënia e ish të shoqes me Shtetin Islamik mund të influenconte negativisht perceptimin publik për të dhe fëmijët, u shpreh se e ndjente të padrejtë ta pengonte znj.Pape të shihte fëmijët pasi të mbërrinin të sigurt në Irak.

Por shumë shpjet të dy ish bashkëshortët nisën të konfrontohen, kur Z. Galvez dëgjoi recitime të Kuranit në telefon. Ai e quajti indokrinim; por ajo insistoi se e bënte për të qetësuar fëmijët dhe e akuzoi atë për pikëpamje anti-muslimane.

Z.Galvez dëshiron që fëmijët të rriten të lirë nga çdo lloj feje ose idologjie tjetër, kurse Znj. Pape beson se ata duhet të nderojnë kujtimin e bijës që nuk jeton më duke i rritur ata si muslimanë, ashtu siç nëna e tyre do të donte. Asnjë prej gjyshërve nga ana e babait të fëmijëve nuk i është përgjigjur kërkesave për intervistë.
Z.Galvez u përpoq të fshihte nga mediet praninë e znj. Pape në Erbil, por një tabloid suedez kishte shkrepur disa fotografi të sajat në hotel. Z. Galvez përfundimisht i kërkoi Znj. Pape të largohej dhe ajo u kthye vetëm në Suedi.

Z. Galvez në dhomën e hotelit me fëmijët

Menjëherë javën e ardhshme dokumentet e fëmijëve ishin gati dhe ata mund të udhëtonin. Por biletat kushtonin rreth 7,000 $ dhe Z. Galvez, një muzikant në profesion të lirë, nuk kishte para ti përballonte. Miku i tij, kineast, çeli një fushatë mbledhjeje fondesh në mediet sociale dhe arriti të grumbullonte më shumë se 9,000 $ brenda 48 orëve, duke i mundësuar atij të blinte biletat.

Një fushatë më e hershme e GoFundMe e nisur nga një mik në Suedi gjithashtu arriti të grumbullonte më shumë se 7,000 dollarë brenda disa ditësh, por u mbyll për shkak të shkeljes së kushteve të platformës amerikane që ndalonin mbledhjen e fondeve për shkaqet që përfshinin vende nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara si Siria. Paratë iu kthyen donatorëve.

Ndërkaq, Saffiyah që e kishte zënë lija e dhenve po zbriste nga shkallët. Z.Galvez u tha fëmijëve se po shkonin në shtëpi në Suedi, por dukej se ky lajm i la indiferentë. Për z.Galvez, kthimi i tij do të shënonte fundin e një vuajtjeje të cilën kurrë nuk e kishte imagjinuar. Ndërsa aeroplani u ngrit pasditen e një të marte fundmaji, trupi i tij dridhej prej ngashërimave të cilën e mbyste vetëm zhurma e motorit.

Z. Galvez, dy njerëz që e ndihmuan atë dhe fëmijët në aeroportin e Frankfurtit, në rrugën e tyre për në Gothenburg, Suedi
Gjatë fluturimit për në Goteborg, zoti Galvez ndjehet i gëzuar pavarësisht lodhjes. Disa udhëtarë të tjerë e njohin dhe e urojnë për menaxhimin e shpëtimit të fëmijëve.

Me të mbërritur në Frankfurt, dy furgona policie po prisnin të transportonin familjen nga pista në një hotel për një natë përpara udhëtimit të tyre për në shtëpi në Goteborg. Të mërkurën në mëngjes, ata gati humbën autobusin për në aeroport, pasi Mohammed nisi të villte teksa të gjithë po përgatiteshin për tu nisur. Në nxitim për të lënë Erbilin, Z. Galvez dhe të dy shokët e tij që udhëtuan me të kishin harruar të merrnin me vete pelena, kështu që iu desh të improvizonin pelenën për të voglin me një peshqir të lidhur rreth belit të foshnjës.

Disa persona gjatë udhëtimit e njohën z.Galvez dhe e uruan.

Z. Galvez duke mbajtur në krahë fëmijën më të vogël , Mohammedin, që të flinte gjatë fluturimit.


Në kohën kur aeroplani preku pistën në Gothenburg atë të mërkurë, mediet ishin gati për ti pritur. Një fotografi e Z. Galvez dhe fëmijëve ishte shkrepur në mënyrë të fshehtë në aeroportin e Frankfurtit dhe ishte tashmë në ballinën e një tabloidi suedez, e gazetarët po prisnin për familjen që të vinte në sallën e mbërritjeve.
Z. Galvez dhe fëmijët u mbajtën në hapësira të ndara ku katër punonjës social u takuan me ta.

Teksa aeroplani prekte pistën e Gothenburg, z. Galvez shpërthente në lot.

Prej aty, ata u futën në një vend të sigurt, ku fëmijët do të merrnin kujdes të specializuar, ndërsa shërbimet sociale suedeze do merrnin vendime për mirëqenien e tyre afatgjatë. Z. Galvez pret që ata të ndahen sepse është shumë e vështirë për një familje të vetme të kujdeset për të gjithë së bashku.
Apartamenti i tij ka hapësirë të pamjaftueshme për të e për djalin e vajzën që kanë lindur nga një partnere tjetër, të dy adoleshentë.

Pavarësisht simpatisë që shumë suedezë kanë treguar për fëmijët, Galvez thotë se shqetësohet për faktin se si ata do të pranohen në shoqëri. Një koment që lexoi në mediet sociale e tronditi: Një nënë shkruante se do t'i hiqte fëmijët e saj nga shkolla nëse do të binin në të njëjtën klasë me nipërit e mbesat e tij.

Policia e Aeroportit në Gothenburg i sjell z. Galvez ndihmësit e tij dhe fëmijët i shpie në një seksion të veçantë të terminalit ku punonjësit socialë presin për t'i çuar në një shtëpi të sigurtë.


Z.Galvez thotë se ka në plan të ndihmojë familjet e tjera që luftojnë për riatdhesimin e fëmijëve nga Siria, duke përfshirë 80 syresh vetëm nga Suedia.
Dhe një ditë, thotë ai, mund të kthehet në Siri me një mision tjetër: për të gjetur varrin e vajzës së tij. Çfarë ai duhet të kërkojë janë emrat e dy fshatrave midis të cilëve ajo është varrosur. Në telefonin e tij, ai ka një fotografi të pllakës së përafërt që është vendosur mbi kufomën e saj.

*Burimi: Wall Street Journal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë