Shendet

Studimi / Më të vogla se mikrogrimcat e plastikës, mesatarisht ka 240 mijë në një shishe ujë. Çfarë efektesh sjell në shëndet?  

Një studim i disa viteve më parë zbuloi se secili prej nesh mund të konsumonte çdo javë grimcat e vogla plastike sa masa e një karte krediti. Këto mikrogrimca njihen si mikroplastikë dhe formohen kur plastika shpërthen në copa progresive më të vogla. Pikërisht për shkak të madhësisë së tyre të vogël ato mund të absorbohen nga njerëzit, kafshët dhe mjedisi, me efekte të mundshme në shëndet dhe ekosistem.

Nanoplastika

Megjithatë, ekziston një botë grimcash edhe më të vogla që janë ende me pak të njohura për shkak të mungesës së teknikave analitike efektive: kjo është ajo që quhet nanoplastika, "bijat" e mikroplastikës që janë shpërbërë më tej. Disa ditë më parë, një grup studiuesish, u përpoqën të numëronin dhe identifikonin ato që përmbaheshin në tre markat e njohura të ujit në shishet e shitura në Shtetet e Bashkuara (ata nuk donin të specifikonin se cilat ishin markat) falë zhvillimit të një teknike të imazhit optik për analizën e shpejtë të nanoplastikës me ndjeshmëri dhe specifikë edhe më të saktë.

Studiuesit identifikuan 105 grimca për litër ujë në shishe, nga të cilat afërsisht 90% janë nanoplastikë. “Forca e këtij studimi nuk qëndron tek të dhënat për praninë e nanoplastikës në ujin e pijshëm, rezultatet e të cilave janë në përputhje me dhjetëra hetimet e 10 viteve të fundit, por tek teknologjia e re e përdorur për të matur më saktë grimcat më të vogla dhe më shpejt”, shpjegon Enrico Davoli, kreu i Laboratorit të spektrometrisë së masës në departamentin e Mjedisit dhe Shëndetit të Institutit të Kërkimeve Farmakologjike Mario Negri në Milano. “Aspekti i dobët i hetimit ka të bëjë me marrjen e mostrave: numri i shisheve dhe detajet e materialit të tyre nuk janë të qarta, nuk dihet se nga çfarë janë bërë tapat, sa shishe ishin të reja apo të vjetra, sa ishin ekspozuar në diell. Këto aspekte janë të rëndësishme përpara se të nxjerrim përfundime mbi nanoplastikët e pranishëm"

Njëqind herë më e vogël se një fije floku

Mikroplastikët përkufizohen si fragmente që variojnë nga 5 milimetra deri në 1 mikrometër, ose e 1 milionta e një metri. Nanoplastika, të cilat janë grimca më të vogla se 1 mikrometër, maten në të miliardat e një metri. "Për t'ju dhënë një ide, nanoplastika është njëqind herë më e vogël se diametri i një floku", specifikojnë studiuesit.

Besohet se, pikërisht për shkak të madhësisë së tyre më të vogël në krahasim me mikroplastikët, ato favorizohen që të hyjnë në trupin e njeriut. Çfarë do të thotë kjo për shëndetin tonë?

Hipoteza e efekteve të pafavorshme shëndetësore

“Është treguar se mikroplastikët më të mëdhenj hyjnë dhe dalin nga trakti tretës, ato ndalen në rrugët më të larta, në nivelin e hundës ose pak më poshtë. Nga ana tjetër, nanoplastikët zbresin akoma më poshtë në rrugët frymëmarrjes.

Në zorrë ato absorbohen dhe hyjnë në qarkullimin e gjakut. Nuk është për t'u habitur, pra, kur lexojmë se ato janë gjetur, për shembull, në placentë. Është parë se ato mund të gjenerojnë një gjendje inflamacioni, por nuk kemi asnjë provë se çfarë ndodh më pas. Të gjitha studimet eksperimentale të fokusuara tek tumoret, për shembull, kanë dhënë rezultate negative. Për më tepër, është parë se ato ndërveprojnë me proteinat dhe për këtë arsye mund të ndryshojnë sistemin e transmetimit të informacionit nga organi në organ i cili fuqizohet nga disa hormone që janë proteina. Ka shumë variabla në lojë, por ka ende pak aspekte të njohura. Ekzistojnë hipoteza mbi efektet e mundshme toksikologjike që ndryshojnë në varësi të llojit të plastikës, formës, madhësisë dhe varësisht se sa të pista janë nanoplastika, pra çfarë “mbartin” në sipërfaqen e tyre”.

Çfarë bëjnë ata në trupin tonë?

“Sfida e madhe është të kuptojmë se çfarë bëjne nanoplastika në trupin tonë pasi i thithim ose i hamë ato: për fat të keq nuk ka asnjë provë për të qenë në gjendje të përcaktojmë ekspozimin tonë real ndaj nanoplastikës ose të kuptojmë nëse ndërhyrja e tyre me proteinat mund të ndikojë, për shembull, në sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimer, Parkinson, Huntington, Skleroza Laterale Amiotrofike. Për këtë arsye, një hap i parë i domosdoshëm për të hedhur dritë në kërkime është zhvillimi i metodave standarde të matjes në nivel global. Kjo do të ndihmonte për të kuptuar se sa nanoplastikë ka përreth dhe, rrjedhimisht, ne mund të kuptonim të dhënat e ekspozimit, d.m.th. sa një person thith ose gëlltit."

Të dhëna plastike

“Prodhimi global i plastikës po i afrohet 400 milionë tonëve në vit”, tha Beizhan Yan, bashkëautor i studimit të lartpërmendur, një kimist mjedisor në Observatorin e Tokës Lamont-Doherty të Universitetit të Kolumbisë. “Më shumë se 30 milionë tonë hidhen në ujë ose në tokë çdo vit dhe shumë produkte të bëra nga plastika, duke përfshirë pëlhura sintetike, derdhin grimca ndërsa janë ende në përdorim. Ndryshe nga lënda organike natyrore, shumica e plastikës nuk shpërbëhen, por ndahen dhe rindahen në grimca gjithnjë e më të vogla të së njëjtës përbërje kimike."

Çfarë mund të bëjmë: ekziston rregulli 3 "R".

“Për të mbrojtur mjedisin ekziston rregulli 3 “R”: ripërdorimi, reduktimi, riciklimi”, përfundon Davoli. “R”-ja e katërt është ajo e refuzimit dhe kjo është ajo që ne mund të angazhohemi. Bleni sa më pak sende ose ushqime të mbështjella me plastikë.

Riciklimi i këtij materiali është i rëndësishëm për reduktimin e ndotjes dhe është një ide e mirë të inkurajohet përdorimi i materialeve të ricikluara. Plastika është një shpikje italiane e fituesit të çmimit Nobel për kiminë Giulio Natta dhe forca e saj qëndron në të qenit një material i lehtë, i lirë dhe afatgjatë: nga këtu mund të kuptojmë absurditetin e një përdorimi. Nuk është aq shumë shpikja e plastikës që shkakton dëme, por abuzimi që i bëhet asaj”. Corriere.it/ Pershtati ne shqip: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë